Në fokus

November 23, 2016 | 7:46

Nevila Nika: Qetësia, arma ime për të dalë nga situatat

1Rruga e zgjedhur prej meje ka qenë e thjeshtë. Me personin apo personat që ndaj meje kanë bërë diçka të padrejtë, kam ndërprerë çdo lloj kontakti, ndërsa me të tjerë që unë kam gjykuar se janë problematikë në çfarëdo lloj drejtimi, kam evituar shoqërimin.

Me bindje e them se bëj pjesë në atë kategori njerëzish që, përveçse e kanë të lindur durimin, e kanë atë edhe të kultivuar me vitet e moshës dhe përvojën jetësore. Mundohem maksimalisht t’u shmangem situatave të cilat përveçse janë të papëlqyeshme, nuk i dihet asnjëherë se si mund të përfundojnë. Por, kur më bie “fati i keq” të jem në një mjedis të tillë, mundohem me të gjitha mënyrat të ul gjakrat, ose thënë ndryshe, të shuaj zjarrin. Si ia dal mbanë?! Përpiqem në radhë të parë që pjesëmarrësit në “konflikt” të ulin zërin, pastaj të kap ndonjë element të bisedës së nxehtë për të treguar diçka me nota humori, si për shembull ndonjë ndodhi, shprehje të vjetra në dialekt ose thënë ndryshe krahinore, apo edhe anekdotë. Kur kam përdorur gjithçka që ka qenë në dorën time dhe nuk ia kam arritur qëllimit, e shoh të udhës më mirë të largohem. Duke qenë njeri i qetë, kam në dorë të gjitha armët e mia më të mira për të dalë paq nga një situatë delikate apo nga ato me ngarkesë emocionale. Kuptohet, kam edhe unë momente shpërthyese, por gjithsesi nuk zgjatin më shumë se gjysmë ore dhe janë shumë të rralla vetëm kur “kupa është mbushur e po derdhet”. Pas kësaj “furtune” kthehem të jem ajo që jam përherë, e qetë dhe e matur. Gjithsesi, ajo që edhe të tjerët ma thonë shpesh, është vetia e të qenit jashtëzakonisht e matur dhe e duruar, siç e thonë më të vjetrit jam “e nalun”.

Rëndom thuhet: ngarkesat e brendshme mos i ruaj për vete, por shprehi ato, edhe pse mund të ketë shenja nervozizmi, sepse kështu nuk e dëmton shëndetin!
Të vlerësosh shëndetin tënd dhe të reagosh pa u kursyer apo të tregohesh sa më pozitive ndaj të tjerëve duke ruajtur qetësinë, është një nga platformat më të suksesshme dhe praktikat më frytdhënëse për çdokënd. Kuptohet se mbi shëndetin nuk mund të vihet asgjë.

Kur e ke, nuk di çfarë vlere ka dhe mundet edhe ta shpërdorosh, por kur fillon e ke probleme me të, atëherë e kupton çfarë ke humbur. Personalisht, më pëlqen puna që bëj, edhe pse lodhja mendore e fizike nuk mungon, dhe kjo ndoshta është një ndihmesë shumë e madhe përsa i takon shkarkimit të ngarkesave të brendshme që vijnë nga shumë faktorë. Deri tani ia kam dalë mbanë që të ruaj shëndetin, edhe pse ndonjë problem të vogël si çdo njeri e kam edhe unë, dhe në të njëjtën kohë të jem në maksimum pozitive ndaj kujtdo, ndaj familjes sime, të afërmve, miqve, kolegëve, por edhe atyre që i shoh për herë të parë.

Sigurisht për të ruajtur qetësinë e brendshme, nuk mendoj se nevojitet ndonjë strategji e madhe apo e ndërlikuar.

Mendoj se do të mjaftonte të ngulitësh në kokë dy gjëra thelbësore: e para të mendohesh shumë përpara se të flasësh dhe e dyta asgjë e mirë nuk vjen nga sherri. Fjala e të moshuarve apo këshilla e tyre “largoju sherrit” është jashtëzakonisht e vyer.

Megjithëse ka raste që mendoj se ndoshta nuk do të bëja keq sikur të lëshoja ndonjë fjalë të rëndë ose do të më pëlqente edhe të ktheja ndonjë përgjigje paksa të hidhur. Në pak sekonda bluaj në kokën time se edhe mua do të më vinte shumë hidhur kur të më kthehej e njëjta monedhë dhe prandaj parapëlqej të ruaj qetësinë ndoshta edhe me ndonjë nuancë ironie. Nuk më vjen ndërmend ndonjë rast i veçantë dhe i ndërlikuar që më ka bërë të reflektoj, por di të them se kam kaluar edhe unë si çdo njeri momente të vështira e të ndërlikuara. Rruga e zgjedhur prej meje ka qenë e thjeshtë. Me personin apo personat që ndaj meje kanë bërë diçka të padrejtë kam ndërprerë çdo lloj kontakti, ndërsa me të tjerë që unë kam gjykuar se janë problematikë në çfarëdo lloj drejtimi kam evituar shoqërimin.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.52

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top