Nga: Fleura Shkëmbi
Kemi lënë takim me një mik, me një të afërm dhe duam të kalojmë momente të bukura apo qetësuese. Takohemi dhe shumicën e kohës e kalojmë duke kontrolluar në facebook se çfarë po ndodh përreth. Bëjmë foto të asaj që po bëjmë, apo njoftojmë të tjerët që të dinë se ku jemi. Pra jemi aty fizikisht, por nuk jemi mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Çfarë na ka shtyrë të dalim nëse nuk jemi aty? Frika që të rrimë vetëm apo impulse se duhet të jemi bashkë më të tjerët dhe të mos harrohemi nga bota? Ndodh edhe ndryshe: ti ulesh me të tjerët, të cilët fillojnë dhe flasin vetëm për vete, vazhdojnë pafund saqë ti lodhesh dhe humbet durimin. Nëse nuk do të dëgjosh më dhe merr guximin t’i thuash, konsiderohesh si egoist.
Vjen nga puna i lodhur dhe i stresuar aq shumë, saqë nuk dëshiron të të flasë askush, ndoshta as i/e dashura apo parteri dhe fëmijët. Ndoshta ata kanë kërkesat e tyre, ndërsa ti dëshiron vetëm pak qetësi me veten.
Një djalë/vajzë e re më tregon për eksperiencat e veta të lidhjes në rrjetet sociale. I kontrollon profilet dhe pasi ka folur për një periudhë të caktuar, del për t’u takuar. Pas takimit, historia përfundon këtu. Qëllimi ishte vetëm që të pihej një kafe me njerëz.
Një i/e rritur në moshë tregon se pasi janë rritur fëmijët janë duke ecur në rrugëtimin e jetës së tyre ndërsa ai/ajo ndihen vetëm në shtëpi kështu që papritur fillon një ndjenjë frike, një ndjenjë boshllëku, një ndjenjë trishtimi saqë ndihen të sëmurë. Padyshim që fëmijët do të vijnë më shpesh nëse ai/ajo nuk ndihet mirë. Kështu historia vazhdon pa marrë fund.
I dashuri/e dashura kanë dëshirë të ikin diku me shokët dhe shoqet e veta por ti nuk mund të jesh pjesë, kështu te ty fillojnë dyshimet se të la vetëm, se është duke kaluar bukur pa “ty”.
Ti shikon shokun/shoqen tënde që nuk po shoqërohet kaq shpesh këto kohët e fundit me ty dhe ka filluar të të “zëvendësojë” me dikë/disa të tjerë dhe ti fillon të ndihesh keq, ndoshta të fillosh edhe të reagosh pa e shpjeguar përse-në.
Janë jo të pakta rastet kur flasin duke u përlotur se sa keq ndihemi kur na ka përjashtuar grupi, se nuk dimë si të veprojmë për t’u bërë sërish pjesë e një përkatësie. Të gjitha këto e shumë situata të tjera, normalisht që tregojnë për një uri emocionale. Ne kemi filluar të harrojmë se çfarë është dashuria e vërtetë për veten dhe për të tjerët, kemi harruar të kujtojmë se ato që mbahen mend në kujtesë janë ndjesitë që na ka tejçuar dikush në momente të caktuara. Ne kemi filluar të harrojmë se qenia njerëzore ka tre dimensionet e veta: trup-mendje-shpirt! Kemi filluar të përdorim trupin, duke lënë mënjanë emocionet dhe shpirtin ta zhysim diku thellë që të mos na kujtojë se ekziston. Mund t’i fshehim me vetëdije, por nuk mund t’ia shprehim të pavetëdijshmes e cila ka të brendësuar gjithë përvojat tona dhe në çdo moment na i kujton dhe rikujton. E pavetëdijshmja fillon dhe reagon nëse ne nuk po marrim “masat” e duhura. Fillon reagimet që janë të ndryshme te çdo individ, por emocionet janë universale te të gjitha kombet dhe te të gjitha racat! Të gjithë lindim, qajmë, qeshim,
trishtohemi, habitemi dhe largohemi nga kjo botë (nga ky dimension) njëlloj. Sa kohë shpenzojmë që të merremi me veten dhe me shpirtin? Sa kohë i japim emocioneve tona që t’i kuptojmë dhe t’i përjetojmë deri në fund? A mos ndoshta kemi frikë se po të jemi në kontakt me to nuk do ndihemi aq mirë dhe kështu fillojmë t’i largohemi me anë të teknologjisë, apo duke u mbajtur fort te partneri/partnerja, te shoku dhe shoqja se kemi frikë të rrimë vetëm?
Uria emocionale ka mënyrat e veta për t’u shuar e një prej tyre është të investojmë te përmbushja e mendjes, shpirtit dhe respektimi i trupit. Një njeri i cili është i përmbushur dhe ndihet mirë me veten, e ka më të lehtë të qëndrojë vetëm ose t’i përjetojë emocionet e veta duke u ndjerë i vlefshëm dhe duke bërë të tjerët të lumtur. Lumturia është një emocion që gjendet kudo në çdo moment dhe te çdo njeri. Nëse kemi vendosur të jemi të tillë, le ta fillojmë nga vetja që ta pranojmë dhe ta duam ashtu si jemi, të duam të tjerët edhe kur nuk janë perfekt, por që kanë shpirtin e pastër!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.