Nuk është çështje “ngushëllimi” ose të konsideruari me një “sportivitet” të sforcuar apo ironi të këtij argumenti por, faktikisht sipas statistikave – kryesisht për vendet perëndimore, kjo vlen dhe jo për vendet e botës së tretë – sot, ai “shënuesi” mbi shkallën treguese të perceptimit të moshës së njeriut ka ndryshuar nivelin.
Më parë në Shqipëri – ama, nga pak, edhe kudo nëpër Evropë – p.sh 50-vjeçarët/et konsideroheshin “të vjetër/a”.
Një 50 vjeçari i drejtoheshe me “Ju”, jo aq për raportin formal apo ndaj personash, me të cilët nuk kishe konfidencë, sesa për faktin e të konsideruarit atyre si “të vjetër”, në moshë të avancuar, në mënyrë të mirëfilltë.
Sot, atyre u drejtohesh me “Ti” – përtej formalitetesh e ku konteksti nuk e lejon një “Ti” në komunikim – pikërisht sepse, ata nuk konsiderohen më si “të vjetër” por, si të rritur, në fazën më të mirë të pjekurisë së tyre, jo vetëm nga ana biologjike por, edhe nga sfera e përgjithshme e eksperiencave jetësore të mbledhura tashmë, si përsa i përket anës emotive, personale, po ashtu edhe karrierës, profesionit.
Sot ka ndryshuar edhe kufiri i jetëgjatësisë, stili i jetesës etj, si për femrat, edhe për meshkujt.
Nuk po zgjatem mbi faktorët ndikues, pasi dihet se ata përcaktohen kryesisht nga ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit – kjo në fakt ka pro dhe kundër të vetat sot e trajtohet veçmas…-, nga dietat, mjekimet, kurat parandaluese, trajtimet e ndryshme sportive, estetike etj, nga avantazhe apo lehtësira në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, nga komoditetet etj.
Në Itali, në zhargon, kanë nxjerrë një term: “Vecchiovani”.
Ky përmbledh termat “Vecchio + Giovane” ( I vjetër + I ri) dhe u atribuohet pikërisht atyre personave, të cilët moshën adulte e përjetojnë sipas mënyrës së tyre, ashtu siç e ndiejnë, përtej datës së lindjes, anagrafike ose në kartë identiteti.
Italianët kanë edhe shprehjet popullore:
“Da dietro liceo, davanti museo”
( Të parë nga mbrapa duken si nxënës liceu, ndërsa përballë, si muze…)
Po shqip, a ka shprehje të kësaj tipologjie? Se shqiptarët zakonisht në të tilla raste, nuk i kursejnë batutat, nofkat etj.
Sidoqoftë, këto shënime i solla më tepër pasi gazetat e gjysmë Evrope u indinjuan me deklaratat e fundit të shkrimtarit e prezantuesit francez, Yann Moix, mbi refuzimin e tij që të frekuentonte femra moshatare të vetat, pra 50-vjeçare, duke iu dukur ato shumë të vjetra ose shprehje tekstuale e tij:
“50-vjeçaret për mua janë të padukshme!”
Italianët madje, ndërkohë që deri dje kishin një shprehje të njohur: “40 vjeç fillon jeta!”, tani, në proporcion edhe me perceptimet e moshës, ato të lartpërmendurat, e kanë shtuar shifrën në këtë shprehje, e kanë çuar në “60”.
E sot thonë: “60 vjeç fillon jeta!”
“Ngushëlluese” apo jo këto shprehje, duhet pohuar se nën shumë këndvështrime, sot janë me vend.
Pastaj, përjashtime ka për të pasur gjithnjë, dihet dhe për të analizuar këtë fenomen njerëzor, merren në konsideratë shumë parametra.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.