Psikofakt

January 14, 2019 | 8:05

Nga Adela Kolea: Je plot rrudha e njolla në fytyrë! Liria dhe imazhi…

Adela Kolea, gazetare e "Albania News"

Adela Kolea, gazetare e “Albania News”

Prezantuesja spanjolle që punon në Itali, Vanessa Incontrada, vihet në “kryq” për qukat e saj, që natyra i ka falur dhe për paraqitjen në version natyral, “ujë e sapun”.

Kjo në fakt është vetëm njëra prej shprehjeve mbushur plot ligësi – përveçse të qenit jashtë çdo norme mirësjelljeje – ndër shumë batuta të tjera, që populli i web-it i drejtoi prezantueses së njohur televizive në Itali, spanjolles Vanessa Incontrada, mbi një foto që ajo publikonte nga Maldivet.

Ajo atje gjendej për pushime, publikon e shkujdesur e spontane në Instagram një foto pa make up,  natyrale, me qukat që e karakterizojnë si tipare te flokëkuqet në përgjithësi.

1“Luanë” apo “luanesha tastiere”, pa asnjë skrupull, nisin ofendimet mbi aspektin e fytyrës së prezantueses, e cila ndër të tjera pak kohë më parë është vënë në shënjestër të ndjekësve virtualë edhe për peshën e bëshme të trupit të saj dhe për format e rrumbullakosura trupore, duke e fyer apo vënë në lojë.

Më erdhi në mend një episod që më tregoi një mikja ime, e cila jeton jashtë Shqipërie – nga aspekti fizik, ajo është objektivisht shumë e bukur e tërheqëse – që, kur kishte shkuar në Shqipëri për pushime, kishte marrë komplimente absurde e paradoksale të tipit:

“E bukur shumë qenke por, shumë natyrale ama…!”

Le të kthehemi te Vanessa.

Përtej faktit që një femër çfarëdo dhe jo domosdoshmërish personazh publik, duhet të ndihet e lirë që të shfaqet ashtu siç dëshiron dhe si e pëlqen ajo veten, edhe natyrshëm e pa make up, pa i qendruar strikte disa modeleve e cliché-ve të ngurta mbi aspektin fizik e estetikën, që shoqëria imponon pa mëshirë.

Pa qenë as viktimë silikoni apo botuline, pa i vendosur aspektit të vet femra, komplekse apo barriera që zakonisht, kirurgjia estetike i nxit me qëllim përfitimi. Në këtë mënyrë janë shtuar pasiguritë e femrave apo u është dëmtuar atyre ndjeshëm vetëvlerësimi. Janë kthyer në vartëse të kirurgjisë estetike jo vetëm femra në moshë të pjekur por, më e rënda, edhe vajza të reja, në moshën e zhvillimin e tyre më të bukur. Në mënyrë krejt të panevojshme.

Përtej këtyre vëzhgimeve pra, Vanessa është një 40 – vjeçare spanjolle, që ka vite që punon në televizionin italian. Ajo nuk është prezantuesja tipike e përzgjedhur ekskluzivisht për bukurinë si antonomazi e aspektin fizik ose më mirë, të jetë zgjedhur “vetëm prej fizikut e estetikës”. Ajo është përzgjedhur për aftësitë e spikatura komunikuese me publikun dhe elokuencën, për natyrshmërinë në komunikim, të pajisur me ironi e shaka të shëndetshme e jo vulgare, duke e përkufizuar atë si një “mike” apo “fqinjë” të mirë e të thjeshtë të të gjithëve.

annalisa-minettiNdaj, kjo shoqëri e sotme, po mbart, ndoshta pa qenë krejtësisht e vetëdijshme për këtë, ligësi të tilla të brendshme, të shprehura pa kursim e pa skrupuj mbi femrat. Pak ashtu edhe si një rast i ndodhur këto ditë në Itali me këngëtaren me aftësi të kufizuara – probleme në shikim – Annalisa Minetti, e cila ndante me publikun virtual, gëzimin e saj për lindjen e fëmijës së dytë dhe postonte një foto me vajzën e sapolindur në krahë, që sulmohet nga ‘haters’ me fraza: “Nuk duhej të bëheshe nënë. Ti je e verbër!”

Ose: “Të isha në vendin tënd, me vetëdijen që fëmijën tim nuk do të kisha mundur ta shihja kurrë, unë nuk do të bëja fëmijë…!”

Nevojitet një “injeksion i menjëhershëm social, dozash të njerëzishme mirësjelljeje e humanizmi”, një kurim social i përgjithshëm ndaj këtyre frustracioneve e ligësive të brendshme që shoqëria jonë po mbart e që po lëndojnë atë vetë dhe këdo tjetër, që me këtë shoqëri ka të bëjë apo thjesht, që është edhe vetë pjesëtar i saj, për të mos na u kthyer në efekt boomerang.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top