Përafërsisht rreth 50% e popullatës ka përjetuar ose do të përjetojë një ngjarje traumatike në një moment të jetës.
Ndërsa reagimet ndaj traumës mund të jenë të ndryshme, dhe jo të gjithë mund të zhvillojnë PTSD, trauma mund të ndryshojë trurin në mënyrë të paparashikueshme dhe është e nevojshme të bëhemi të vetëdijshëm për këto ndyshime, sidomos nëse jemi duke u përballuar me traumën.
Me rritjen e ndërgjegjësimit, ju mund të kërkoni trajtim, duke adresuar simptomat dhe duke mësuar aftësi të nevojshme për të shëruar trurin tuaj. Përveç kësaj, është jashtëzakonisht e dobishme që ju të kuptoni se çfarë është duke ndodhur dhe se ajo që po përjetoni nuk ka të bëjë me praninë e çrregullimeve apo dëmtimeve të pakthyeshme. Në vend të kësaj, ju do të kuptoni se truri juaj po funksionon ndryshe si rezultat i ngjarjes traumatike.
Dhe ashtu si truri ndryshoi në përgjigje të përvojave të kaluara, ai gjithashtu mund të ndryshojë në përgjigje të përvojave të ardhshme. Me pak fjalë, truri është “plastik“ dhe mund ta ndryshojmë atë.
3 Zonat e trurit të nevojshme për t’u njohur
Trauma mund të ndryshojë funksionimin e trurin në shumë mënyra, por tri nga ndryshimet më të rëndësishme duket se ndodhin në fushat e mëposhtme:
1.Korteksi prefrontal (PFC), i njohur ndryshe si “Qendra e të Menduarit”.
2.Korteksi anterior cingulat (ACC), i njohur edhe si “Qendra e Rregullimit Emocional” Amigdala, e njohur si “Qendra e Frikës”
Kortesi prefrontal, ose qendra e të menduarit, gjendet afërsisht në qendër të kokës, mbrapa ballit. Është përgjegjëse për aftësi të ndryshme, përfshirë kështu të menduarin racional, zgjidhjen e problemeve, personalitetin, planifikimin, empatinë dhe ndërgjegjësimin për veten dhe të tjerët. Kur kjo zonë e trurit është e zhvilluar normalisht, ne jemi në gjendje të mendojmë qartë, të marrim vendime dhe të jemi të vetëdijshëm për veten dhe të tjerët.
Zona ACC, ose qendra e rregullimit emocional, lokalizohet afër korteksit prefrontal, por gjendet më në thellësi të trurit. Kjo zonë është pjesërisht përgjegjëse për rregullimin e emocioneve dhe ka një marrëdhënie të ngushtë me qendrën e të menduarit. Kur kjo zonë është e zhvilluar, ne jemi në gjendje që të menaxhojmë mendimet dhe emocionet e vështira pa u tronditur dhe hutuar nga ato.
Së fundi, amigdala është një strukturë e thellë brenda trurit tonë dhe shërben si qendër frike. Kjo zonë subkortikale është jashtë vetëdijes sonë dhe puna e saj primare është të marrë gjithë informacionet, çfarë prekim, çfarë shohim, dëgjojmë, nuhasim apo shijojmë dhe t’i përgjigjet pyetjes “A është kjo një kërcënim?”. Kur zbulohet prania e një kërcënimi, amigdala prodhon frikë tek ne. Kur kjo zonë aktivizohet, ndihemi të frikësuar, jemi vigjilentë dhe gati për të reaguar.
Çfarë ndodh në tru pas një traume?
Një tru i traumatizuar duket ndryshe nga një tru i pa traumatizuar, pasi:
Qendra e të Menduarit është e nënaktivizuar
Qendra e Rregullimit emocional është e nënaktivizuar Qendra e Frikës është e mbiaktivizuar. Me fjalë të tjera, në një tru të traumatizuar, aktitiviteti i zonave më primitive, përfshirë edhe qendrën e frikës, është më i lartë, kurse aktiviteti i zonave më të larta të trurit është i nënaktivizuar.
Pra, nëse keni pësuar një traumë, do të ndiheni që po përjetoni stres kronik, vigjilencë, frikë dhe acarim. Ju do e keni të vështirë që të ndiheni të sigurt, të qetë apo të bëni një gjumë të mirë.
Këto simptoma janë si rezultat i një amygdale hiperaktive.
Në të njëjtën kohë, individët që janë të traumatizuar mund të vërejnë vështirësi në përqendrim dhe vëmendje dhe shpesh raportojnë se nuk mund të mendojnë qartë. Kjo, për shkak se qëndra e të menduarit është nënaktivizuar.Gjithashtu, për shkak të nënaktivizimit të qendrës së rregullimit emocional, të mbijetuarit e traumave, kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve, dhenien e një përgjigje të duhur emocionale, si dhe qetësimin e tyre.
Çfarë mund të bëni?
Ndryshimi i trurit kërkon përpjekje, punë dhe kohë. Dhurata më e mirë që mund t’i jepni vetes drejt përmbushjes së këtij qëllimi është psikoterapia. Nëse jeni gati për të filluar këtë udhëtim, kërkoni një psikolog që është i specializuar në trajtimin e traumave dhe PTSD, si dhe që përdor metoda të provuara empirikisht që ndryshojnë trurin, duke punuar me trupin dhe mendjen.
Gjithashtu, merrni në konsideratë edhe përdorimin e teknikave mindfulness, të nevojshme për çaktivizimin e qendrës së frikës. Më pas mund të punohet me forcimin e qendres së të të menduarit dhe rregullimit emocional. Rekomandohet praktikimi i këtyre teknikave për periudha të shkurtra kohore, shumë herë në ditë.
Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr
Cel: 0697482338
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.