Këshilla & Arsye

April 18, 2017 | 10:05

Nga Adelina Pjetra / Çrregullimi i ankthit te fëmijët

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Fëmijët që vuajnë nga çrregullime të ankthit, mund të kenë manifestime të ndryshme simptomatologjike: mendime obsesive, zbatim të sjelljeve dhe ritualeve kompulsive, mutizëm selektiv, ankohen për simptoma fizike në mungesë të një çrregullimi të vërtetë fizik, sulme paniku, ndrojë të tepruar, fobi sociale. Ata gjithashtu kanë një tendencë për të fshehur simptomat e tyre dhe të përjetojnë  nganjëherë edhe turp. Ata kanë frikë të duken “të çuditshëm” apo edhe më keq, duke u etiketuar “të çmendur”.

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Në këtë shkrim unë do të përpiqem të theksoj disa gjëra që ju mund të bëni, ose të ndryshoni për të siguruar, që manifestimet ankthioze të fëmijës suaj në njëfarë mënyre të zvogëlohen. Së pari, unë dua të sugjeroj që të jeni të kujdesshëm dhe të ndërprisni sa më shpejt “pa rehatinë/të ndjerit jo rehat” të fëmijës tuaj kur është në një situatë ankthioze aktive.

ankthi Shumë shpesh, padashur dhe me pak vetëdije, është e mundur që ju të keni ndezur disi simptomatologjinë e saj (për arsye të ndryshme: lodhje, mungesa e njohurive, zakoni, shmangia) duke paguar çmimin e një atmosfere familjare të përkeqësuar dhe veçanërisht duke ngadalësuar statusin e vuajtjes së fëmijës. Është shumë e rëndësishme të fillosh nga pranimi, duke pasur parasysh një fakt: fëmijët nuk zgjedhin të kenë ankth ashtu si nuk zgjedhim të kemi grip; çrregullimet e ankthit kanë bazë gjenetike dhe neurobiologjike. Përpiquni të shmangni fjalët dhe qëndrimet fajësuese dhe fokusohuni në inkurajimin, duke i rezervuar fëmijës një vëmendje pozitive në një mënyrë që do jua ilustroj më poshtë.

Në rastin kur ankthi i fëmijës është manifestuar përmes një çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD) është e rëndësishme që ju të reflektoni mbi vlerat dhe rregullat e familjes tuaj, që mund të kenë shtyrë në ekstrem pikërisht nga ky çrregullim. Duke pasur një sistem të besimeve dhe bindjeve, që i kushton shumë vëmendje të kujdesshme pastërtisë, ose shkollës dhe/ose rezultateve sportive për shembull, mundet në njëfarë mënyre të përkeqësojnë sjelljet e çrregullimit.

Duhet gjithmonë t’i lash duart para se të hash
Nuk duhet të ulesh kurrë në uturakun e një banjoje publike
Duhet t’i lash gjithmonë duart pasi ke qenë në banjë
Duhet të vishesh gjithmonë bukur
Dhoma jote duhet të jetë gjithmonë e pastër dhe e organizuar
Është e nevojshme të kërkosh perfeksionin
Duhet të jesh gjithmonë e fortë
Opinioni i të tjerëve është shumë i rëndësishëm
Duhet të jesh gjithmonë e sjellshme
Nuk duhet të bësh gabime
Nuk duhet të zhgënjesh kurrë të tjerët
Nuk duhet të çosh dëm, të shpërdorosh asgjë
Duhet të marrësh gjithmonë notat maksimale në shkollë
Duhet të jesh më i miri i klasës
Nuk duhet t’i zhgënjesh kurrë mësuesit

Nëse disa nga këto rregulla janë shumë të pranishme në familjen tuaj, unë ju sugjeroj që t’i rishikoni ato në një aspekt me fleksibilitet më të madh, për shembull, duke hequr fjalët gjithmonë, kurrë dhe duhet.

Mundohuni të kuptoni se cilat janë besimet që i përkasin sistemit tuaj të vlerave dhe që mund të shfrytëzohen nga ankthi (OCD në veçanti).

1Është e rëndësishme që t’i rezervoni vëmendje pozitive fëmijëve tuaj. Ju mund të ndryshoni frekuencën e shfaqjes së sjelljeve duke i dhënë rëndësi përmes “një çmimi” për ato sjellje që të pëlqejnë dhe që dëshiron të përsëriten dhe duke ia hequr këtë çmim atyre që nuk do dëshiroje të përsëriteshin më.

Në praktikë, fëmija juaj ka mësuar të bëjë një sjellje të tillë që të tërheqë sa më shpejt të mundet vëmendjen tuaj dhe zakonisht vëmendja tërhiqet më shpejt kur bëhen sjellje të pa përshtatshme. Për sa i përket këtyre “çmimeve” që mund t’i jepni fëmijës, ato  mund të jenë të prekshme (teoria e të mësuarit na tregon se sjellja është përcaktuar kryesisht nga pasojat që prodhohen tek individi), ose ato mund të jenë privilegje (të bërit e një aktiviteti të  kënaqshëm kreativ, të kenë një kohë të veçantë, të bërit e një sporti së bashku, leximi, të dizenjojë, të mbledhë disa xhetona (ose pikë) që atëherë fëmija mund t’i llogarisë për të fituar një çmim të madh); dhe në fund lëvdimi dhe inkurajimi (përqafime, verbalizim pozitiv, reagime afektive).

Të gjitha këto përforcime pozitive mund të ndërtojnë një motivim të mirë për fëmijën për të përballuar frikën dhe ankthin e tij.

Për të ulur nivelin e stresit te fëmijët me probleme të ankthit mund të merrni në konsideratë të përmirësoni këto aspekte që shërbejnë për ta qetësuar fëmijën:

Cilësia e gjumit: është e rëndësishme që fëmija të lidhë mendimin e krevatit me gjumin dhe të qenit i qetë, në qoftë se ka probleme që të flejë, mos e vendosni atë në shtrat derisa t’i vijë për të  fjetur. Në shtratin e tij ai nuk duhet të bëjë asgjë tjetër vetëm për të fjetur, kështu që jo detyra shtëpie, lexim, TV apo biseda në telefon.

Aktivitet fizik: zgjidhni për fëmijën një aktivitet që i bën të ndjehen mirë (vrapimi, noti, karate, futbolli etj,) dhe sigurohuni që ta praktikojë rregullisht. Kjo do ta ndihmojë në lehtësimin e tensionit.

Planifikim të aktiviteteve: ndihmojeni fëmijën për të organizuar aktivitetet dhe detyrimet shkollore, duke i planifikuar gjërat në një mënyrë që të jetë e qartë se cilat janë gjërat për t’u bërë. Mundohuni të shmangni ndryshimet drastike dhe jo të programuar me fëmijën.

Ushqim të shëndetshëm: siguroni tre vakte në ditë dhe dy snacks. Sigurohuni që në dietën e tyre të ketë edhe shumë antioksidantë që janë te frutat dhe perimet.

Shprehja e emocioneve dhe ndjenjave në mënyrën e duhur: është e rëndësishme që fëmija të ketë të rriturit referencë me të cilët të shprehë gjendjen e tij shpirtërore, të flasin lirshëm për mënyrën sesi ai mendon dhe atë që ai mendon. Mund t’i sugjeroni që të mbajë një ditar të mendimeve dhe të emocioneve të tij, ku mund të shkruajë ose të vizatojë çfarë i ndodh.

Stimuloni mendimet pozitive: nëse fëmija mbetet i mbërthyer në mendime negative, do të mbetet i trishtuar apo i shqetësuar. Ndihmojeni atë për të identifikuar se çfarë ia ka shkaktuar atë emocion. Fëmijët shpesh kanë tendencë për të përgjithësuar, mendojnë se çdo gjë shkon keq dhe nuk është në rregull, mbeten të bllokuar vetëm në gjërat negative. Ndihmojeni atë për të kuptuar se gjërat në thelb janë gjithmonë shumë specifike dhe që në realitet janë vetëm situata të përkohshme. Edhe këtu, gjithashtu mund të jetë e dobishme që të kenë një ditar të gjërave pozitive në të cilin të shkruajnë të paktën tri gjëra pozitive çdo ditë.

Kujtojini fëmijëve që janë sjelljet që janë të gabuara dhe jo ai/ajo si person.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top