“Ka një kohë për të lindur
dhe një kohë për të vdekur…
Ka një kohë për t’u përqafuar
dhe një kohë për të thënë lamtumirë”
Qohelet 3, 2.5
Nuk është e lehtë të flasësh për dhimbjen e humbjes së një personi të dashur, gjithashtu në kushtet dhe kulturën tonë nuk është aspak e lehtë të përballosh një ceremoni zie në familje. Nisur nga eksperienca ime e punës, por edhe nga rastet të cilat më referohen, vihet re një shtypje e dhimbjes personale në raste të tilla, si rrjedhojë e opinionit shoqëror dhe më gjerë.
Kur në një familje shqiptare ndodh një vdekje, përveç dhimbjes, trishtimit , çorientimit që ajo shkakton, një detaj tjetër që e shton këtë dhimbje dhe që nuk ndihmon aspak në lehtësimin e saj është organizimi i ceremonisë mortore, i cili shihet nga shumë persona si një detaj tejet i rëndësishëm, tregues ose jo i dhimbjes që përjeton familja. Në shumë raste, opinioni shoqëror të vret edhe më shumë se vetë humbja që ke pësuar.
“Para 6 vitesh unë humba babin. Në atë kohë isha vetëm 15 vjeçe. Ishte një vdekje e dhimbshme për ne, e cila është shumë e vështirë të flasësh apo përshkruash. Nga mënyra si erdhi vdekja e tij, ne ishim të papërgatitur si familje, d.m.th as mundësitë financiare nuk i kishim, dhe vetë emocionalisht, ishim të shokuar. Por dhimbja mbetet dhimbje dhe çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme. Sa për organizimin e funeralit ishte gjithçka e përgatitur me borxhe, duke filluar që nga arkivoli. Ne kemi qenë një familje me vështirësi ekonomike, sepse dhe babi s’kishte ndonjë punë të qëndrueshme që të kishim mundësinë për diçka mënjanë. Nejse, unë s’e dija se njerëzit që vijnë aty janë për të bërë vërejtjet dhe jo për të mbështetur. Çdo njeri shikonte sesi qanim, aq sa kishin thënë për mua se, pse rrija në ndonjë moment pa lot në sy, dhimbja duhet të kalohet që ta kuptosh si është, dhe humbja e personit të dashur për mua. A mund të ishte moskokëçarje sipas tyre? S’ke çfarë bën, ky është mentaliteti i shqiptarit. Kështu jemi mësuar, duke gjykuar tjetrin edhe në momentin më të dhimbshëm. Të gjitha kanë ardhur si llafe më vonë, pse s’kishin lekë për shpenzimet etj, etj,. Unë po i vuaja shumë fjalët që dëgjoja, ishin sikur të vrisnin kur akuzoheshe se mos nuk kishe mjaftueshëm dhimbje dhe kjo s’u tha vetëm për mua, por për gjithë familjen time. Ne ia dolëm gjithsesi, edhe pse nuk patëm mbështetjen e askujt…”.
Humbje të tilla në familje janë shumë pak ose mund të them aspak të trajtuara nga profesionistët e shëndetit mendor, kjo për arsyen e vetme se, individët nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur dhe nuk e kuptojnë që shumë ndryshime që pasojnë funksionimin e tyre në jetë pas një rasti zie, ndodhin pikërisht nga kjo dhimbje e pa shprehur, nga kjo vuajtje e papërpunuar dhe emocione të shtypura në vetvete. Ky artikull do t’i shërbejë lexuesve të kuptojnë më mirë çfarë është ZIA, HUMBJA DHE PROCESI I ZISË, në mënyrë që të identifikojnë te vetja apo një person i afërt, simptoma apo sjellje që e kanë penguar të progresojë në jetë, duke e mbajtur peng të një të kaluare të dhimbshme.
Procesi i zisë i referohet specifikisht procesit të shërimit nga vdekja e një personi të dashur. Zia është një reagim ndaj çdo lloj forme humbjeje. Të dyja përfshijnë një shumëllojshmëri ndjenjash, nga trishtimi i thellë deri në zemërim. Procesi i përshtatjes me një humbje të rëndësishme, mund të ndryshojë nga njëri person në tjetrin në varësi të njohurive, besimit, marrëdhënies me atë që ka humbur dhe shumë faktorë të tjerë.
Zia, nga latinishtja luctus, lucere (të qash). Në lidhje me dimensionin socio-kulturor, zia përfshin veprime sociale dhe rituale me kuptim të dukshëm, të cilat manifestojnë dhe përfaqësojnë dhimbjen dhe humbjen.
Hidhërimi, nga latinishtja cordolium, cor-dolere (të provosh dhimbje në zemër). Është reagimi fizik, emotiv dhe sjellor ndaj një humbjeje me rëndësi afektive.
Mbajtja e zisë, Mendimet dhe Sjelljet
Zia shoqërohet me ndjenja të trishtimit, mohimit, fajit, pendimit dhe zemërimit, përveç shumë të tjerave. Disa individë mund të përjetojnë një ndjesi të pakuptimtë dhe të tjerë të mund të ndjejnë një ndjesi të çlirimit (ndihet i lehtësuar). Emocionet shpesh janë surprizuese në forcën dhe shumëllojshmërinë që kanë, dhe shpesh mund të jenë edhe në formë konfuzioni , si për shembull: kur një personi i mungon një lidhje e dhimbshme. Mendimet gjatë zisë mund të variojnë nga “s’mund të bëj asgjë për këtë” deri tek “është faji im, mund të kisha bërë më shumë” ose nga “ajo kishte një jetë të mirë” deri tek “nuk ishte koha e saj”. Këto mendime mund të jenë të turbullta ose mbytëse, dhe personat në “zi”mund të kalojnë nga një mendim në tjetrin teksa mundohen t’i japin një kuptim humbjes së tyre. Sjelljet e “zisë” kalojnë nga e qara në të qeshur, nga ndarja e dhimbjes me të tjerët në bërjen e disa punëve në heshtje si pastrimi i shtëpisë, shkrimi i një ditari, artikulli apo ushtrime fizike. Disa persona gjejnë mbështetje në shoqërinë e të tjerëve, veçanërisht me ata që mund të kenë pasur një humbje të ngjashme me të tyren, ndërsa disa të tjerë preferojnë të jenë vetëm me ndjenjat e tyre. Ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e ndryshme që njerëzit shprehin gjatë zisë, mund të karakterizohen në dy stile të mëdha: instrumentale dhe intuitive. Shumica e njerëzve shfaqin një miksim të këtyre dy stileve.
- Zia instrumentale përfshin fokusimin në fillim te detyrat e zgjidhjes së problemeve, ndërkohë që ato kontrollojnë ose minimizojnë shprehjen e emocioneve.
- Zia intuitive bazohet në një përvojë të lartë emocionale që drejton ndarjen e ndjenjave me të tjerët, eksplorimin e marrëdhënies së humbur, konsideron vdekshmërinë dhe identifikon kuptimin në jetë.
Nuk ka një mënyrë të drejtë apo të gabuar se si e përjeton zinë, megjithatë disa mendime apo sjellje pas humbjes së një personi të dashur mund të jenë më ndihmuese apo më të sigurta sesa disa të tjera. Një nga shumë vështirësitë që shoqërohet me mbajtjen e zisë për njeriun e dashur, vdekjen ose prishjen e një marrëdhënieje dashurie, është përshtatja me realitetin e ri, të jetuarit në mungesë të këtij personi të dashur. Kjo shpesh kërkon zhvillimin e një rutine të re, të programosh një të ardhme të re, madje edhe të adoptohesh me një kuptim të ri identiteti.
Çfarë është një zi e komplikuar?
Përvoja e një zie nuk është diçka që një person mund të rimarrë veten plotësisht, por koha zakonisht lehtëson intensitetin e saj. Kur flasim për një zi të komplikuar, i referohemi një forme ngulmuese të mbajtjes së zisë, e cila dominon jetën e një personi, duke ndërhyrë në funksionimin e përditshmërisë për një periudhë të gjatë kohe. Simptomat e një zie të komplikuar janë afërsisht të ngjashme me atë të një zie akute, dhe përsëri, kohëzgjatja që i merr një personi mbajtja e zisë është shumë e varur nga konteksti. Por kur simptomat janë në vazhdimësi të pafundme dhe të papërmirësuara, që zgjasin së paku 1 vit ose më shumë, duke ndërhyrë në aftësinë e një personi për t’u rikthyer në aktivitetet e zakonshme, mund të kemi një implikim të zisë së komplikuar.
Simptomat e tejzgjatura mund të përfshijnë:
- Trishtim intensiv
- Preokupim me të vdekurin ose me rrethanat që rrethojnë vdekjen
- Mbajtja zi ose vajtimi
- Ndjenja boshe ose pa kuptim
- Vështirësi për t’u përfshirë në kujtime të gëzuara
- Shmangie të personave që i kujtojnë personin që ka vdekur
- Mungesë dëshire për të ndjekur interesat apo dëshirat personale
- Hidhërim ose zemërim
Të njohim një zi të komplikuar:
- Personi nuk mund të flasë për të ndjerin pa përjetuar një hidhërim “të lehtë”edhe kur humbja ka ndodhur shumë vite më parë
- Disa ngjarje të vogla stimulojnë reagime intensive pikëllimi
- Shpesh ripropozohen tema për humbjen
- Personi ka vështirësi të ndahet nga objektet që i përkasin të vdekurit, anasjelltas hedh gjithçka menjëherë pas ngjarjes së zisë
- Personi ka zhvilluar simptoma të ngjashme me ato të të ndjerit, ose këto simptoma mund të shfaqen në periudha të caktuara të vitit ose me arritjen e moshës së personit në momentin e vdekjes
- Ndryshime radikale në stilin e jetës apo shmangies me miqtë, familjen dhe/ose aktivitetet e lidhura me të vdekurin.
- Një pacient i cili paraqet një depresioni sub-klinik apo në të kundërtën që manifeston një gjendje euforike pas zisë
- Një kompulsion për të imituar personin e vdekur shpreh nevojën për të kompensuar humbjen duke u identifikuar me të vdekurin
- Trishtimi pa asnjë shpjegim të dukshëm që shfaqet në një periudhë të caktuar të çdo viti.
- Një fobi për një sëmundje të caktuar ose për vdekjen është shpesh e lidhur me sëmundjen specifike që kishte pësuar i ndjeri.
“Është rraskapitëse të duash një person që nuk është më,
të veshësh çdo ditë mungesën e tij, si një fustan,
dhe ta ndjesh në përqafimet ku nuk mundesh më të arratisesh,
në atë zë që nuk të thërret më apo në shikimin
në të cilin kujtimi të rrëqeth akoma…”
Psikologu J. W. Worden ka krijuar një model të bazuar në stade për përballimin e vdekjes së një personi të dashur. Ky model quhet: Katër detyrat e Zisë.
- Të pranosh realitetin e humbjes
- Të punosh përmes dhimbjes së zisë
- Të përshtatesh në jetë pa praninë e të vdekurit
- Të mbash lidhjen me të vdekurin, ndërkohë që ecën përpara në jetë
Si një alternativë për modelin linear të bazuar në faza, Margaret Stroebe dhe Hank Schut zhvilluan një model të dyfishtë për procesin e zisë. Ata identifikuan dy detyra që lidhen me mbajtjen e zisë:
- Aktivitetet e orientuara nga humbja dhe stresorët janë ato që lidhen direkt me vdekjen. Këto përfshijnë të qarën, vajtimi, përjetimi i trishtimit, mohimi, apo zemërimi, e folura pa fund mbi rrethanat e vdekjes, dhe shmangia e aktiviteteve të rimëkëmbjes.
- Aktivitetet e orientuara drejt rimëkëmbjes dhe stresorët janë të lidhura me humbjet dytësore në lidhje me mënyrën e jetesës, rutina dhe marrëdhëniet. Këto përfshijnë përshtatjen në një rol të ri, menaxhimin e ndryshimeve, zhvillimi i mënyrave të reja për t’u lidhur me familjen dhe miqtë, si dhe kultivimin e një mënyrë të re të jetës.
Terapia për zinë
Terapia është një mënyrë efektive për të mësuar si të përballojmë stresorët që lidhen me humbjen dhe të menaxhojmë simptomat me teknika të tilla si: relaksimi ose meditimi. Çdo përvojë e zisë është unike, komplekse dhe personale. Një terapist duhet të ofrojë trajtim, duke marrë në konsideratë nevojat specifike të secilit individ. Për shembull, një Terapist/Psikolog mund të ndihmojë personin në zi të gjejë mënyra të shëndetshme për të mbajtur lidhje me të vdekurin nëpërmjet kujtimeve, reflektimit, ritualeve apo dialogut për të vdekurin dhe me të vdekurin. Përveç terapisë individuale, terapia e grupit mund të jetë e dobishme për ata që gjejnë ngushëllim në ndarjen reciproke të mendimeve dhe ndjenjave, dhe rezultatet e shërimit janë shpesh më të shpejta në këtë mjedis. Në mënyrë të ngjashme, terapia familja mund të jetë e përshtatshme për një familje anëtarët e së cilës janë duke luftuar për t’u përshtatur me humbjen e një anëtari të familjes. Zgjidhja e zisë sjell zhvillimin e një lidhjeje ndryshe me personin që ka vdekur, jo fundin e lidhjes, gjetja e një mënyre për të mbajtur lidhjen duke e ditur që personi nuk është më fizikisht i disponueshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.