Kam djalin 2 vjeç e 4 muaj është shumë i shkathët, i zgjuar, i shoqërueshëm me fëmijë, por në disa raste, kur nuk i plotësohet e tija fillon të kafshojë apo dhe godet. Më thonë që kjo nuk është sjellje normale. Ju lutem, mund të më jepni një shpjegim si mund të sillem në këto raste. Theksoj, nuk e bën gjithmonë, vetëm në rastet kur do diçka e nuk i plotësohet ose do diçka të tijën.
Përgjigje:
Shumë fëmijë kalojnë në “fazën e kafshimit” Mund të kafshojnë mamin, babin ose fëmijë të tjerë. Fakti që fëmijët kafshojnë, si një mënyrë për të shprehur ndjenjat e tyre të zemërimit, nuk i bën fëmijë të këqij apo fëmijë të prindërve që nuk dinë të prindërojnë mirë, por është një fazë në të cilën fëmijët në mënyrë të pavetëdijshme shprehin ndjenjat e tyre në këtë mënyrë. Në këndvështrimin tim personal, fëmijët nuk është se vendosin të kafshojnë. Ato janë shumë të dashur dhe nuk dëshirojnë të lëndojnë njeri. Një fëmijë i kësaj moshe kafshon, sepse një valë e madhe tensioni papritur rrjedh në trurin e tij. Ai nuk e planifikon këtë dhe nuk di si ta ndalojë. Kafshimi i fëmijëve në këtë moshë është si një teshtimë apo një e ftohur – ku trupi i të cilit vepron për arsye të brendshme që nuk janë nën kontrollin e tij. Një nga arsyet kryesore se përse fëmijët kafshojnë, është të ndjerit i frikësuar ose të frustruar . Kur nuk kanë përmbushur dëshirat e tyre, s’kanë pasur një kohë relaksi me prindërit dhe përjetojnë stres. Ata nuk arrijnë dot ta shprehin frustrimin dhe frikën në mënyrë natyrale nëpërmjet të qarës apo shpërthimit të inatit. Fëmijëve, kjo situatë nuk u duket shumë e favorshme për të shprehur shumëllojshmëri ndjenjash të menjëhershme. Por megjithatë, ndjenjat shpërthejnë dhe bëhen të patolerueshme, duke u shfaqur nëpërmjet kafshimit.
Duke thënë këtë, nuk nënkuptoj që të kafshosh dikë tjetër është një situatë normale, e cila duhet toleruar për fëmijët e kësaj grupmoshe, por duhet të kuptoni përse ndodh kjo dhe të bëjnë ndërhyrjen e duhur.
Kurrë mos e kafshoni dhe ju fëmijën!
Disa prindër mendojnë se kjo taktikë i mëson fëmijës se kafshimi të dhemb. Por çfarë realisht i mëson, është një mënyrë e gabuar e të përballurit me agresitivitetin, duke u bërë edhe ju agresiv. Madje edhe “dashuria kafshon”, kur disa prindër i kafshojnë fëmijët në dashuri e sipër ,duke kontribuar kështu që fëmijët të mësojnë se e kafshuara është një shprehje dashurie, prandaj kurrë mos i kafshoni fëmijët edhe kur kjo është për lojë apo e kënaqshme.
Çfarë duhet të bëjmë kur fëmijët 0-5 vjeç kafshojnë?
Sigurohuni që fëmijët të jenë të sigurtë. Fillimisht, ndani fëmijët nga njëri-tjetri dhe sigurohuni që të kenë njëfarë distance që nuk ju mundëson kafshimin.
Qëndroni e qetë, vendosni kufij dhe mos fajësoni apo dënoni. Të jeni më e qartë në një gjuhë direkte, thuajini fëmijës tuaj që e kafshuara të dhëmb dhe atij nuk i lejohet ta bëjë këtë.
“Oh.. të lutem mos më kafsho, mua më dhemb shumë” , ose “ Më vjen keq që je kaq i mërzitur, më trego çfarë të mërziti, unë jam këtu, po të dëgjoj!”
Dënimi apo fajësimi i fëmijës për sjelljen e tij, mund të bëjë që atë sjellje ta përforcojë dhe më tepër në të ardhmen. Flisni me fëmijën rreth kafshimit, por mos predikoni, mund të luani edhe lojëra. P.sh: pyesni fëmijën tuaj cilat ushqime preferon të kafshojë, ose objekte të përditshme (banane, kek, mollë etj,) dhe pyeteni n.q.s është në rregull t’i kafshojmë . Më pas mund të fusni në lojë objekte të tjera që ju e dini mirë që nuk mund të kafshohen (makinë, këpucë, lavatriçe) përsëri pyeteni a mund të kafshojmë ato… Në këtë mënyrë fëmija kupton cilat gjëra janë për t’u kafshuar dhe cilat jo.
Ndihmoni të dy fëmijët. Të dy fëmijët, si ai që është kafshuar si agresori kanë nevojë për ndihmën tuaj . Fillimisht do ju duhet të kontrolloni mos ka dëmtime që kërkojnë përdorimin e medikamenteve, duke e shoqëruar me përkujdesje dhe dashuri. Por, mos neglizhoni fëmijën i cili ka bërë kafshimin. Ai/ajo mund të sillet sikur nuk ka interes apo sikur nuk ka dijeni sa dhimbje mund të ketë shkaktuar. Askush nuk mund të duket më jopasiv sesa një fëmijë që sapo ka dëmtuar dikë. Por shanset janë, ai e di çfarë ka bërë.
Të tregohesh i ngrohtë dhe përkujdesës me të, gjithashtu e ndihmon fëmijën agresiv të ndihet mjaftueshëm komfort për të shprehur emocionet e veta, si për kafshimin ashtu edhe për çfarëdo që ishte frustruese ose mbingarkuese për të që në fillim.
Inkurajoni fëmijët e kësaj moshe të vijnë pranë jush kur ndihen të mërzitur. Ju mund të mos keni mundësi të jeni pranë fëmijës kur ai po kalon një moment të vështirë, por ai mund të mësojë që mund të kërkojë ndihmë tek ju ose edhe një tjetër t’i rritur pranë tij në atë moment (edukatores). Sugjeroni që fëmija mund të vijë tek ju kur po kalon një moment të vështirë dhe përpiquni t’i jepni vëmendje të plotë kur ai e bën këtë.
Flisni mbi atë se çfarë ka ndodhur. Në momentin kur ju dhe fëmija jeni qetësuar, zgjidhni një moment të qetë për të pyetur: “Si mund t’ia bësh të ditur dikujt që je e zemëruar, por pa e lënduar atë?” dhe “Si mund t’i kërkosh një të rrituri ndihmë kur nuk të pëlqen sesi të trajtojnë fëmijët e tjerë?”
Hapi i parë për të ndihmuar fëmijën tuaj të ndalojë së kafshuari, është forcimi i aftësisë së tij për të ndjerë vëmendjen dhe dashurinë tënde. Kjo realizohet nëpërmjet “Kohës Speciale”, kohë e cila ju duhet t’ia kushtoni çdo ditë 30-60 min vetëm fëmijës tuaj, tregojini atij sa do zgjasë kjo kohë dhe afrohuni pranë tij. Ofroi ngrohtësi, kontakt me sy dhe entuziazëm dhe luani së bashku me mënyrën që fëmija juaj dëshiron të luajë.
Hapi i dytë është, të qëndrosh për të dëgjuar. Fëmijët që fillojnë të kafshojnë, po sinjalizojnë që ata kanë ndjenja të mëdha që kanë nevojë të dëgjohen. Këto ndjenja dalin në sipërfaqe nga pretekste të vogla siç është nuk dua të vishem ose e dua atë. Fëmija do dhe ka nevojë për dikë që t’i dëgjojë me dashuri në kohën që shpreh ndjenjat nëpërmjet të qarës apo shpërthimit të zemërimit.
FËMIJËT QË KAFSHOJNË JANË FËMIJË TË MIRË, QË KANË NEVOJË PËR TË QARË NË KRAHËT E NJË TË RRITURI QË KUJDESET PËR TO.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.