Dita e Shën Valentinit ka të bëjë me shenjtërimin e dashurisë. Por çfarë ndodh kur kjo dashuri dhe ky pasion të marrë një kthesë për më të keqen?
Më 14 Shkurt ne festojmë dashurinë, ndërkohë që shumica prej nesh bëjnë përgatitje për një darkë romantike dhe një natë të nxehtë. Sapo hyn muaji shkurt ne jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj zemrave, luleve dhe kartave të urimit. Të dashuruarit që kërkojnë dhuratën më të mirë dhe të vetmuarit që fshehin fytyrat e tyre për të ikur nga kjo panoramë shumëngjyrëshe.
Ndoshta më e keqja nga të gjitha këto janë ato emisione televizive që urojnë të shijojmë natën tonë të mrekullueshme romantike, ndërkohë që na tregojnë çmimet e një darke në restorantin më të fundit romantik që është në modë. Dhe çfarë të themi për aplikacionet tona si Facebook, Snapchat dhe Instagram që na inkurajojnë të përdorim emojet e tyre të vogla dhe të urojmë shpirtin tonë binjak për një ditë më të mirë të ShënValentinit.
Dita e Shën Valentinit ka të bëjë me dashurinë dhe pasionin. Por për vitet e fundit, kjo ditë më së shumti ka rimuar me trishtimin dhe vetminë. Askush nuk flet në të vërtetë për ata që janë vetëm. Janë vetëm edhe pse me një partner në krah. Ndihen vetëm dhe bosh, me shikimin larg, a thua se presin një fije dritë dhe shpresë. Zemërthyer ose më mirë vetëm se të shoqëruar keq, ata janë të ekspozuar vazhdimisht për atë që shpesh e quajnë një ditë komerciale.
Fakti është se askujt nuk i pëlqen të ndihet i vetëm dhe madje edhe më pak kur të gjithë po festojnë “Ditën e dashurisë”. Dita e Shën Valentinit është lloji i ditës që nuk duam të dalim nga shtrati vetëm që të mos dëgjojmë miqtë tanë të na pyesin se cilat janë planet tona për 14 shkurt. Dita e ShënValentinit ka të bëjë me shenjtërimin e dashurisë. Por çfarë ndodh kur kjo dashuri dhe ky pasion të marrë një kthesë për më të keqen?
Ne e kemi dëgjuar të gjithë termin “krimet e pasionit”. Gruaja shqiptare tashmë prej vitesh e ka veshur fustanin e saj të kuq, jo atë të dashurisë, por të gjakut. E dhunuar, e gjykuar, e lënduar, e nëpërkëmbur, e lënë mënjanë,… e vrarë. Po, po, e VRARË në kuptimin e parë të fjalës. Meshkujt shqiptarë veshin maskën e shenjtit të dashuruar, por si duket nuk u rri aspak për shtat, vështirë të kthehesh nga një djall në një shenjt brenda një dite. Dhe urimi i tyre duket aq i vakët dhe i plogësht, sa nuk e ngop një shpirt të trazuar.
E në fund të fundit: – Për të uruar çfarë? Dashurinë e munguar gjatë të gjithë vitit, apo gjithë jetës! Ekziston një sindromë e quajtur “Sindroma e Zemrës së thyer” ose Kardiomiopatia Takotsubo. Po me të vërtetë, ekziston. Ky është një kusht i përkohshëm që mund të shkaktojë dhimbje gjoksi që mund të imitojë një sulm në zemër. Si një grua e kësaj shoqërie krejtësisht kundër një festimi që i bën disa njerëz të ndihen shumë më keq sa mund të bien edhe në depresion, do të tundohem të bëj një shaka: mungesa e dashurisë mund ta thyejë zemrën… dhe kjo është e vërtetë fjalë për fjalë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.