Në fokus

August 16, 2017 | 9:00

Nga Adelina Pjetra: Si të bindësh një fëmijë trevjeçar të sillet mirë dhe të dëgjojë

Muajt e fundit, letrat dhe pyetjet që më janë drejtuar më së shumti nga nënat kanë të bëjnë me sjelljet e papërshtatshme, mungesë ndërveprimi dhe mos bindje nga fëmijët e tyre 3 -4 vjeçarë. Nëpërmjet këtij shkrimi do të mundohem të jap një përgjigje përmbledhëse të shqetësimeve që më janë paraqitur, duke shpresuar që do ju vijë sadopak në ndihmë.

“Të bindësh fëmijën 3 vjeçar të sillet mirë dhe të dëgjojë, mund të jetë një sfidë e vërtetë. Sekreti është te qëndrueshmëria dhe tek të mësuarit se si të zgjidhni betejat tuaja. Të sillesh me autoritet, pa u bërë autoritare, nuk është diçka e lehtë për t’u realizuar, sidomos në nxehtësinë e momentit”.

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Por disa nga këto teknika mund t’ju ndihmojnë:

Zgjidhni betejat

Të përballesh me çdo sjellje jo të mirë të fëmijës tuaj gjatë gjithë ditës do ishte një luftë më vete. Në vend të kësaj mund të listoni disa nga sjelljet më problematike që vërtet ju shqetësojnë, të cilat mund të jenë të rrezikshme (dëmtuese për veten dhe të tjerët), të pahijshme ose të bezdisshme. Ndërsa për ato që ju i konsideroni të ndaluara si p.sh: të dalë nga shtëpia i pa shoqëruar nga një i rritur, të kalojë rrugën vetëm etj, duhet të vendosni rregulla specifike dhe të sqaroni pasojat logjike që i ndjekin këto veprime.

Ta godasësh mbrapsht kur godet ose ta kafshosh edhe ti kur ai kafshon, nuk është një pasojë logjike për një fëmijë që i bën këto veprime, sepse kjo thjesht i mëson që individi më i rritur mund t’i bëjë këto veprime. Ndërkohë një shpjegim pse nuk është mirë të godasë apo të kafshojë dhe një “time-out”= stop,  në një vend të caktuar ka më kuptim. Gjithmonë qëndroni korrekt në disiplinat që vendosni. Mungesa e qëndrueshmërisë i konfuzon fëmijët dhe i bën më rebelë. Për sjellje jo të mira dhe më pak serioze si: gënjeshtrat, mos ndarja e lodrave apo gjërave individuale me të tjerët, zhvilloni një rregull të përgjithshëm, por përballuni me çdo veprim veçmas kur ky i fundit paraqitet. Kur fëmija po kalon një ngjarje stresuese (ndërrim banese, konflikte në familje etj,) ju duhet të jeni më fleksibël.

Praktikoni parandalimin

Përdorni njohuritë tuaja mbi fëmijën, p.sh n.q.s fëmija juaj prek raftet dhe dollapët në kuzhinë gjatë kohës që ju po gatuani, mund të blini mbyllëse kabinetesh (janë disa pajisje që mund të gjeni në dyqan për të mbyllur çdo dollap në mënyrë që fëmija të mos mundet t’i hapë), e njëjta gjë vlen për prizat e korrentit. Gjithashtu sugjeroj që të planifikoni gjërat më parë se të shkoni diku së bashku, p.sh n.q.s fëmija juaj ndihet energjik dhe i lumtur në mëngjes, por ndihet i lodhur dhe i parehatshëm pas dreke, mundohuni të bëni shëtitjet tuaja apo çdo detyrë tjetër me fëmijën në kohën kur ai ndihet më në formë. Përgatiteni fëmijën tuaj për çdo përvojë të re gjatë ditës, dhe mundohuni t’i shpjegoni se si ju prisni që ai të sillet. Për të shmangur mërzitjen e fëmijës  (merrni gjithmonë me vete një çantë me disa lodra të vogla, dhe ndonjë gjë për të ngrënë “snack”) , gjithashtu duhet ta përgatisni edhe për largimin nga aktiviteti apo vendi ku po qëndroni duke i thënë p.sh: “Për pak minuta duhet të mbledhim të gjitha lodrat dhe të bëhemi gati për t’u kthyer në shtëpi”. Sa më i përgatitur që të ndihet një fëmijë, aq më pak ka të ngjarë të bëjë rrëmujë apo të mos bindet.

4Qëndroni e qetë

N.q.s nuk mund të shmangni një sjellje negative të fëmijës atëherë përballojeni me qetësi. Përpiquni të përdorni një ton zëri të qetë me fjalë neutrale dhe pozitive. Dhe duhet të dini që: sugjerimet (“ Pse nuk i lan duart tani që të jesh gati kur supa të jetë në tavolinë ?) promovojnë më shumë bashkëpunim se sa urdhrat ( “Shko laj duart një herë!”) apo kritikat ( “Fytyrën dhe duart i ke shumë të pista”). Kjo do të ndihmojë që të kthehet deklarata nga “ti” në mesazh “unë”.  Në vend që të thoni: “Ti je shumë egoist që nuk i ndan lodrat as me shokun tënd më të mirë “, provoni të thoni “Më pëlqen shumë kur shikoj fëmijë që i ndajnë së bashku lojërat e tyre”. Një teknikë tjetër e mirë është fokusimi tek “mundesh” në vend të “s’mundesh”. N.q.s i thoni fëmijës tuaj trevjeçar që ai s’mund ta lërë p.sh biçikletën në mes të rrugës, ai mund të dëshirojë të debatojë për këtë. Një qasje më e mirë mund të ishte : “N.q.s e largon biçikletën nga rruga, nuk do dëmtohet dhe gërvishtet aq shumë”. Dhe së fundmi, sigurohuni që fjalët dhe toni juaj i zërit nuk do të nënkuptojnë që ju nuk e doni më fëmijën: – “Nuk mund të duroj më kur sillesh kështu” = duket si diçka përfundimtare , ndërsa “Nuk më pëlqen kur ti i hedh lodrat gjithkund në shtëpi” i tregon fëmijës që po flet vetëm për një sjellje specifike të tij që nuk e pëlqen dhe jo për atë si person.

degjoje-femijenDëgjoni me kujdes

Fëmijët ndihen më mirë kur e dinë që ata po dëgjohen, prandaj sa herë që të mundeni përsërisni shqetësimin që ju thotë fëmija. N.q.s jeni në një dyqan dhe ai po ankohet që ju se lejoni të hapë një pako biskota, mund t’i thoni diçka të tillë: “Duket sikur je zemëruar me mua, sepse nuk po të lejoj t’i hapësh biskotat pa arritur në shtëpi. Më vjen keq që ndihesh i mërzitur , por dyqani nuk na lejon t’i hapim gjërat që akoma nuk i kemi paguar. Ky është rregull për të gjithë”. Kjo sigurisht nuk do të kënaqë dëshirën e tij, por do të reduktojë zemërimin e tij dhe do të eliminojë konfliktin.

Shpjegoni  rregullat tuaja

Rrallë është e qartë për një fëmijë 3 vjeçar se përse ai duhet të ndalojë së bëri diçka që për të është tërheqëse, si p.sh të godasë, të kafshojë apo të marrë lodrat nga fëmijët e tjerë. Mësojini fëmijës tuaj pak empati: “Kur ti kafshon ose godet njerëzit, i lëndon ata”, “Kur i merr lodrat fëmijëve të tjerë, ata mërziten, sepse duan akoma të luajnë me këto lodra”. Kjo e ndihmon fëmijën tuaj të shikojë që kjo sjellje ndikon në mënyrë direkte tek individët e tjerë dhe e trajnon atë që të mendojë në fillim për pasojat.

Ofrojini mundësi zgjedhjeje

Kur një fëmijë refuzon të bëjë apo të ndalojë së bëri diçka, problemi i vërtetë në realitet është kontrolli: e more atë, ai e do atë… Prandaj kurdo që është e mundur, jepini fëmijës tuaj pak kontroll, duke i ofruar disa mundësi zgjedhjeje. Në vend që ta urdhëroni, p.sh të pastrojë dhomën e tij, mund ta pyesni, “Kë do dëshiroje të bëje më parë, të mblidhje rrobat apo lodrat e tua?”. Sigurohuni që zgjedhjet të jenë të limituara, specifike dhe të pranueshme për ju. Ndërsa, “Nga ku qejf të fillosh?” mund të jetë e papranueshme për fëmijën dhe një zgjedhje që nuk është e pranueshme për ju dhe që mund të gjenerojë në një konflikt të mundshëm.

Siguroni alternativa

Kur dëshironi që fëmija juaj të ndalojë së bëri diçka, ofrojini mënyra të tjera alternative që të shprehë ndjenjat: i thoni, të godasë një jastëk ose të godasë me një çekiç pelushi. Ai ka nevojë të mësojë që ndërkohë që emocionet dhe impulset e tij janë të pranueshme, disa mënyra për t’i shprehur ato nuk janë të pranueshme. Gjithashtu inkurajoni fëmijën tuaj të mendojë vetë për opsionet e tij. Për shembull, ju mund ta pyesni: “Çfarë mendon se mund të bësh, që ta bindësh Andin ta ndajë atë lojë me ty?” Edhe pse vetëm 3 vjeç, fëmijët mund të mësojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Sekreti është tek të dëgjuarit e mendimeve të tyre me një mendje të hapur. Mos ia prini shkurt, por flisni për pasojat e mundshme para se të merret një vendim.

parenting in using smartphone

Përdorni limite kohe

Në momentet kur arsyetimi, zgjedhjet alternative dhe qetësia nuk kanë asnjë ndikim, përdorni limite kohe. Dërgojeni fëmijën tuaj në një vend të shtëpisë pa lojëra dhe pa TV (jo dhoma e tij e gjumit), për një periudhë të shkurtër kohore, që të ulet diku dhe të mbledhë veten. Kjo do u japë të dyja palëve një shans për t’u qetësuar, dhe jep mesazhin që sjelljet negative nuk do të tërheqin vëmendjen tuaj. Sa më pak ta shpërbleni një sjellje negative me vëmendjen tuaj, aq më pak fëmija juaj do ta përdorë atë sjellje që t’i dalë e tija.

Pranoni gabimet tuaja

Sigurohuni që t’ia bëni të ditur fëmijës tuaj kur ju e keni tepruar në reagim / apo të folur, duke i kërkuar të falur dhe duke i shpjeguar pse u sollët në atë mënyrë. Kjo do t’i mësojë fëmijës tuaj që është në rregull të jesh jo perfekt.

Jepni shpërblime

Është jashtëzakonisht e pazakontë që fëmija juaj të bëjë gjithçka çfarë ju i thoni. Dhe n.q.s kjo gjë ndodh, ju duhet të filloni të mendoni se çfarë nuk po shkon si duhet me të! Normalisht fëmijët i rezistojnë kontrollit, dhe ata e kuptojnë kur ju po i kërkoni të bëjë diçka që ata nuk duan ta bëjnë. Prandaj ndihen të justifikuar kur ju bëjnë rezistencë. Në rastet kur ata sillen në mënyrë të përshtatshme, një çmim (dhuratë e vogël) duhet. Përdorimi i arsyeshëm i “çmimeve dhe shpërblimeve” të veçanta është vetëm një mënyrë tjetër për t’i treguar fëmijës tuaj se jeni e vetëdijshme dhe i respektoni ndjenjat e tij. Kjo, më shumë se çdo gjë, u jep besueshmëri kërkesave tuaja disiplinore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top