Mirëqenie

February 7, 2019 | 8:15

Nga Adriana Zotaj / Të lexuarit investim për dijet

Njeriu është në këtë botë për të përmirësuar vetveten duke mësuar. Të gjitha kulturat fillojnë me libra, pjekurinë e arrijnë me to, dhe me anë të librave i transferojnë eksperiencat e tyre për gjeneratat e ardhshme. Rëndësia e kulturës së të shkruarit në historinë e njerëzimit është ndër elementet kryesore në studimin e historisë të kulturës të popullit shqiptar, por dhe të popujve të tjerë.

Duhet të çmësohemi dhe të heqim dorë nga të konceptuarit e kulturës si dija enciklopedike, e cila e sheh njeriun vetëm si një enë që duhet mbushur plot e përplot me të dhëna empirike, me fakte të papërpunuara dhe të palidhura që ai duhet t’i sistemojë në trurin e vet, si në kolonat e një fjalori për të pasur më vonë mundësinë t’u përgjigjet në çdo rast ngacmimeve të ndryshme të botës së jashtme.

Kultura është diçka tjetër, është organizim, disiplinë e unit tënd të brendshëm, është zotërim i personalitetit, është të fituarit e një vetëdijeje më të lartë me anë të së cilës arrin të kuptosh vlerën tënde historike, rolin tënd në jetë, të drejtat dhe detyrat e tua. Dhe gjithçka të mësohet, pa e humbur nga sytë qëllimin final, që është të njihet më mirë vetvetja nëpërmjet të tjerëve dhe të tjerët nëpërmjet vetvetes.

Dhe është pikërisht Libri, mjeti transmetues i mesazhit, kulturës dhe civilizimit brez pas brezi. Libri është mjet i mendimit dhe plotësues i njeriut. Me anë të këtij mjeti mund të matet fuqia dhe potenciali i njeriut nga aspekti shkencor dhe njohës. Në epokën e sotme masmedias i janë shtuar mjete të ndryshme komunikimi dhe ndërlidhjeje, por libri nuk e ka humbur vlerën e tij dhe nuk është vjetërsuar kurrë. Libri është një trashëgimi e përhershme dhe fenomen tepër i vlefshëm në jetën e njeriut. Libri është memoria e njeriut.

Dija, trashëgimia dhe historia mijëravjeçare e njerëzimit mund të gjenden vetëm në libra dhe aktualisht asnjë mjet tjetër nuk mund të zëvendësojë librin në fushën e mendimit dhe intelektit. Në këtë mënyrë injektimi i frymës dashamirëse për librin dhe leximin është një nga detyrat kryesore të intelektualëve dhe funksionarëve në fushën e kulturës dhe dijes.

Natyrshëm për librin, mendja të shkon tek shtëpitë e botimit, tek shkrimtarët, tek përkthyesit dhe tek të gjithë intelektualët që përpiqen në fushën e librit dhe të leximit. Duke qenë se po flasim për librin, e shohim të arsyeshme të ofrojmë disa rrugë për të përfituar sa më shumë nga leximi i librit dhe dijet e tij. Këto këshilla nuk kanë lidhje me asnjë kulturë, gjini apo punë. Studimi dhe leximi është një veprim i pranueshëm dhe i vlerësueshëm. Në kohën e leximit dhe studimit të librit qoftë ai mësimor apo kulturor, është e rëndësishme t’i kushtohesh një qëllimi të caktuar dhe të ketë kohë të programuar.

Një çështje tjetër që ka ndikim në cilësinë e të lexuarit është koha, e cila varion përgjatë periudhave normale të punës, dhe periudhës së pushimeve. Gjatë periudhës së pushimeve, duke pasur në konsideratë faktin e mungesës së përqendrimit, për shkak të lodhjes së akumuluar, si dhe temperaturave të larta, duhet të zgjedhim kohën kur jemi të kthjellët, si dhe një ambient të qetë. Përveç kësaj, kushtet fizike të këtij ambienti gjithashtu duhet të jenë të përshtatshme si nga aspekti i temperaturës, dritës dhe zërave. Specialistët janë të mendimit se zgjedhja e një vendi të caktuar për të studiuar dhe lexuar, bën që përqendrimi të jetë sa më i lartë, gjë e cila shton efikasitetin gjatë leximit. E gjitha kjo është akoma më e rëndësishme për gjeneratën që afrohet për herë të parë me librin: 

Kultivimi i dashurisë ndaj librit, ndaj letërsisë artistike, në të vërtetë, fillon qysh në moshën më të hershme të foshnjërisë. Ai ndoshta nis së bashku me hapat dhe me belbëzimet e para, duke vijuar me përralla, tregime, apo me ilustrime duke u kapur pas personazheve kryesore. Kështu pra fillon të kultivohet e të zhvillohet te fëmijët e vegjël dashuria ndaj librit, i cili, siç dihet, nxit imagjinatën e fëmijës dhe bën mendjen e tij më kreative dhe aktive. Pushimi në natyrë, në det, mal, padyshim janë disa nga faktorët që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës, por studimet tregojnë se ata persona që konsumojnë së paku 3.5 orë lexim në javë minimizojnë rrezikun e vdekjeve në masën prej 17%.

Në epokën e tanishme, të një shpërthimi të vërtetë të mjeteve moderne, si ato kompjuterike, audiovizuale etj., libri ende mbetet instrumenti më i përhapur dhe padyshim më efektiv në edukim. Nëse për nga forma libri praktikisht nuk ka ndryshuar, roli dhe vendi i tij në procesin e mësimit dhe të leximit ka pësuar një ndryshim të ndjeshëm. Tradicionalisht libri është përdorur kryesisht për transmetimin e njohurive. Ai gjithashtu ka plotësuar funksionin implicit të shpërndarjes së vlerave sociale, morale e kulturore.

Në ditët e sotme këto funksione mbeten themelore. Por librat duhet t’u përgjigjen kërkesave të reja që lidhen me trendet e kohës. Libri është i shenjtë dhe kërkon korrektesë. Libri është burimi i dijes dhe faktor kryesor i zhvillimit e i përparimit të shoqërisë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top