Në fokus

April 3, 2017 | 11:01

Nga Afërdita Bano / Aborti, ndikimi në mirëqenien psikologjike te femrat

Mënyrat e vendimmarrjes dhe faktorët bashkekzistues ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe emocionale të gruas pas abortit.

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Aborti ka ngjallur në çdo kohë debat, duke e ndarë shoqërinë në pro dhe kundër tij. Aborti i vullnetshëm përdoret me nuanca pozitive në ambiente ku i jepet rëndësi lirisë dhe emancipimit të gruas për të vendosur për jetën e saj. Ai merr konotacione negative në ambiente ku konsiderohet i paligjshëm, madje dhe kriminal, sidomos në qarqet fetare. Studimet e ndërmarra vitet e fundit, kanë nxjerrë rezultate të ndikuara në njëfarë mënyre nga studiuesit, duke qenë se ata kanë mbështetur njërën prej teorive. Studime të kryera në vende ku feja luan rol të rëndësishëm në jetën e individëve tregojnë se, efektet negative të abortit janë të mëdha në shëndetin mendor të grave në mënyrë që të përligjin politikat e lindshmërisë që ato mbështesin. E kundërta ndodh në vende ku i jepet përparësi barazisë gjinore dhe emancipimit të gruas. Përgjithësisht, konkluzionet e këtyre studimeve tregojnë se, aborti ka efekt neutral në shëndetin mendor të gruas. Me shëndetin mendor lidhen ngushtë faktorë të tjerë bashkekzistues si:

  • në qoftë se gruaja ka pasur më parë çrregullime psikologjike dhe emocionale
  • në qoftë se gruaja ka qenë e detyruar apo e bindur për të kryer abort
  • nëse besimi fetar i gruas bie ndesh me ketë procedurë
  • mosha e gruas në kohën kur kryhet aborti
  • mbështetja sociale

abortiNjë rol vendimtar në mirëqenien psikologjike dhe emocionale të gruas  pas abortit kanë edhe marrëdhëniet dhe mbështetja sociale. Studimet tregojnë se gratë që shoqërohen në procedurën e abortit nga partneri kanë më pak gjasa të zhvillojnë çrregullime emocionale apo psikologjike. Aborti konsiderohet një event traumatik në jetën e çdo gruaje dhe në këtë ndikojnë edhe mënyrat e kryerjes së tij.

Metodat kryesore të abortit janë aborti farmakologjik dhe ai kirurgjikal.

Procedura kirurgjikale është e shkurtër dhe nga evidencat raportohen më pak efekte anësore në shëndetin mendor të grave që zgjedhin këtë metodë ndërprerjeje të shtatzënisë, e cila përdoret në 96% të rasteve në SHBA. Metoda farmakologjike përdoret zakonisht me sukses të lartë deri në javën e 7-9 të shtatzënisë dhe preferohet në shtete si Kanadaja dhe disa shtete të Europës. Kur ajo nuk përfundon me sukses, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale. Një element tjetër që ndikon në shëndetin mendor të gruas është edhe mosha gestacionale e shtatzënisë. Nga studimet raportohet se, gratë që kryejnë aborte në tremujorin e dytë, janë më të prira të zhvillojnë shenja të çrregullimeve psikologjike apo emocionale. Kjo lidhet me faktin se, shumica e aborteve të vullnetshme, nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me zgjedhjen personale të gruas, por me probleme të rënda të fetusit, të cilat rrezikojnë jetën e saj. Ndërmarrja e këtij veprimi në këto raste bëhet në kundërshtim me dëshirën e saj dhe pritshmërive që ajo ka krijuar gjatë muajve të shtatzënisë. Sipas të njëjtave të dhëna studimore, rreth 4 deri në 10 shtatzëni të padëshiruara përfundojnë në abort.

A e përjetojnë gratë humbjen dhe pikëllimin, apo aborti nuk lë asnjë gjurmë në jetën e tyre përditshme pas tij?

aborti1Zbulimi i pritjes së një fëmijë, aq më tepër kur kjo ndodh në kushte jo të favorshme, mund të jetë një shok dhe të paraqesë një moment shumë të rëndësishëm në jetën e një gruaje. Shtatzënia, ashtu si puberteti apo menopauza, është një periudhë krize që shkakton ndryshime të thella si psikologjike dhe fizike. Në të njëjtën kohë është një test themelor për shëndetin mendor sepse, në kushte të favorshme, mund të çojë në shfaqjen e niveleve më të integruara të identitetit personal dhe vetë vetëdijes, ndërsa nën kushte të pafavorshme, mund të çojë në shenja neurotike. Prandaj shtatzënia në vetvete është një moment i vështirë, e cila përfshin ndryshime në të gjitha aspektet e jetës së një gruaje: ka ndryshime endokrinologjike, ringjall konfliktet e vjetra psikologjike dhe ka një riorganizim intrapsikik, i cili lejon gruan të bëhet nënë. Gruaja, madje edhe para se të zgjedhë abortin, është subjekt i ndryshimeve të thella, si psikologjike dhe sjellore. Një studim në veçanti, tregon se lidhja nënë-fetus fillon menjëherë pas ngjizjes edhe te gratë që  planifikojnë që të kenë një abort, pasi proceset themelore psikologjike në këtë marrëdhënie të hershme shkojnë përtej kontrollit të ndërgjegjshëm të nënës. Në këtë drejtim, një studim i fundit zbuloi se 20% e grave që ndërpresin shtatzëninë provojnë një stres të rëndë emocional, i ngjashëm ky me atë të nënave që vuajnë humbjen e fëmijës së tyre, me ndryshimin se, faji i lidhur me natyrën vullnetare të abortit, mund të komplikojë edhe më tej dhe të pengojnë procesin  e zisë.

1Një grua që kalon një moment krize është shumë e ndjeshme ndaj çdo ndikimi, të brendshëm dhe të jashtëm. Dobësi të tilla psikologjike mund të çojnë në situata ku prindërit, miqtë, partneri apo njerëz të tjerë të rëndësishëm mund të ketë një ndikim të madh në vendimin përfundimtar. Kur një grua shtatzënë, e cila në vetvete është në një gjendje  brishtësie, duhet të zgjedhë të ndërpresë shtatzëninë ose të  jetojë një gjendje edhe më kritike, duke e vazhduar atë, është më vulnerabël. Në këto kushte mund të marrë një vendim jo konform një zgjedhjeje të vetëdijshme, e cila më pas mund të çojë në ndjenja të rënda faji. Një person në krizë, në fakt, ka tendencë të ndihet i lodhur, provon ndjenja ankthi, konfuzion. Si rezultat, ka më shumë gjasa që të përballet me vështirësi në vendimmarrje dhe lë të tjerët të marrin vendimin për të. Vendimi i abortit është rezultat i ditëve apo javëve të reflektimit. Për arsyen e këtij vendimi dhe në mënyrën se si është marrë, mund të ndikojë në reagimin psikologjik të gruas pas ngjarjes. Një studim në këtë drejtim, ka treguar se 44% e grave shprehën dyshime në lidhje me vendimin për të pasur një abort në kohën e zbulimit të shtatzënisë dhe 30% vazhdojnë të kenë dyshime në momentin e kryerjes së abortit.

Procesi vendimmarrës mbart ndjenja ambivalente si para ashtu dhe pas ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë edhe mes grave që kanë qenë më parë pro abortit. Pra, pavarësisht nga qëndrimi i favorshëm, lidhur me abortin  në përgjithësi, femrat tregojnë një prirje negative në lidhje me abortin e tyre.  Ambivalenca e ndjenjave përjetohet nga shumë gra dhe është një çështje kyçe për shkak të konfliktit personal, relacional, moral dhe shpirtëror që ndikon vendimin. Rritja e ndjeshmërisë ndaj problemeve psikologjike pas aborteve lidhet ngushtë me stilet e vendimmarrjes.

Në repartet spitalore që praktikojnë abortin janë vënë re katër qasje vendimmarrëse jofunksionale:

1) Qasja instiktive në të cilën vendimi është marrë shumë shpejt, pa marrë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar mundësitë e tjera ose për të zgjidhur ndjenjat ambivalente

2) Qasja racionale-analitike, e cila bazohet në arsyet praktike pro abortit (problemeve ekonomike, vetmisë, etj.) sesa në nevojat emocionale

3) Qasja e bazuar në refuzim dhe zvarritje ose evitim i vendimit, shtyrjen e tij për shkak të ndjenjave të forta kontradiktore, të cilat nuk janë zgjidhur para abortit

4) Qasja e pabazuar në vendimmarrje, në të cilën gruaja refuzon të marrë vendimin dhe ia delegon të tjerëve të vendosin për të (partneri, prindërit, profesionistët shëndetësor, etj).

Secili prej këtyre stileve mund të shkaktojë probleme psikologjike, sepse sipas këtyre qasjeve, gruaja para abortit nuk është plotësisht e vetëdijshme për vendimin. Gjithmonë gratë që i nënshtrohen abortit duhet të marrin në konsideratë të gjitha efektet negative  psikologjike që kjo procedurë mund të sjellë. Profesionistë të trajnuar, mund t’i ndihmojnë këto gra të kuptojnë problemet e tyre dhe  të parandalojnë lindjen e efekteve anësore negative. Ndërlidhja e  efekteve negative psikologjike dhe abortit kontekstualizohet në mënyrën e vendimmarrjes së tij dhe në faktorët bashkekzistues që kontribuojnë në shfaqjen e shenjave neurotike. Këshillimi psikologjik para kryerjes së tij rezulton i domosdoshëm për të ndihmuar gruan të ndërmarrë një vendim të vetëdijshëm me qëllim, shmangien e efekteve negative psikologjike që ai shkakton.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top