Mirëqenie

March 28, 2017 | 12:48

Nga Afërdita Bano / Cilësia e jetës së personave mbi 65 vjeç dhe mbështetja sociale

Personave të moshës mbi 65 vjeç, të cilët janë në gjendje të kontrollojnë jetën e tyre, i është kushtuar pak rëndësi. Procesi i moshimit është kritik për çdo person pasi përmban ndryshime të mëdha. Këto ndryshime mund të çojnë në humbje të kontrollit, të cilat kompromentojnë cilësinë e jetës së çdo individi, sidomos kur arrijnë papritur. Ndryshime ndodhin në punë (dalja në pension), ndryshime në familje, në shoqëri, ndryshime fizike, probleme shëndetësore. Personi duhet të bëjë një ri-rregullim të perceptimit dhe strukturës së ekzistencës së tij. Këto ndryshime janë sfida psikologjike, fizike dhe sociale.

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Por nga ana tjetër kjo fazë ofron mundësi të reja pasi personat kanë më shumë kohë për aktivitet social. Personat mbi 65 vjeç kanë eksperienca të vlefshme profesionale, por edhe jete që duhen vlerësuar dhe marrë në konsideratë nga shoqëria. Shoqëria ka përfitime të panumërta nga të moshuarit me nivel të lartë të cilësisë së jetës.

Aspekti i “moshimit” është një nga sfidat parësore socio-ekonomike të shoqërive europiane të shekullit të 21-të. Ky aspekt do të ndikojë në të gjitha politikat e ardhshme evropiane, pasi brenda 2025 parashikohet që 20% e popullsisë europiane do të përbëhet nga persona mbi 65 vjeç.

Cilësia e jetës përcaktohet si një bashkësi perceptimesh objektive dhe subjektive. Kur nevojat bazё plotësohen, individi kërkon kënaqësi, objektiva të tjera në jetën e tij si: lumturia, vetërealizimi, pavarësia etj. Të gjitha këto koncepte janë të lidhura drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës, por duhen kuptuar duke u nisur nga perceptime subjektive.

te-moshuar

Cilësia e jetës pranohet si një indikator i moshimit të suksesshëm dhe matja e saj në vendet e tjera bëhet për të vlerësuar efektivitetin e politikave sociale e programeve shëndetësore. Mungesa e qartësisë së konceptit se cilësisë së jetës ka ngjallur jo pak debat. Zhvillimi në këtë fushë është pikërisht definicioni i këtij termi. Cilësia e jetës tashmë konceptohet si multifaktoriale dhe komplekse dhe nuk fokusohet vetëm te mospasja e një sëmundjeje. Derisa një jetë ia vlen të jetohet nuk është e nevojshme që të jetë komplet larg çdo dhimbje, e rëndësishme është që të këtë një pjesë të vogël kënaqësie që të lejojë t’i bësh ballë vështirësive dhe dhimbjes që mosha e tretë mund të sjellë (Frankena, 1973).

Të dhëna demografike

Numri i mbi 65 vjeçarëve në Europë po rritet me hapa galopantë. Mesatarisht, kjo moshë jeton më gjatë dhe ka kapacitet funksional më të madh se brezat e mëparshëm. Në janar të vitit 2010, në Europë, personat mbi 65 vjeç ishin më shumë se 87 milion ose 17.4% e popullatës së përgjithshme. Mosha mesatare nga 40,6 parashikohet të arrijë në 47.9 në 50 vitet e ardhshme. Sipas INSTAT rënia e lindshmërive dhe e vdekshmërisë si dhe emigracioni kanë sjellë moshimin e popullsisë në Shqipëri. Në 2011 në Shqipëri numri i personave mbi 65 vjeç ka arritur në 318 mijë dhe parashikohet të dyfishohet deri në 2060. Mosha mesatare në 2011 ka qenë 33 vjeç, ndërsa në 2060 parashikohet të jetë 50 vjeç, domethënë që, gjysma e popullsisë shqiptare do të jetë mbi 50 vjeç. Proceset përbërëse të emigracionit të vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërive dhe vdekshmërive kanë pasur ndikim shumë të madh në strukturën e popullsisë së Shqipërisë. Në vitin 1979 Shqipëria ka pasur 76,5 mijë banorë 65 vjeç e lart, në vitin 2011 numri i personave mbi 65 vjeç është 4-fishuar në 318 mijë. Numri i të moshuarve është projektuar të shkojë në 667 mijë në 5 dekadat e ardhshme. Raporti i varësisë është masë e përdorur zakonisht për  nevojat e mundshme të mbështetjes sociale. Ai llogaritet si raporti i numrit të fëmijëve nën 15 vjeç dhe personave të moshuar mbi 65 vjeç me numrin e personave në moshë pune. Ky interpretim i raportit nënkupton se kjo kategori varet nga personat në moshë pune. Ata që janë në moshë pune mendohet se i ofrojnë në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo atyre që janë në moshë varësie. (Kinsella & Gist,1995). Pranohet se raporti i varësisë shpjegon vetëm një përafrim të barrës në shoqëri. Jo të gjithë fëmijët dhe të moshuarit kërkojnë mbështetje e as të gjithë ata në moshë pune ofrojnë ndihmë. (Tauber 1992).

pensioniste

Përkufizimi dhe teoritë mbi cilësinë e jetës

Cilësia e Jetës (QoL) është një koncept thjeshtësisht i kuptueshëm nga të gjithë ne, por që rezulton i vështirë për një përkufizim ekzakt. Disa e quajnë ekuivalent të mirëqenies personale, një jetë e mirë e lumtur dhe me të ardhura të mira ekonomike. Por është më e ndërlikuar se kaq, pasi vetë koncepti përmban aspekte të brendshme dhe të jashtme. Rezulton më e lehtë të vlerësosh nivelin e QoL se sa t’i japësh një përkufizim përfundimtar, duke marrë në konsideratë modelet standarde të vlerësimit. Nuk ka një teori të vetme për konceptin e cilësisë së jetës.

Vitet e fundit teoritë mbi cilësinë e jetë kanë shkuar drejt një konsiderimi psikologjik më shumë se materialist, gjithmonë duke marrë parasysh situatat e jetës. Ajo çka mund të konsiderohet e rëndësishme në jetë për cilësinë e jetës së një personi, mund të ndryshojë nga ajo e një tjetri. Ekspertët në psikologji, filozofi, sociologji, mjekësi kanë propozuar teori për cilësinë e jetës sipas perspektivës së studimit të tyre dhe fushave të kërkimit si dhe periudhës kur është bërë studimi. Filozofët antik grekë merrnin në konsideratë lumturinë personale dhe jetën e mirë sipas tyre synimi kryesor i ekzistencës njerëzore ishte plotësimi i urisë njerëzore (Chung et al 1997; Kuibovy, 1999)

Aristoteli besonte se lumturia varej drejtpërdrejtë nga aktivitetet që personat kryenin dhe nga vlerat në të cilat besonin. Studime të fundit kanë tendencën të rivlerësojnë perceptimet subjektive e kuptuar si e kundërta e konsideratave objektive të jetës. Një ide objektive është se pasuria dhe shëndeti çojnë në një nivel të lartë të QoL. Por ka studime që tregojnë se, sa më shumë personat përqendrohen në aspekte ekonomike e materiale, aq më e ulët është mirëqenia personale (Ryan & Deli-2001). E rëndësishme është të merren në konsideratë nevojat mesatare, sepse në varfëri mirëqenia është e lidhur ngushtë me anën financiare.

Pleqëria zakonisht sjell shpesh probleme të shëndetit dhe rënie të aftësive funksionale të njeriut. Kështu që një numër i madh njerëzish përballet dhe bashkëjeton me sëmundjet kronike. Ato janë të pakthyeshme, kështu që objektiv i rëndësishëm është ai i krijimit të kushteve të jetesës sa më të mira për një jetë cilësore. Browne (1994), e përcakton termin cilësi e jetës (QoL:Quality of Life) si një bashkëveprim dinamik mes kushteve të jashtme/objektive të një individi dhe perceptimit që ka ai për këto kushte, ndryshe nga (HRQoL:Health Related Quality of Life), e orientuar vetëm në aspektin shëndetësor.

te-moshuar1

Cilësia e jetës sipas Lawton (1991), është një koncept multifaktorial që konsiston në katër pika të mëdha:

  • Gjendja objektive; • Aspekti sjellor (përfshirë këtu edhe shëndetin); • Perceptimi subjektiv;

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë OBSH, cilësia e jetës përcaktohet si perceptimi që individi ka për pozicionin e tij në jetë në kontekstin kulturor dhe sistemi i vlerave në të cilat beson dhe jeton në marrëdhënie me objektivat, pritshmëritë dhe interesat. OBSH afirmon se kjo duhet kuptuar në marrëdhënie me komunitetin ku jeton çdo individ. Studimet e Shalock (2000), përqendrohen më shumë në çështje të shëndetit ose paaftësisë. Sipas tij, cilësia e jetës është një koncept që reflekton kushtet e dëshiruara të jetës në raport me 8 aspekte kryesore:

  • Mirëqenie-emocionale; • Marrëdhënie ndërpersonale; • Mirëqenie materiale; • Zhvillim personal; •

Mirëqenie fizike; • Përfshirje sociale; • Të drejta;

Sipas Cummnis (1997), cilësia e jetës është objektive dhe subjektive dhe çdo segment prezanton agregatin e 7 fushave. • Mirëqenie materiale; • Shëndet; • Prodhimtari; • Intimitet; • Siguri; • Mirëqenie emocionale; • Përfshirje sociale.

Indikatorët me të cilët cilësia e jetës mund të matet janë shumë si: aspekti socio-ekonomik, ai i kënaqësisë personale, kapaciteti funksional, deri te kuptimi i ekzistencës. Perceptimet e të moshuarit për gjendjen e tij janë më të rëndësishme se faktorët objektivë. Personaliteti dhe karakteri duhen marrë parasysh pasi janë indikatorë shumë të rëndësishëm që kushtëzojnë cilësinë e jetës.

Mirëqenia psikologjike (përfshirë këtu dhe kënaqësinë)

Eksperienca e moshimit

Mosha në vetvete nuk është faktor përcaktues, që një person të ndjehet i moshuar. Çdo person mbi 65 vjeç ka një koncept të vetin mbi moshimin. Personaliteti, jeta e jetuar, përvojat, përgjigja individuale e një trupi që plaket, sëmundjet, sjellja e shoqërisë, janë faktorët që ndikojnë eksperiencën e moshimit. Ne mund të kuptojmë aspektet individuale të moshimit vetëm duke dëgjuar historitë personale mbi eksperiencat e jetës. Të plakesh mirë nuk do të thotë vetëm mungesë patologjish, por edhe arritje e të ndjerit kënaqësi në të jetuarit të jetës, duke pasur pjesëmarrje sociale, një performancë të vlefshme kognitive dhe burime psikologjike. Ky koncept është mbështetur nga profesor Barling & Dr.Dieppe, të cilët kanë analizuar konceptin e plakjes pozitive.  Ndjenja e dashurisë dhe ekzistencës i lë radhën ndjenjave si pavarësia, si pritshmëritë, ndjenja e përkatësisë, si dhe te integriteti personal, e kuptuar si përkujdesja ndaj vetes. Shumë studime kanë vërejtur ndryshime te persona të moshuar para dhe pas një përvoje në formë testi, për sa i përket ndjenjës së vetmisë, integrimit social, krijimi i lidhjeve etj.

Gjendja depresive, vetmia, lodhja, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet kronike lidhen me një nivel të ulët të cilësisë së jetës. Dhimbjet, vështirësitë motorike; mungesa e qëndrueshmërisë dhe vështirësitë e frymëmarrjes gjatë aktivitetit te përditshëm jetësor, tregojnë nivel të ulët të cilësisë së jetës, të lidhura me aspektet fizike. Ndjenja e lodhjes, nervozizmi, çrregullimet e gjumit, tregojnë nivel të ulët të cilësisë së jetës, lidhur me aspekte psikologjike.

Faktorët qe influencojnë ndjenjën e mirëqenies së një personi në mënyrë të rëndësishme quhen “kushte” të cilësisë së jetës. Ato mund të klasifikohen në:

  • Kushte ndërpersonale (shëndeti, kapaciteti funksional, personaliteti); • Kushte ekstra-personale (puna, kushtet ambientale dhe jetësore dhe mbështetja sociale); • Nevojat bazë.

moshuar

Niveli i cilësisë së jetës së një personi mund të jetë i ulët, i lartë, apo i mesëm. Disa tabela vlerësimi për cilësinë e jetës ofrojnë një vlerësim numerik. Shkalla e vlerësimit të Maslow përfshin disa kushte vitale bazë (kushte mbijetese) që duhen marrë në konsideratë para se të pritet arritja e matjes së cilësisë së jetës. Sipas kësaj perspektive, niveli i cilësisë së jetës së një personi duhet të lidhet me mundësinë për të plotësuar nevojat bazë sipas shkallës së udhëhequr nga Maslow. Kushtet e varfërisë ekstreme, sëmundjet ose diskriminimi, përcaktojnë zakonisht nivel të ulët të cilësisë së jetës. Individët kanë nevojë për kushtet minimale të jetesës si: të ardhura, vendbanim, siguri në mënyrë që të përqendrohen te nevojat e tjera për të rritur cilësinë e tyre të jetës. Plotësimi i nevojave bazë të sipërpërmendura mund të arrihet nëpërmjet shërbimeve sociale,shëndetësore dhe politikave mbështetëse.

Si të rrisim cilësinë e jetës?

Rezulton e vështirë rritja e nivelit të cilësisë së jetës tek individët që kanë mungesë të nevojave bazë dhe rezultatet mund të arrihen vetëm për një kohë të gjatë. Nuk mund të ftojmë në një festë persona në vështirësi sociale, duke menduar kjo do të jetë zgjidhje për problemin e tyre ashtu sikurse nuk mund t’i themi një personi të sëmurë rëndë se, çdo gjë do shkojë mirë. Perceptimi subjektiv i cilësisë së jetës zhvillohet brenda çdo individi dhe pëson modifikime e përshtatje gjatë jetës, është një sjellje ndaj jetës dhe vetvetes. Cilësia e jetës nuk mund të mësohet, ajo vetëm mund të inkurajohet nëpërmjet përfshirjes së individëve dhe inkurajimit të tyre për të kuptuar më mirë veten dhe ambientin që i rrethon. Veprimet kryesore që mund të rrisin cilësinë e jetës nëpërmjet mbështetjes sipas disa teorive janë:

Exercise is good for the body and soul

PËRSHTATJA  |  Ndryshimi influencon trupat tanë, jetët tona dhe ambientin që na rrethon. Niveli më i lartë i cilësisë së jetës është më i shpeshtë te njerëzit që arrijnë të përshtaten me ndryshimet që vijnë gjatë jetës (Cumminis 1997). Këto ndryshime mund të verifikohen sipas dy perspektivave:

– Ndryshimet që ndodhin te vetë personi të shkaktuara nga sëmundjet, aksidente, efektet progresive të moshimit të trupit. Kjo kategori përfshin ndryshimet e vetëdijshme dhe jo të vetëdijshme në mënyrën tonë të mendimit se gradualisht humbasim aftësinë për të kontrolluar gjërat.

– Ndryshimet që kanë të bëjnë me ambientin shoqëror, në përgjithësi komuniteti ku jetojnë familja, shokët. Këto mund të jenë ndryshime traumatike si: divorci, vdekja e partnerit apo ndryshimi progresiv si roli i gjyshit. Si fillim, individëve u duhet të mësojnë ambientin e ri, rolin e ri dhe ndryshimin e strukturës. Individi posedon disa mundësi: të pranojë ndryshimin, të zbresë në kompromis ose të luftojë me veten.

PERCEPTIMI SOCIAL  |  Cilësia e jetës është ngushtësisht e lidhur me pjesëmarrjen sociale, e kuptuar si shkalla e kënaqësisë që personat kanë. Si rezultat i pjesëmarrjes në aktivitetet e rrethit familjar, komunitet, duke përdorur aftësitë dhe duke zhvilluar personalitetin e tyre. Me pjesëmarrje sociale kuptojmë procesin e bashkëveprimit që konsiston në marrjen pjesë aktivisht në grupe të caktuara. Pjesëmarrja sociale i referohet  sistemit mbështetës dhe burimeve psikologjike e sociale, si dhe grupimin e individëve që karakterizohet nga ndihma, mbështetja fizike, mbështetje materiale, ndarje mendimesh, ndjenjash si dhe përvoja e kontakteve sociale pozitive. Cilësia e kontakteve sociale vlen më shumë se sasia e tyre.

TË MARRËSH DHE TË OFROSH NDIHMË  |  Faktorët ambientalë për cilësinë e jetës janë kryesisht ata që i lejojnë çdo personi të hyjë në kontakt me të tjerët, të marrë ndihmë për të mundur të socializojë me grupe si miqtë, familja, fqinjët, komuniteti. Në këtë aspekt del në pah një kontradiktë ku nga njëra anë promovohet autonomia personale dhe nga ana tjetër gjatë përfshirjes dhe bashkëveprimit autonomia dhe pavarësia duken sikur zbehen. (Schalock &Verdugo (2003 p.161-181) e eksplorojnë këtë raport, duke  vlerësuar familjen në ambientin ku personi ndjehet i përfshirë dhe si komponent i vlerësuar. Argëtimi mund të shihet nga këndvështrimi  personit.

***

Bibliografia
Arkar,H., Sari,O.,& Fisher,H.(2004). Relationships Between Quality of Life, Perciveid support, Social network, Loneliness in Turkish samole. Veni Symposium,42(1) Bandura,A.(2000 ) Health promoton from the prespective of the social cognitive theory, inP.Normas C.Abraham& M. Comes (Eds).Understating and changing health behavior.Reading,UK:Harwood
Cohen,D.,(2000).The creative age.Aëakening the human potential in the second half of life.Harper Collins Publishers
Chung ,M..(1997)A critique of the concept of the quality of life .International Journal of health care quality,Assurance,80-84.
Cummmins,R.A(1997)Comprehensive quality of life scale:adult:manual15 th ed.Burwood:Deakin University School of Psychology
INSTAT(2004)Projeksione të popullsisë së Shqipërisë 2001-2021. INSTAT,Tirana
INSTAT(2011)Mplakja e popullsisë, Situata e të moshuarve në Shqipëri. INSTAT,Tirana
Kinsella,K,&YJ.Gist(1995),other workers, Retirement,and pensions;A comparative international chartbook.Washington,DC:United States Bureau of the Census.
Lawton,M.P (1997) Measures of Quality of Life and subjective Well-being Generations 21,1;45-48
Maslow,A,H.,& Cox,R(1987). Motivation and personality, (vol 1-1).New York; Reading,Ma:Menlo Park, Etats-Unis:Longman.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top