Pak ditë na ndajnë nga përfundimi i verës dhe mendimeve që na kanë shoqëruar gjatë këtyre muajve të nxehtë. Kush është nënë më kupton, mendimet që mbizotëronin ishin se si do mbushnim ditët e fëmijëve tanë? Te cila gjyshe do t’i linim gjatë orarit të punës?
Por, vera dhe pushimet janë tepër të rëndësishme sidomos për prindërit e fëmijëve të vegjël. M’u desh një verë e gjatë pa pushime për të menduar.
Një shoqe mbrëmë më tha diçka që më ngriu zemrën: “Nëse e mendon mirë, kemi vetëm 18 vera që mund të kalojmë me fëmijët tanë”. Në atë moment më shtrëngoi diçka në kraharor.
Mendova se, vajza ime e madhe është 11 vjeç dhe na mbeten veç 7 për të qenë të gjithë së bashku. Edhe 7 vera të tjera për të zhytur këmbët në rërën e nxehtë e për të bërë gara noti. Edhe 7 vera të tjera për të qëndruar shtrirë mbi tapet për të parë të gjithë së bashku filmin e mesditës, ku do ndajmë të gjithë së bashku të njëjtën çati, do krijojmë kujtime, të cilat shpresoj do t’i ruajmë me dashuri.
Edhe 7 vera kanë mbetur për të eksploruar vende të reja, të përjetojmë ndjesi të reja edhe nëse nuk udhëtojmë larg qytetit tonë. 7 vera kanë mbetur për t’u zhytur në pishina e për të rrëshqitur në akuaparqe, për të parë filma në kinema e për të udhëtuar me anije, avionë, pa harruar të marrim me vete kremin e diellit dhe atë kundër mushkonjave. Edhe 7 vera para se të më dërgojë foto nga udhëtimet e saj nëpër botë larg nesh me miqtë e rinj që jeta do ta përballë.
Sigurisht që, pavarësia e saj veç do më lumturojë, por këto 7 vite e vera që do vijnë, do përpiqem t’i mbush plot kujtime të lumtura, sepse koha fluturon shpejt… shumë shpejt.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.