Të bërit nënë nuk është një ngjarje që mbaron me procesin e lindjes së fëmijës, por një proces që zgjat përgjithmonë. Çdo fazë që kalohet nga nëna e re dhe i vogli i saj do të kërkojë përpunim të emocioneve dhe përjetimeve të reja. Ky rol në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe ndryshime e modifikime që më parë shihej si fikse dhe e pandryshueshme.
Bëhet fjalë për një fazë delikate ku përfshihet marrëdhënia e nënës me foshnjën dhe marrëdhënia e bashkëshortit me familjen. Shtatzënia në vetvete është një moment me shumë përkushtim për një grua, ndryshimet fizike dhe psikologjike mund t’i hapin vend dyshimit, frikës dhe pasigurisë. Në këtë moment gruaja kërkon ekuilibra të rinj, lindin pyetje që kërkojnë përgjigje. Të gjitha këto aspekte janë shumë të rëndësishme për të njohur veten dhe botën duke filluar nga kuptimi i ngjarjes unike si është lindja e një jete të re.
Fillimi i një rrugëtimi
Është e vërtetë që lindja e një nëne të re fillon me lindjen e fëmijës, por lindja është edhe fillimi i një rrugëtimi eksplorues që nuk ka fund. Gruaja në fakt pëson një proces delikat transformues evolutiv të identitetit të saj femëror, ku ajo konfrontohet me dimensione të reja të qenies së saj. Në këtë moment nëna e re rivendos një marrëdhënie me femëroren e saj dhe ripërjeton marrëdhënien me nënën e saj. Duke përjetuar emocionet e kësaj marrëdhënieje të rëndësishme, ajo mund të bëhet e vetëdijshme për emocionet e saj, t’i shprehë ato dhe t’i harmonizojë duke bashkuar pjesëzat e konflikteve apo plagëve nëse kanë ekzistuar të tilla. Nëna e re nëpërmjet këtij udhëtimi në të kaluarën e saj mund të vendosë nëse do të fusë ose jo në valixhen që do ta shoqërojë në rrugëtimin e saj, kujtime apo diçka pozitive nga marrëdhëniet kaluara dhe në fund do të realizojë transformimin brezor nga bijë në nënë.
Për këtë, të lindësh një fëmijë është si të lindësh edhe një dimension të ri të vetes ose një identitet të ri, atë të nënës, dhe kjo ndodh në çastin e lindjes së foshnjës, por që zhvillohet në mënyrë graduale.
Ndonjëherë është një rrugëtim që sjell edhe dhimbje. Momenti i lindjes paralelizohet me një dritare që ka qenë gjithmonë e mbyllur dhe papritur hapen të dy kanatat e lejon të hyjë drita, e reja. E reja duhet të integrohet brenda një personaliteti ekzistues dhe shpesh sjell humbje të aspekteve ose pjesëve tona që nuk janë më funksionale për këtë rol të ri.
Eksperienca e fëmijës së parë e vë gruan para detyrave prindërore dhe përkujdesit, të cilat janë shumë impenjative. Nëna e re përfshihet tërësisht në këtë rol, në të gjitha planet e ekzistencës së saj si: në planin fizik, mendor, emocional, por edhe atë shpirtëror apo ekzistencial (kuptimit të jetës). Nënat e reja përjetojnë kontraste në emocione të cilat nuk i shprehin, sepse shpesh nuk kanë pranë persona që t’i dëgjojnë. Është natyrale që një grua të ndjehet e gabuar, e papërgatitur dhe ndonjëherë, e papërshtatshme në kryerjen e këtyre detyrave të reja dhe shpesh pyet veten nëse mënyra e saj e prindërimit është më e përshtatshmja. Këto janë kritere të gjykimit të brendshëm, që përshkruajnë mënyrën që kemi për të fituar respektin e të tjerëve, duke lënë mënjanë disa pjesë të egos, të pangopura për përsosmëri, aspekte këto të ngurta, të cilat na bëjnë të humbasim besimin tek aftësitë tona.
Nënat e reja përjetojnë ndryshime të vazhdueshme humori kundrejt foshnjave të tyre, duke kaluar nga momente butësie e ngrohtësie në momente ku mbizotëron inati dhe dëshpërimi. Kalimi nga kënaqësia në dëshpërim është një eksperiencë e zakonshme. Ajo që mbetet e vështirë, është shprehja e këtyre emocioneve, të flasësh hapur me njerëzit përreth për ndjenjat pa u ndjerë të paragjykuar. Këto ndjenja në dukje ambivalente janë të kuptueshme për rolin e ri të nënës dhe do të shfaqen vazhdimisht në përditshmërinë e gruas. Mbështetja nga njerëzit përreth është e rëndësishme, sepse kur diçka mbahet përbrenda nga frika se mund të bëjë keq, bën më shumë keq!
Mbështetja ndaj mëmësisë
Mëmësia është në të njëjtën kohë një gjendje lumturie dhe vulnerabiliteti, kapacitet dhe burim kreativ që gërshetohen me dyshime, ankth dhe pavendosmëri. E rëndësishme është që në këtë fazë gruaja nuk duhet të ndihet vetëm dhe të ketë mundësinë të shprehet e të ndajë më të tjerët si momentet e zbrazëtisë, të frikës dhe ato të gëzimit të të qenit nënë. Për nënat e reja që po kalojnë këtë periudhë delikate, është i këshillueshëm këshillimi në grup, por në pamundësi të realizimit të tij, shoqërimi me nënat e tjera të reja mundëson përballimin e kësaj eksperience ndryshimi dhe transformimi, i cili bazohet në ndarjen eksperiencave dhe mbështetjen relacionale. Në këtë mënyrë nëna e re ndjehet më afër eksperiencës së nënave të tjera dhe konfrontohet në mënyrë jo paragjykuese e kështu arrin të shpreh gëzimet, frikërat dhe pasiguritë, duke qenë se ndarja e përvojave ka në vetvete një vlerë të rëndësishme terapeutike. Ndarja e eksperiencave të mëmësisë lejon hyrjen në botën e brendshme me delikatesë. Grupet e nënave të reja i lejon të zbulojnë mënyra të ndryshme për të përballuar situata të ngjashme. Gjithashtu, konfrontimi mes nënave ngjall kuriozitetin, ngrihen pyetje dhe u jepen edhe përgjigje, të cilat edhe pse larg së vërtetës ndihmojnë në kapërcimin dhe relativizimin e vështirësive.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.