Në fokus

May 5, 2017 | 11:18

Nga Afërdita Bano: Strategji për të lehtësuar gjumin e fëmijës tuaj

Nuk dua te fle.

Dita shkon drejt fundit, darka ka kohë që është ngrënë, dritat e qytetit një e nga një po shuhen, ndoshta edhe programi i preferuar televiziv ka mbaruar. Dëshira e vetme është të shtrihesh e të flesh, por nuk është kështu për fëmijën tuaj. Ai nuk ka gjumë, ndoshta edhe pse është lodhur gjatë ditës. Mundohet në çdo mënyrë të bëjë rezistencë vetëm e vetëm të mos flejë. Shpesh fëmijët dalin nga dhoma me justifikimin për të pirë ujë apo për të shkuar në tualet. Vijnë e futen në krevatin tuaj apo ju thërrasin për të disatën herë në dhomën e tyre. Kërkojnë për të ngrënë ose fillojnë të qajnë.

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Sa herë jeni gjendur në një situatë të tillë?

Në këtë artikull do të shohim disa strategji për të kontrolluar dhe përballuar këtë situatë, e cila ndodh zakonisht te fëmijët 3 deri në 10 vjeç. Këto sugjerime mund të personalizohen në bazë të temperamentit dhe moshës së fëmijës tuaj, sigurisht edhe stilit tuaj të prindërimit. Fillimisht e nisim me një përcaktim: Autonomia e fëmijës në procesin e fjetjes bën pjesë në procesin e rritjes, kështu që si i mësojmë fëmijës sonë si të hajë, të vishet, të lahet vetë, është e rëndësishme edhe t’i mësojmë si të flejë vetë. Sigurisht bëhet fjalë për një moment delikat, sepse disa mund të frikësohen nga ideja e të qëndruarit vetëm natën. Në këtë moment është shumë e rëndësishme që prindërit të tregojnë vendosmëri dhe qetësi në të njëjtën kohë, duke mbajtur parasysh se fëmijët pranojnë çdo gjë që prindi tashmë e  ka pranuar. Mënyra me të cilin një prind i propozon fëmijës së tij një aktivitet tregon në radhë të parë sesi prindi po e përjeton atë moment dhe kjo mund të ndikojë në sjelljen e fëmijës. Për shembull, të pyesësh fëmijën: ”Si thua sikur të provojmë të flemë vetëm, apo ke frikë? Formulimi i kësaj pyetje lë të kuptosh se prindi ka dyshime në aftësinë e fëmijës së tij për të fjetur vetëm. Një fëmijë që percepton pasigurinë e prindit të tij, vështirë se do të përballojë këtë iniciativë me qetësi. E njëjta gjë mund t’i thuhet fëmijës në një mënyrë tjetër: Ti je rritur tashmë dhe kur rriten fëmijët flenë vetëm në krevatin e tyre. E kuptoj që mund të jetë pak e vështirë në fillim, por kjo gjë duhet bërë”. Një propozim i tillë përmban një mesazh të dyfishtë. Nga njëra anë prindi kupton vështirësinë që mund të ketë fëmija dhe në të njëjtën kohë tregohet i vendosur në qëllimin e tij, duke i transmetuar fëmijës më shumë siguri. Duhet pasur kujdes që kjo të bëhet gradualisht në mënyrë që të mos krijohet një përvojë traumatike për fëmijën.

Këto janë disa këshilla dhe strategji praktike që mund t’i vijnë në ndihmë prindërve në këtë moment të rritjes së fëmijëve të tyre:

Rituale të këndshme dhe relaksuese mund të ndryshojnë në bazë të moshës së fëmijës tuaj dhe zakoneve familjare, por zakonisht mund të jenë: tregimi i një përralle para gjumit, dëgjimi i një kënge që fëmija pëlqen ose ninullë, një banjë me ujë të ngrohtë, një përqafim. Në këtë mënyrë fëmija e lidh mbrëmjen me këtë ritual dhe me një situatë të këndshme dhe relaksuese. E rëndësishme është që prindërit të jenë të përpiktë sa më shumë të jetë e mundur në krijimin e këtij zakoni. Gjithashtu është e rëndësishme që fëmija të jetë i vetëdijshëm se koha e këtij rituali është e limituar.

1

Ambienti i qetë e pa zhurma Ritualet për të cilat folëm më sipër vështirë se mund të funksionojnë në një ambient të zhurmshëm. Është shumë e rëndësishme që ambienti të mos ketë asnjë stimul që mund të tërheqë vëmendjen e fëmijës dhe gjithashtu kalimi nga një ambient i zhurmshëm në një të qetë të bëhet gradualisht. Mendoni se si do të ndiheshit nëse dikush ndërkohë që jeni duke parë një film që ju pëlqen, ju fik televizorin dhe ju kërkon të qetësoheni dhe të flini. A do të qetësoheshit apo do të bëheshit nervoz? E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët tuaj. Këshillohet që fëmija të lajmërohet se për pak filmi ose loja do të mbarojnë dhe t’i thuhet se për pak do të tregojmë një përrallë ose do dëgjojmë një këngë ose çdo gjë tjetër relaksuese që prindi ka zgjedhur. Në mbrëmje, zëri i televizorit duhet të ulet gradualisht, dritat fillojnë e fiken dhe në këtë mënyrë krijohet një ambient që mund ta ndihmojë fëmijën të bëjë një ndarje të aktiviteteve të ditës nga ato të natës.

Lodra pellushi Shpesh lodrat e pellushit i shoqërojnë fëmijët gjatë gjumit. Këta shoqërues specialë janë të butë dhe kanë aromë familjare për fëmijën, e ndihmojnë të ndjehet më pak i vetmuar dhe të durojë ndarjen nga prindërit. Ky objekt shfaqet zakonisht gjatë muajit të 7-9 dhe mund ta shoqërojë fëmijën gjatë gjithë rritjes. Lodra e pellushit  e ndihmon të luftojë ankthin, i cili vjen si pasojë e vetmisë. Kështu që është e rëndësishme që prindi të mos e nënvlerësojë.

pellush

Vizita të ritmuara çdo 10 minuta Nëse strategjitë e mësipërme nuk funksionojnë, atëherë mund të provoni këtë teknikë. Shtrijeni fëmijën në krevatin e tij dhe përkëdheleni duke i folur me fjalë të ngrohta për ta bërë të ndjehet i sigurt dhe i mbrojtur, më pas lini dhomën edhe nëse ai nuk dëshiron. Pas 10 minutash rihyni në dhomën e fëmijës përsëri dhe nëse i nuk është i qetë mund ta shtrini duke e përkëdhelur ëmbëlsisht në shpinë e më pas dilni sërish nga dhoma edhe nëse ai proteston. Gjithçka duhet përsëritur çdo 10 minuta derisa fëmija të qetësohet. Ditët e para do të jenë të vështira, por nëse prindërit tregojnë vendosmëri, në ditët që do të pasojnë do të ketë përmirësime. 

Paralelisht me këto strategji, prindërit duhet të jenë vigjilent dhe të pyesin veten mbi sjelljen e fëmijës së tyre. Sjelljet kapriçoze  mund të fshehin një vështirësi që fëmija mund të ketë dhe që nuk mund ta shprehë me fjalë, sepse momenti i gjumit te fëmija mund të nxisë frikëra të ndryshme, duke filluar që nga frika, nga errësira, e deri te ankthi i ndarjes nga prindërit. Prindërit duhet të kuptojnë këto sinjale dhe të pranojnë dhe kuptojnë frikërat e fëmijës. Në këtë situatë më shumë se kurrë qortimet dhe ndëshkimet nuk funksionojnë, vetëm e bëjnë fëmijën konfuz dhe të vetmuar, aq më tepër tani që atij do t’i duhet “të flejë i vetëm”.

Prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në këto situata. Në fakt ankthi i ndarjes mund të jetë i pranishëm si te fëmija edhe te prindërit. Shpesh, në mbrëmje është momenti i vetëm kur familja bashkohet, kështu që shtyrja e orarit të gjumit mund të jetë nevojë si e fëmijës edhe e prindërve. Prindërit duhet të kuptojnë se këto sjellje mund të pasqyrohen edhe në sjelljen e fëmijës së tyre. Prindërit në shumë raste e ftojnë fëmijën të shkojë në shtrat, por më vonë ndjejnë nevojën për t’u shtrirë bashkë me të apo ta pushtojnë me pyetje e përkëdhelje. Kjo edhe pse e kuptueshme, nuk e ndihmon fëmijën  të arrijë një autonomi dhe të përjetojë qetësisht momentin e gjumit.

Prandaj prindër kujdes! Duhet të ndani nevojat tuaja nga ato të fëmijës tuaj!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top