Psikofakt

June 18, 2019 | 10:05

Nga Alba Dajlanaj: Nuk ka më “Së bashku”… komunikimi teknologjik e ka zhbërë mjerueshëm përditshmërinë me të tjerët

 

Tek shikoj këtë tablo, më jep ndjesinë e një arome të njohur që buron nga natyra, sepse është kaq i natyrshëm ky qëndrim i ulur në natyrë ku merr kuptim fjala “së bashku”.

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Të gjithë kemi ardhur vetëm në këtë jetë, por na duhet të jetojmë në një botë së bashku, sepse duam apo nuk duam, ne jemi hallka të një zinxhiri shoqëror, jemi individë të organizuar për ta shijuar këtë botë në bashkësi. E shqiptoj fjalën së bashku dhe çuditërisht, mimika pa dashur më lëviz, buzëqesh, kërkoj ta mishëroj diku apo ta identifikoj me ndonjë situatë, por mendimi vështirësohet.

Marshimi kaotik i përditshmërisë duket sikur të zë frymën, e të duket sikur nuk do të gjesh kurrë një pikë takimi me veten. Një pikë takimi me gjënë më të shtrenjtë që na është dhënë, me botën tonë shpirtërore. Ditët janë kaq të ngarkuara dhe trysnia e përditshmërisë të shtyp, e ti nuk gjen dot një cep në axhendën tënde që në fund të ditës t’i kushtosh pak kohë  vetes. Gati-gati koha e lirë ka marrë kuptimin e një relikeje që percipiton e rrëshket çdo ditë e më shumë në atë oqean të pafund mbingarkese të përditshmërisë.

Por kohët kanë evoluar, dhe duket sikur ky koncept natyror që quhet bashkësi, sikur po merr një trajtë të denatyruar. Teknologjia ka avancuar me hapa galopantë, dixhitalizimi dhe lundrimi në internet zë vëllimin më të madh të kohës në shoqëri. Të vjen keq kur vështron se si edhe brenda në familje të komunikosh me pjesëtarët e familjes është bërë kaq e vështirë.

Për një moment t’i hyn në dhomën e fëmijës dhe i jep një këshillë apo i kërkon të bëj detyrën e ngarkuar, përgjigja të vjen pa e ngritur kokën nga sipërfaqja e telefonit dhe pasi të ka dëgjuar me kokën ulur të kthen një përgjigje të ngatërruar nëpërdhëmbë. Pastaj t’i largohesh dhe merr një shenjë që të dikton me dorë të mbyllësh derën, – mos e lër hapur – dëgjohet një zë nën zë. Sigurisht i duhet qetësi, i është prishur qetësia. Ato pak sekonda që ti i ke njoftuar për diçka të rëndësishme, i ka shpëtuar nga vëmendja diçka tepër interesante e servirur nga rrjetet sociale.

Del nga shtëpia, ecën me nxitim në destinacionin e radhës të axhendës tënde, gati sa nuk përplasesh me të rinj që nuk e ngrenë kokën fare, por të qetë dixhitojnë dhe çatojnë sikur janë në oborrin e shtëpisë së tyre. Në këto raste duhet të kesh mendjen se e ke të sigurt një përplasje kokë më kokë, dhe ka shumë mundësi të të mos kërkojnë as falje se të shikon i habitur sikur ke zbritur rastësisht nga Marsi dhe i ke prishur qetësinë. Të qëllon që duhet të ulesh në kafe me një shoqe apo të afërt, t’i hedhësh një sy lokalit, nuk shikon njeri duke komunikuar, por të gjithë vështrojnë me një interesim të jashtëzakonshëm sipërfaqen e ftohtë të telefonave android.

Komunikim nuk ka, komunikimi ka humbur në errësirën dhe në labirinthet e një vëmendjeje të çuditshme mbi telefon, a thua sikur ai telefon është burimi i vetë jetës. Merr autobusin, pothuajse të gjithë të rinjtë dhe mosha e mesme janë me kokë të përkulur mbi android, madje një nënë e re, për të qetësuar fëmijën e saj nuk ngurron t’i japë telefonin  dhe i regjistron shpejt një lojë video game dhe fëmija hutohet e qetësohet pa u munduar fare, madje pa i folur fare. Jo nuk ka nevojë t’i flasësh, si me një buton ti e qetëson pa komunikuar fare me të, duke e trajtuar edhe fëmijën si një objekt elektronik.

Komunikimi, një nga katalizatorët më të mëdhenj e më transformues të shoqërisë tashmë është zëvëndësuar. Ndoshta është e dhimbshme tek shikon se si një nga faktorët më natyral që e bën njeriun një qenie sociale, po sfumohet e tretet si një re e bardhë në qiellin e madh të dixhitalizimit. Madje, po ta shikosh me një sy të hollë, duket sikur i gjithë qëllimi i zhvillimit galopant i kësaj teknologjie është ta kthejë qenien humane në një qenie autike, të gjithë me një telefon në dorë, kokën poshtë, sytë mbi sipërfaqen e telefonit për minuta e për orë të tëra në mënyrë të përsëritur. Më falni po këto janë tipare të një qenieje autike, sot shoqëria po merr nuanca autizmi. E mbasi është lundruar për minuta e orë në internet, kur koka ngrihet nga ajo sipërfaqe që të mban lidhur pa mëshirë, të duket sikur je i huaj në mjedisin tënd.

Pra nuk po shijojmë as mjedisin, as kohën, as familjen, as shoqërinë, komunikimin normal, kujdesin ndaj fëmijve, çdo gjë që ka tiparet e një jete normale sociale e humane, e cila po zverdhet, po rrëshket si një relike në fund të këtij oqeani të madh interneti.

Ndoshta bota, humanizmi po përgatitet për një transformim rrënjësor, që nuk mund ta quajmë as revolucion, sepse revolucionet kanë pasur gjithmonë një kosto, por kanë ardhur gjithmonë në të mirë të njerëzimit. Të humbasësh komunikimin nuk është aspak në të mirë të njerëzimit, të zhdukësh komunikimin do të thotë ta zhdukësh njerëzimin.

Dalngadalë po i afrohemi tjetërsimit, tjetërsimit të botës humane që nuk dimë si ta emërtojmë. Ndoshta njerëzimi po përgatitet për dimensione të tjera jete, por që sigurisht nuk do të jetë aspak e ngjashme me këtë tonën, është e dhimbshme, por humane kurrsesi nuk do të jetë, humanoide ka shumë gjasa të jetë.

2

Nuk e di se si dhe me çfarë syri do ta shikojë nesër këtë tablo një humanoid, a do të jetë në gjendje të zbulojë emocionin që përcjell ky artifakt i botës humane?

Sot kjo tablo na duket si një relike, një relike e kohërave plot ngjyra, e kohërave mbushur me humanizëm. Kjo tablo gati-gati do të mbetet epokale, sigurisht e një epoke kur humanët ditën të jetojnë në harmoni me natyrën, e cila i solli në jetë për t’i dhënë kuptim ekzistencës!

E ndërsa e vështroj me vëmendje këtë tablo, mendoj:

Kohë e lirë… pothuajse të mallëngjen kjo tablo. Duket sikur është kthyer në një simbol të atyre kohërave të largëta, pa kthim. Është e dhimbshme, por tashmë janë pa kthim. Ishin kohëra kur ne shikonim dhe lexonim njëri-tjetrin me sy, atëherë shpirti kishte sy! Dhe ne çuditërisht ishim më të ndjeshëm!
Por tani, ah tani, tani shpirti ka ulur sytë. Ai nuk vështron dot një palë sy që ndoshta kanë diçka për të thënë. Tani sytë shohin vetëm sipërfaqen e lëmuar të një androidi “PA shpirt”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top