Në fokus

September 2, 2019 | 9:11

Nga Alba Dajlanaj: Revolucioni psikosocial që ndryshoi gruan shqiptare nga një tabu natyrore fiziologjike

E lehtë e butë dhe komode, në përputhje me anatominë e trupit të një gruaje dhe ekskluzivisht për një grua. Bëhet fjalë për një pecetë përthithëse, tepër komode për të përballuar ciklin e të përmuajshmeve tek gratë. Pra, është ajo e famshmja, peceta LINES që nuk ishte parë në Shqipëri përpara viteve ’90. Gratë, nënat, vajzat dhe motrat tona të atyre viteve e kujtojnë fare mirë atë ndjenjë çliruese që përftoi mbërritja e pecetave LINES në vendin tonë pas viteve të regjimit totalitar.

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Më duhet ta theksoj se mbërritja e këtyre pecetave në tregun e varfër shqiptar të atyre viteve ishte baraz me një revolucion psikosocial për gruan shqiptare. Në vitet ’90 lista e asortimenteve të importuara nga vendet fqinje u bë e gjatë, mund të përmendim një mori produktesh të cilat shënuan një etapë të re në jetën e shqiptarëve. P.sh: sapuni pesëmbëdhjetë lekësh prodhuar në Kavajë u zëvendësua me një mori shamposh. Deodorantët e trupit që s’ishin parë deri atëherë dhe një mori llakrash e xheli për flokët, kremra të ndryshëm për fëmijë e të rritur, pra të gjitha këto e të tjera shënuan një erë të re për jetën e shqiptarëve në përgjithësi.

Por për gruan, nënën, motrën, vajzën shqiptare, për heroinën e viteve aq të vështira, për të mbërritja e pecetave Lines vetëm në vitet ’90 shënoi një çlirim sa fizik po aq edhe psikologjik. Pothuajse ngjante me një revolucion psikosocial në jetën e saj intime.

Ajo pecetë e bekuar Lines e çliroi gruan shqiptare njëherë e përgjithmonë nga ajo angari fizike dhe orë të gjata në tualet tek merrej me pecetat e saj.

Po të hedhim një vështrim mbrapa në historinë  e pecetave higjenike, bota i referohet viteve shumë të hershme, për shembull, për herë të parë peceta përthithëse është përdorur në shekullin e dhjetë në Greqinë e lashtë, ku thuhet se një grua ka hedhur një prej pecetave të saja të përdorura për një admirues në përpjekje për ta hequr atë qafe…

Ishte Benjamin Franklin i cili në vitin 1888 ideoi peceta përthithëse për plagët e gjakosura të ushtarëve e më pas idea e tij u shfrytëzua për të prodhuar pecetat e quajtura “Southball” pad (linesat e jugut). Po ashtu në Amerikë Jonson&Jonson më 1896 dha versionin e saj dhe i quajti ato “Lister”s Towel (peshqiri higjenik për femra). Problemi ishte se gratë nuk ndiheshin qetë kur e shqiptonin këtë dhe në 1920 ajo u quajt Newpak një emër që s’kishte të bënte me përshkrimin e produktit.

Në Evropë u ideuan mbi një fashë me një masë të butë druri për herë të parë nga disa infermiere franceze. Ato ishin tepër thithëse dhe të lira. Të gjitha këto të dhëna na tregojnë se gratë nëpër botë i kanë njohur pecetat përthithëse tre shekuj përpara, që do të thotë se edhe çlirimi i tyre nga ai fenomen tabu ka shekuj që është shuar. Në Shqipëri ka vetëm njëzeteshtatë vjet që i kemi njohur. Vetëm dy dekada e gjysmë që një grua shqiptare është çliruar nga ai stërmundim fizik por edhe psikologjik. Të gjithave na kujtohet se si shikonim vjedhurazi reklamat që jepeshin në kanalet e huaja televizive të Rai Uno-s apo te Beogradi minuta të tëra të përsëritura vetëm për pecetat Lines,të shoqëruara me fytyra të qeshura vajzash dhe pse jo të lumtura. I shihnim dhe shikimi devijonte në krahun tjetër, sigurisht për një grua shqiptare ishte një tabu. Ishte një sensacion t’i shikoje këto reklama në vitet ’90 në kanalet tona televizive, por u deshën vite të sheshohej ai mal tabuje që ish ngritur në psikologjinë e një gruaje shqiptare.

Nuk ishim të dënuara biologjikisht, por kulturalisht po. Në kornizën e kulturës shqiptare, një grua me të përmuajshme nuk ishte aspak e qetë. Ato duheshin fshehur nga sytë paragjykues mashkullor. Gruas i krijohej një gjendje e çuditshme. Ajo duhej të fshihej nga vetja, nga femra brenda saj, të përballonte sjellje vulgare edhe brenda llojit të saj, e për mos të përmendur shikimet e hedhura vjedhurazi nga meshkujt sikur të kish kryer ndonjë krim.

Historikisht një grua në Shqipëri nuk guxonte të thoshte me zë të lartë “të përmuajshmet” por vetëm nën zë, në veshin e nënës apo të shoqes “jam me ato” ose “më kanë ardhur shoqet apo tezet“, duket sa qesharake po aq dhe e dhimbshme që sa më shumë i afroheshim mileniumit të ri, aq më pak  kishim kurajë të flisnim hapur për diçka natyrale, për atë proces aq natyral që na bënte femër, e që duhet të ishim të lumtura që ishim të tilla.

Në ato ditë kur aq natyralisht është një femër, gruaja në Shqipëri mund të ndjehet në siklet edhe me të atin që e solli në jetë apo nje motër që ndan dhomën me vëllain, e për mos të përmendur rastet kur i kalon kufijtë e një paradoksi kur në një rreth shoqëror nuk mund të thuhet hapur se jam në ditët e të përmuajshmeve. Ndoshta duhej të mohoje veten, të fshihje të natyrshmen brenda teje, është njëlloj sikur të mohosh veten tënde. Paradoks!!!

A është sot akoma një tabu të shprehemi lirshëm për të përmuajshmet? Peceta Lines shënoi një revolucion, ishte një çlirim sa fizik aq edhe psikosocial. Peceta Lines ishte një fitore e heshtur për një grua shqiptare, ajo i tha lamtumirë orëve të zgjatura në tualet tek merrej me pecetat e saj, ishte një fitore e heshtur për një grua, për një motër, madje edhe për një vajzë 12-13-vjeçare, e cila nuk kishte mësuar akoma të lante teshat e saj, por ja që duhet të lante pecetat e saj!

Një grua shqiptare sot në mënyrë demonstrative dhe fare e qetë mund të zgjidhi në një supermarket pecetat e saj më të mira e më komode dhe t’ia vërë përpara një shitësi pa ndrojtje, dhe e bën këtë e bindur, duke i kujtuar shoqërisë se është e lumtur që është një femër dhe për këtë duhet respektuar.

A është sot një grua më e lumtur me pecetat Lines? Mund të mos jetë më e lumtur, por sigurisht që është më e qetë, ndjehet më komode, mund të punojë e qetë për orë të tëra dhe të mos frikësohet nga të papriturat. Ajo gjithashtu është më e qetë në familje dhe në rrjetin e saj shoqëror. Sot një grua mund të diskutojë hapur me familjarët e saj për të përmuajshmet dhe nuk ndjehet aspak në siklet.

E ndërsa bota e arriti tre shekuj më parë këtë revolucion, ne e njohëm vetëm njëzet e shtatë vjet më parë, por më mirë vonë se kurrë!

Gra, nëna, motra, vajza, të përmuajshmet nuk janë më një tabu por janë një gëzim, një mbarëvajtje fiziologjike. Revolucionet industriale kanë shënuar çlirime psikosociale për femrën mbarëbotërore. Sot një grua me prodhimin e elektroshtëpiakeve nuk lan më rroba me dorë apo nuk lan më enët me dorë, ajo ka më shumë kohë për t’ia dedikuar vetes dhe fëmijëve. Sot një grua në Shqipëri nuk mund të konceptojë më ditët e të përmuajshmeve pa pecetën Lines, ashtu si një i ri sot nuk mund të konceptojë ditët pa internet.

Edhe pse i njohëm vonë pecetat Lines përbëjnë një nga revolucionet e shumëpritura për një femër shqiptare, duke shembur tabu e duke sjellë çlirime të konsiderueshme psikosociale!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top