Gjatë zhvillimit të personalitetit ka shumë faza situative jetësore në të cilat formësohen pasiguri, vetëvlerësim i ulët, mungesë besimi në vete etj. Këto aspekte të vetes nuk zhvillohen pa një shkak. Në fakt, situatat në të cilat mësohen, janë aq të forta sa dhe vështirësia për t’i zhbërë ato. Qysh prej fëmijërisë së hershme të ashtuquajturat “dështime” zënë vendin e tyre menjëherë te ne. Nga këto dështime ne mund të vuajmë gjithë pjesën tjetër të jetës nëse nuk nxitojmë të zgjidhim fiksimin me to.
Sigurisht që, në të shumtën e rasteve, situatat do ndikojnë personalitetin tonë nëse ne ua lejojmë këtë.
Çfarë do të thotë kjo?
Nëse në një situatë dështojmë, fakti nëse ky dështim do ndikojë apo jo personalitetin tonë varet nga ne. Janë mendimet dhe emocionet tona që bëjnë mirëpranimin apo nxjerrjen jashtë të dështimit. Më poshtë do të shpjegoj më konkretisht si ndodh kjo.
Një nga elementet që ulin në mënyrë të ndjeshme besimin në vetvete është se, kujt ia atribuojmë dështimin. Ndryshe kjo ka kuptimin: kujt ia hedhim fajin për dështimin? Vetes, të tjerëve apo fatit?
Nëse gati në të gjitha situatat ne ia vendosim fajin për mosarritjet vetes në krahasim me elementët e tjerë, atëherë dëmtimi i vetëbesimit do të jetë gjithnjë e më në rritje.
Nëse mësojmë të mendojmë se, dështimet nuk mund të jenë vetëm të ndikuara nga ne, do të ishim më të qetë, emocionet drejt vetes do të ishin më pozitive dhe dëshira për të rritur vetëbesimin do të ishte më e madhe.
Kur atribuimet janë fuqimisht të drejtuara drejt nesh, duhet patjetër që shprehjet që i themi vetes të ndryshojnë në këtë formë nga:
-Është i gjithë faji im! | -Në: Padyshim dhe unë kam pjesën time të fajit, por edhe situata nuk favorizoi aspak aftësitë e mia.
Nëse vazhdimisht do i drejtohemi vetes në të tilla forma, gjithmonë e më tepër do pakësojmë emocionet negative ndaj saj duke rritur vetëbesimin.
Një tjetër aspekt që ka rëndësi të madhe është forma e emocioneve që u japim mendimeve. Nëse mendimeve do u vendosnim nota pesimiste si:
-Unë nuk vlej
-Unë nuk di
-Unë nuk jam
-Çdo gjë e bëj keq etj.
Sigurisht që vetvetja do të kërkojë të vetëpërmbushë profecinë që ajo predikon.
Me çfarë ka të bëjë kjo vetëpërmbushje profecie?
Ka të bëjë me faktin që jemi vet ne që me mendimet, emocionet e besimet tona e çojmë veten në dështime. Nëse vazhdimisht do i themi vetes shprehjet e mësipërme, do arrijmë deri aty sa t’i besojmë e më pas të sillemi si ato na diktojnë.
Çfarë duhet të bëjmë që kjo mos të ndodhë?
Duhet patjetër që shprehjeve t’iu japim një tjetër formë, një mendim pozitiv që përputhet me emocionet pozitive.
P.sh në vend të: Nuk di! | Në: Di!
Në vend të: Asgjë se bëj mirë! | Në : Do mundohem ta bëj mirë, nëse të tjerët e bëjnë edhe unë mundem etj.
Pra siç shihet, në fakt vetëbesimi më tepër se i ndikuar nga faktorë të jashtëm, ndikohet nga ajo çfarë ne vet i sinjalizojmë përmes mendimeve, emocioneve e besimeve tona. Përmirësimi i këtyre të fundit do na bëjë të funksionojmë më mirë jo vetëm në aspektin vetjak, por edhe në atë social.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.