Mirëqenie

December 23, 2019 | 8:12

Nga Alborena Hylviu / Festat dhe psikologjia e dhuratave

Marketingu ka gjetur në psikologji një mjet shumë interesant që të mbërrijë drejt e në zemrën e konsumatorit. Asnjëherë si në këtë periudhë festive – ku blerjet dhe dhuratat bëhen pothuajse një nevojë – janë krijuar strategji të fuqishme që e ftojnë klientin të blejë dhe shpenzojë sa më shumë të jetë e mundur.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Teknikat e marketingut janë zhvilluar në kohë, duke u rritur edhe falë studimeve të psikologjisë. Në fakt, fillimisht shitësi synonte identifikimin e dëshirave të konsumatorit dhe për të realizuar kështu reklama që nxirrnin në pah produktin në fjalë, duke e ftuar blerësin që ta merrte me çdo kusht atë produkt. Më vonë, shitësit kuptuan se njerëzit kishin tendencën të blinin më shumë produkte me një logo të përcaktuar dhe që dallohej lehtë.

Po sot? Sot ndjenjat duket se janë thelbësore për të blerë një produkt të caktuar. Në fakt, synohet një spot që zhvillon te konsumatori ndjenja pozitive dhe që, duket sikur do t’i japë trurit të konsumatorit mesazhin: “Që të ndihesh i lumtur, ke nevojë të më blesh”! Edhe brenda dyqaneve përcaktohen teknika që favorizojnë shitjen. Teknika e parë që pa dyshim nuk duhet të kalojë pa u vënë re, është muzika. Në këtë periudhë festash, muzika që dëgjojmë nëpër dyqane është shpesh me ritëm dhe me nota të gëzueshme, në mënyrë që gjithçka brenda dyqaneve të duket më e bukur dhe e denjë që të blihet.

Marketingu dhe teknikat e tyre përgjatë afrimit të ditëve festive, ka arritur t’i bëjë festat më të lehta për të gjithë, sepse në listën e dhuratave kemi pako dhe produktet më të mira për të gjithë, duke filluar nga dhuratat e shumta për fëmijë, të cilat janë të mbushura vetëm me gjëra cilësore, e deri tek ëmbëlsirat për të gjithë anëtarët e familjes.

Mjaft me ndjenjat e fajit, shopping-u është terapeutik. Ul stresin, dobëson dhe përmirëson vetëbesimin. Në këtë konkluzion dalin ekspertë të fushës. Për herë të parë vërtetohen shkencërisht përfitimet e blerjeve. Qetëson ankthin, pakëson stresin, rrit vetëvlerësimin dhe ofron shumë përfitime nga këndvështrimi psikofizik. Kjo tezë mbështetet nga një studim shkencor i bërë nga një grup studiuesish në Taivan, Australi me 1900 persona, femra dhe meshkuj.

Studimi është botuar në “Journal of Epidemiology&Community Health”. Ata dolën në përfundimin se ndër personat e moshës mbi 65-vjeç që i dedikohen blerjeve gjashtë ditë në javë, niveli i vdekshmërisë është 28% më pak se sa ata që preferojnë të kursejnë. Kjo pasi të dalësh nëpër dyqane bën të mundur ushtrime të vazhdueshme fizike si dhe përmirëson gjendjen shpirtërore. Shkenca ka provuar që blerjet kanë një ndikim pozitiv të menjëhershëm te lumturia. Ata që bëjnë blerje në fakt janë tre herë më të lumtur si dhe kanë një aftësi më të madhe kontrolli për jetën e tyre se sa njerëzit që u hedhin vetëm një sy vitrinave. Festa të mbara dhe mendoni për mirëqenien tuaj!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top