Libri dhe leximi, dy miqtë tuaj më të mirë, na ka qëlluar të gjithëve të kemi lexuar ndonjë libër aq përfshirës saqë s’e kemi kuptuar sesi ka kaluar koha, as që jemi vetëm në dhomë pa shoqërinë e dikujt.
A kanë librat një forcë të tillë sugjestionuese që na prek ndërgjegjen apo atë nënndërgjegje tonën?! Ne i krijojmë personazhet sipas mënyrës që i lexojmë dhe vuajmë e qajmë së bashku me ta. Nga e ka zanafillën kjo lidhje kaq e ngushtë e njeriut me librin? Leximi është po aq i hershëm sa vetë lindja e njerëzimit dhe sa slogane janë krijuar e përdorur ndër vite për të bindur njerëzit të lexojnë, të kuptojnë bukurinë e fjalës, forcës së saj dhe aftësitë për të ndryshuar ndjenjat tona. Librat janë thesar, por edhe “burg”!
Leximi është arma e fortë e një të mençuri. Nuk është e habitshme të përfshihesh aq shumë në histori sa të nxjerrësh përfundime dhe parime për jetën e çdokujt. Leximi transmeton shumë më tepër se një bisedë mes miqsh. Librat përmbajnë mendimet më të zgjuara dhe më të vlefshme të kohës, ato të cilat nuk i kanë lënë t’i marrë era. Kjo arsye i bën librat më sugjestionues dhe të konsiderueshëm. Bota e librit është e pasur dhe të bën të ndihesh inferior para tij dhe si të kesh një shok të mirë që gjithnjë është më i mirë se ty e kurdoherë të mëson pa krijuar komplekset e një marrëdhënieje shoqërore.
Leximi është art
Libri përmban art dhe arti na ushqen me pozitivitetin e të mësuarit dhe të nxënit pa moshë e te secili transmetohet në mënyrë të natyrshme. Secili ndihet i gjithëpërfshirë në një situatë sa intelektuale, aq edhe familjare. Të lexuarit është një botë mbrojtëse, një botë e dytë ku çdokush, që nga fëmija që mëson germat e para e kur mëson të shqiptojë e gërmëzojë e që më pas kur çdo prind e fillon fëmijën të mësohet me botën, realen dhe atë forcë që të jep leximi.
Nevojë jetësore
- Të lexuarit sjell dhe një gjumë të rehatshëm. Ndikon pozitivisht në orarin e fjetjes.
- Psikologjikisht libri ju shëron dhe shmang çdo stres që varion nga çfarëdolloj situate.
- Luan rol thelbësor në hedhjen pas krahëve të shumë situatave apo vështirësive.
- Është një nevojë, jo vetëm sepse i përshtatet çdo grupmoshe, por edhe sepse leximi ju edukon. Ndikon
drejtpërdrejt në sjelljen dhe kulturën tuaj. Nuk mund të jemi të pacenuar nga kultura të tjera që na rrethojnë. Do të ndikoheni edhe nga ato e në mënyrë të pavullnetshme, por çështja është që ky ndikim të jetë pozitiv dhe të shërbejë si një forcë e si një gjë e mirë. Kjo arrihet vetëm përmes leximit, librit dhe informimit në çdo faqe të tij.
- Për këdo do të ishte pozitive mbajtja e një libri në çantë. Në çdo kohë e kemi nevojën dhe domosdoshmërinë e tij.
Me forcën e fjalës luftohet dhuna
Fjalët janë si një organizëm i gjallë, të afta për t’u rritur, ndryshuar, përhapur dhe ndikuar botën direkt me mënyra të ndryshme. Fuqia e fjalës mund të quhet edhe “organizmi më jetëgjatë” në planetin tonë.
Të gjithë, në shoqërinë e sotme, jemi të përfshirë nga dhuna, një dhunë e cila po shkakton zhurmë shurdhuese në realitetin tonë. Me forcën e pushtetin që zë fjala vlen të tregoheni sa më shumë të vetëdijshëm ndaj kësaj dhune, të ndërgjegjshëm për çnjerëzinë dhe pakuptimin e saj. Arti i fjalës, i komunikimit, është ai që thyen përfundimisht qarkun e urrejtjeve, shpagimeve, hakmarrjeve dhe sjell drejtësinë e paqen. Forca e shpirtit tonë dhe mosbashkëpunimi me të keqen është po aq i vlefshëm sa bashkëpunimi me të mirën. Fjala është jo vetëm një detyrë morale, por ajo që parandalon kudo dhunën.
Forca dhe kuptimi që jep fjala kurrë nuk mund të shmanget, kurrë nuk tërhiqet, nuk lëshon, por edhe kurrë nuk qëllon.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.