Për të filluar punën sa më mirë pas pushimeve verore, fjalët kyçe janë: organizimi, kontrolli i ekuilibrit”, thotë Roberta Lambert, menaxhere shitjesh pranë Seltis, kompani kërkimesh dhe seleksionimesh në Openjobmetis, e para dhe e vetmja agjenci për punën e listuar në Bursën Italiane. Njerëzit në periudha të caktuara të vitit mund të bëjnë pushime në vende të ndryshme, por që përveç kënaqësisë dhe çlodhjes që marrin, këto pushime i shkëpusin nga puna e përditshme. Në këtë mënyrë produktiviteti bie pas kthimit të tyre nga pushimet.
Nuk kanë qenë mjaftueshëm të gjata dhe relaksuese?
Është koha për t’u ndërgjegjësuar me faktin se mund të vuani edhe me sindromën e kthimit në punë. Është një shqetësim kalimtar, i lehtë, por që në situata të veçanta, mund të komplikohet dhe mbi të gjitha të bëjë ditën e punës një ëndërr të keqe. Në psikologji, në fakt, ka qenë e njohur simptoma e depresionit gjatë pushimeve, e quajtur ndryshe “Blues Holiday”. Ky lloj depresioni kalohet më së shumti te njerëzit që pushimet i konsiderojnë një moment të përshtatshëm për të reflektuar mbi atë që kanë bërë dhe atë që nuk kanë mundur dot të bëjnë.
Shumë prej tyre kalojnë në depresion në momentin kur konstatojnë se kanë bërë më shumë gabime dhe kjo kohë e kaluar në vetmi, duke shqyrtuar veten, u shndërrohet në një kohë të zymtë. Por së fundi është zbuluar se stresi dhe depresioni vazhdojnë me ritme të njëjta, në mos më shumë, edhe pas pushimeve. Njerëzit e kanë vështirë të rifillojnë punën. Së pari, psikologët këshillojnë që njerëzit tek të cilët konstatohen këto simptoma, të mos mendojnë se po kalojnë një gjë të çuditshme. Është mëse normale kjo gjendje, ndaj duke e konsideruar si të tillë, gjasat për ta kaluar më shpejt janë edhe më të mëdha.
“Mbajeni veten të zënë me punë të ndryshme”, këshillojnë psikologët. Duke i hapur vetes punë, do të kesh më pak kohë për të medituar për pushimet apo kohën e kaluar.
Stresi i kthimit nga pushimet ekziston, por mund të kontrollohet. Ja disa këshilla për të shmangur gjendjen në vështirësi pas pushimeve.
Aktivitet fizik
Një mënyrë e mirë për të ndihmuar organizmin që të përshtatet me regjimin e ri, janë edhe ushtrimet gjimnastikore, vrapi apo fizkultura në ajër të pastër. Mos u mbyllni në palestër! Është më mirë të vraponi jashtë, në ajër të pastër se sa të ushtroheni në një hapësirë të mbyllur, pra në palestër.
Mos u merrni me fotografitë
Një prej arsyeve që ju mban të lidhur edhe për një kohë të gjatë me kujtimet janë pa dyshim fotografitë. Shkarkojini ato në kompjuter, por refuzoni të kaloni kohë duke i parë. Të paktën derisa të ndjeni se jeni futur në ritmin e ri dhe në monotoninë e përditshme.
Flini më pak
Përgjithësisht, njerëzit që rikthehen nga pushimet, dëshirojnë të flenë gjatë. I zë gjumi shumë vonë dhe ditën mezi zgjohen. Psikologët këshillojnë, përpiquni të flini herët e të zgjoheni gjithashtu herët. Ndonëse mund të jetë e vështirë në fillim, është një mënyrë shumë e mirë për ta ndihmuar organizmin dhe mendjen tuaj të kthjellohet nga kujtimet dhe të përqendrohet në përditshmërinë normale. Nuk ka problem se ca gjëra që kishit planifikuar nuk mund t’i bëni dot ashtu siç do donit!
Mos kërkoni perfeksionin
Jo të gjitha planet mund t’ju realizohen dhe jo gjithçka mund të shkojë vaj. Por kjo nuk është aspak arsye që të stresoheni më shumë. Lëreni pas vetes çdo “dështim” të vogël dhe fokusohuni gjithmonë te planet e reja. Ju mund të keni pritshmëri të larta për performancën tuaj, por është normale që të zhgënjeheni, pasi keni kaluar një kohë të konsiderueshme pushimesh.
Shenjat dalluese të sindromës pas pushimeve
Në fakt simptomë dominuese është melankolia, një trishtim i lehtë, që sipas disa të dhënave prek 1 në 10 persona. Sipas disa kërkimeve shkencore, në pak ditë, pasi pushimet kanë mbaruar, zhduken dhe efektet e mira të relaksit të përfituar, vjen gjendja e rënduar psikologjike, shqetësime të gjumit, depresion dhegjendje ankthi.
Stresi i kthimit
Stresi është një përgjigje fiziologjike, natyrale e organizmit tonë dhe e ndryshimeve të situatave të përsëritura, që tentojnë të zgjidhen vetë. Nëse zgjat për shumë kohë, rrezikohet të bëhet patologjik, qoftë nga pikëpamja fizike ashtu dhe psikike. Ndan vlen parandalimi. Në rastin e lodhjes fizike (e kombinuar me gjumë) mund të konsumoni çajra që ju qetësojnë. Në fakt është thelbësore të gjeni bilancin e duhur mes një menaxhimi korrekt të kohës, impenjimeve dhe një verifikimi të përpiktë të aktiviteteve pezull dhe atyre të programuara. Të japësh maksimumin në punë është e rëndësishme, por duhet edhe të përballosh detyrat me një gjendje shpirtërore të duhur dhe të mos sforcosh shumë ritmet kur kthehesh nga një periudhë relaksi dhe kohe të lirë. Gjithsecili ka nevojë për pak kohë për t’iu kthyer përditshmërisë.
Pushimet vijnë sërish, por koha jo…
Dhe së fundi, mos harroni që pushimet do të vijnë sërish. Në dimër, apo verën e ardhshme, do të kaloni sërish momente të bukura dhe të paharrueshme, larg stresit dhe monotonisë së përditshme. Ama, koha që jeni duke jetuar nuk ka për t’u kthyer asnjëherë. Kështu që, jepini forca vetes dhe mos lejoni që të ikë kot asnjë moment. Jeta vazhdon!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.