Në fokus

February 13, 2019 | 8:17

Nga Alborena Hylviu / Shën Valentini, më shumë se një festë

Dita e Shën Valentinit, Dita Botërore e Dashurisë, Dita Botërore e të Dashuruarve. Në jetën tonë të përditshme ajo tashmë shënon një nga festat më të hareshme dhe më gazmore. Në jetën e natyrës, ajo shënon atë fazë zgjimi ku gjithçka në natyrë kërkon të çiftëzohet, zogjtë, lulet, e gjithë bota e gjallë.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Me Ditën e Shën Valentinit fillon Stina e Dashurisë, e cila përshkon gjithë muajt e pranverës, pra të luleve, të gjelbërimit, të lindjes dhe të pjekjes së frutave të pemëve. Megjithëse njihet si një feste pagane, ajo festohet si Dita e Shenjtë e Dashurisë.

Zyrtarisht Shën Valentini ka lindur në Interamna Nahars, që sot njihet si Terni, në vitin 176 dhe vdiq në Romë më 14 shkurt 273. Ai ishte një peshkop roman i martirizuar. Të tjera dokumente të shekullit VI thonë se Shën Valentini u bë i famshëm prej shenjtërisë së jetës që bënte, për bamirësitë dhe përulësinë, për mrekullitë që bëri, prej të cilave u ftua në Romë nga njëfarë Kratoni, orator grek e latin, për t’i shëruar të birin e sëmurë prej vitesh. Pasi djaloshi u shërua, Kratoni u konvertua në i krishterë, bashkë me familjen dhe studiuesit grekë të letrave latine, Prokuli, Efebi dhe Apolloni. Shën Valentini është nga peshkopët e parë të Ternit, i cili u shenjtërua nga Shën Feliciano, peshkop i Foligno-s, në vitin 197. Kur kjo histori u përhap, shumë njerëz filluan të vizitonin peshkopin e Ternit më 14 të çdo muaji, ditën dedikuar bekimeve. Më pas data u vendos vetëm për 14 shkurtin, sepse pikërisht me 14 shkurt të vitit 273 Shën Valentini vdiq.

Për mua kjo është një histori që në mbarë njerëzimin tregon dashurinë për partnerin, që të jenë të lumtur dhe të dashuruar në çdo ditë të jetës dhe jo vetëm në këtë ditë, por në çdo ditë të vitit. Shën Valentini është dita në të cilën festojmë atë mrekulli që është rënia në dashuri, duke shkëmbyer dhurata për t’i kujtuar njëri-tjetrit rëndësinë, bukurinë dhe kënaqësinë e të qenit “të prekur” nga Erosi, perëndia e dashurisë. Kjo festë nuk është një përvjetor, domethënë, kujtimi është një “zgjidhje” impenjative, që gjithsecili e bën sipas mënyrës së vet. 14 shkurti është një ditë e gëzueshme dhe e këndshme feste, kjo pasi çdo Shën Valentin mund të festohet me një person të ndryshëm.

Vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për shqiptarët. Aq shumë ra në sy kjo, sa “të rriturit” mendonin se kjo ishte një festë krejtësisht rinore, thuajse “e ndaluar” për ta. Kjo për shkak të mosnjohjes së festës, historisë dhe domethënies së saj. Por pak nga pak, festimi i Shën Valentinit filloi të mos i bënte më alergjikë prindërit dhe të moshuarit dhe të bënte më të vetëdijshëm të rinjtë, të cilët tashmë e kishin kuptuar se të festosh Shën Valentinin do të thotë të falënderosh një shenjt që bashkon zemrat e njerëzve të cilët kanë lindur për të qenë bashkë.

 

Ka dhe të tjerë që kanë pritur pikërisht këtë ditë për t’i shprehur dashurinë mikes së tyre të zgjedhur… “E kam vendosur, do ta ftoj për darkë dhe do t’i them “Të dua”. Ajo e ka kuptuar dhe e di se edhe ajo më pëlqen, por jemi gjithmonë në shoqërinë e miqve të përbashkët dhe thuajse kurrë nuk kemi mbetur vetëm të dy. Kam besim se ajo do të pranojë…”, shprehet një tjetër, që pavarësisht bindjes, herë-herë ka frikë se do t’i duket shumë budalla me romantizmin e tij, që e konsideron të tepruar. Kjo ditë është një ditë e paqtë, që shprehet me dashuri përkundrejt një njeriu të afërt, njerëzve që të lënë mbresa dhe sigurisht çdokujt që transmeton pozitivitet.

Një libër, një lule, një parfum, këto janë dhuratat që preferojnë më së shumti të rinjtë. Ndërsa ata që e kanë kaluar fazën e parë të dashurisë, mendojnë rreth diçkaje më të rëndë, një fustan, një udhëtim diku larg, një unazë të çmueshme, një darkë më luksoze e të tjera ide. Por kartolinat dhe çokollatat janë dhe një formë e thjeshtë mundësie urimi për këdo që nuk ka mundësi monetare të festojë më tepër.

Dashuria është e lirë dhe shprehet në çdo formë. Ftesa dhe fuqia e dashurisë që gjendet në mesazhin e Shën Valentinit duhet parë edhe në këndvështrime të tjera përveç asaj që nënkupton një marrëdhënie burrë-grua. Dashuria është Zoti vetë, duke nënkuptuar njeriun, imazhi i Zotit. Dashuria kërkon solidaritet dhe paqe, unitet të familjes dhe krejt njerëzimit. Edhe kështu mund ta festojmë këtë ditë.

Nëse do të përmendej qyteti i Kavajës, edhe këtu përjetimi i kësaj feste sjell plot situata të bukura. Është një qytet ku do të mund të shijonit jo thjeshtë një datë, por shumë më shumë se kaq. Përveç plazhit, ky është një qytet mesjetar, që ka shumë për të rrëfyer e për t’ju bërë të kaloni një ditë të këndshme me të dashurit tuaj. Kavaja me dokumentet historike që tregojnë rrjedhën e emërtimeve të qytetit, zbulimet arkeologjike që flasin për kulturën e pasur, rrëfimet patriotike të kavajasve e shumë të tjera, janë një udhërrëfim për këdo zgjedh të ndalë ditën e tij këtu. Është një qytet me tradita patriotike të hershme, një qytet mjaft demokratik e largpamës. “Kulla e Sahatit, Xhamia e Kapllan Pashës, Sheshi i Bezistanit dhe Pazari Oriental tani nuk ekzistojnë më. Ato dikur përbënin një kompleks të veçantë” pohojnë historianët për Kavajën.

Megjithatë, qyteti i paqes e dashurisë siç e thotë dhe vetë fjala e urtë, “Afër detit, afër mbretit”, Kavaja është vendi në të cilin unë kam çapitur fëmijërinë e që sot është një destinacion që transmeton vlerat historike të një qyteti shqiptar.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top