Suksesi dhe lumturia janë kryesisht rezultat i praktikimit të vazhdueshëm të disa sjelljeve të mira. Të gjithë duhet të mësojmë të themi ‘po’ dhe ‘jo’ në jetë. Duhet të mësojmë të themi ‘jo’ në lidhje me ato gjëra që nuk na drejtojnë drejt realizimit të qëllimeve afatgjata, dhe ‘po’ ndaj gjërave që na bëjnë të kemi një përvojë të bukur gjatë ditës.
Ju keni në dorë fuqinë, të kontrolloni apo krijoni disa nga momentet më të bukura të jetës, duke i thënë PO mundësive që të jepen. Jeta jonë merr formë pikërisht nga gjërat e vogla, nga ato vendime që ndoshta i kemi konsideruar si të parëndësishme. Sot, fare kollaj mund ta ndërlikojmë jetën me shumë gjëra. Të mirat materiale duan kohë dhe energji që t’i blejmë, t’i përdorim, t’i mirëmbajmë dhe t’i ruajmë.
Këshilloj të bërit të një jete të thjeshtë, që këto gjëra të mos na shkëputin nga gjërat e krijuara dhe ato jetësore. Familja do të ishte shumë e kënaqur nëse një prind apo kryesisht nëna, e fillon ditën me thjeshtësi. Një mëngjes po aq sa i bukur dhe i ëmbël kur shërbehet nga rregulli i nënës; kur një drekë apo darkë shijon mirë kur kemi pranë gjyshërit apo kur gatimet bëhen aq thjesht dhe në kushtet e shtëpisë. Ndoshta mungon luksi i tepruar i lokaleve të shtrenjta dhe shërbimi i atyre pjatave të mëdha në garnitura, por është shumë më i shijshëm dhe i ngrohtë ambienti familjar. Krijimi i kushteve në shtëpi përbën thjeshtësi dhe lumturi në mënyrën e të jetuarit.
Edhe sa i takon edukimit të fëmijëve, edhe ai kërkon një thjeshtësi mendimi dhe komunikimi. I rëndësishëm, mirëprindërimi dhe koha e duhur që shpenzojmë me fëmijët. Një thjeshtësi në komunikim i ndihmon ata në mënyrën se si t’i mësojmë të vishen, të mbajnë rroba të thjeshta dhe aspak të mësohen me gjëra të shtrenjta apo blerje firmato; edhe mësimi i shpërdorimit dhe i ndasisë së gjendjes, ekonomisë dhe statusit në krahasim me fëmijët e tjerë dhe pjesën tjetër të shoqërisë, ndikon në formimin e fëmijëve thjeshtësisht të lumtur e të shëndetshëm. Ambienti social, krijimi i lojës, mësimi i saj në kushte të thjeshta shtëpie dhe mjedisi harmonik, e thjeshtëzon socializimin dhe formën edukative për t’u rritur një njeri i mirë.
Thjeshtësia ta bën jetën më të lumtur dhe të kënaqshme
Thjeshtësia të bën të duash më shumë, të vlerësosh më shumë këdo që ke përballë vetes dhe të mëson të kesh dhe ta ruash empatinë. Ne në jetë duhet të bëjmë diferencën mes profesionit dhe njeriut. Nuk nevojiten ngarkesa që njerëzit i japin vetes përtej profesionit të tyre. Ne e duam njëri-tjetrin, dhe po të mos jetë dashuria, asgjë tjetër s’ka vlerë. Zyrtarizmat, formalizmat e të gjitha këto janë pa vlerë pa anën njerëzore. Kemi dashurinë si kontrapunkt. Veprimet më të rëndësishme janë shpesh të thjeshta dhe ndikojnë jetën tuaj në mënyrë efektive:
- Bëni disa ushtrime fizike çdo mëngjes pas zgjimit.
- Bëni në fillim të ditës gjërat më të lehta.
- Çdo mbrëmje bëni listën e gjërave që ju duhet për të nesërmen, dhe më pas, mos e mbani mendjen aty.
- Sa herë që dikush ju thotë diçka që ju trishton, prisni disa minuta para se të përgjigjeni.
- Dilni dhe merrni rreze dielli sa më herët çdo mëngjes.
- Meditoni 2-3 minuta çdo ditë.
- Përcaktoni rrethet miqësore.
- Shprehni vlerësimet sa herë mundeni.
- Në grup sigurohuni që të dëgjohen mendimet e të gjithëve.
- Kërkoni cilësinë më të mirë tek çdokush.
- Përftoni gjestet e një individi të lumtur dhe plot vetëbesim.
Të gjitha këto këshilla, sa të vogla, por aq dhe praktike, janë të vlefshme për cilindo dhe të thjeshta për secilin nga ne në përditshmërinë tonë, por dhe krijimit të një jetë të gëzueshme, po aq harmonike në të jetuar dhe një feedback pozitiv me cilindo.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.