Gjykimi fillon me thashetheme, etiketime dhe piketime. Gjithkush e bën atë, gjykimi mbi njerëzit, është një përgjigje automatike. Ama, nëse gjykimi shkon përtej komunikimit dhe ngacmimeve, atëherë ai shndërrohet në bullizëm…
Bullizmi është një dukuri shumë e përhapur kohët e fundit, e cila po merr një zhvillim shqetësues, ka një historik të gjatë zhvillimi dhe kurrë nuk i është dhënë rëndësia e duhur për ta trajtuar dhe vënë nën kontroll. Është justifikuar si veprim sporadik i moshës që ndodh mes fëmijëve, duke mos marrë parasysh pasojat e mundshme për të dyja palët. Termi bully nënkupton ngacmimin e manifestuar në forma të ndryshme, duke përdorur forcën fizike ose ndikimin psikologjik për të frikësuar dikë të “ndryshëm”. Në mënyrë tipike, ndodh përdorimi i epërsisë fizike për të detyruar viktimën e bullizmit që të bëjë atë çfarë do “ngacmuesi”.
Nuk duhet gjykuar për asgjë që nuk është provuar. Ky përfundim është i vlefshëm për gjithçka e për këdo. Të gjykosh nuk do të thotë të japësh opinione. Opinioni për një ngjarje, për një fenomen ka rëndësinë e tij, por nuk do të thotë se është i saktë. Gjykimi është më i saktë se opinioni. Gjykimi rend pas shkakut. Opinioni përkundrazi, shkon pas fjalëve lart e poshtë, deri te shpifja, si burim informacioni.
Çfarë duhet pasur parasysh?
Duhet të kemi parasysh se njerëzit e dijes, inteligjencës, integritetit e devotshmërisë, të cilët janë të përpiktë në hulumtimin e çështjeve dhe që shumë shpesh të saktë në përfundimet që arrijnë, duhet të shfajësohen kur hera-herës bëjnë lëshime në gjykime. Duke shkuar më në brendësi të të dhënave të sondazhit, rezulton se episodet e bullizmit më të zakonshme janë shprehjet ofenduese dhe tallja, si në ambientet e shkollës, edhe në rrjetet sociale. Ndërkohë, nuk janë të paktë dëshmitarët e drejtpërdrejtë të episodeve të bullizmit në shkollë, të cilët në gjysmën e rasteve, nuk kanë pasur kurajën të ndërhyjnë për të mbrojtur viktimën fatkeqe të momentit.
Situata të tilla hasen shpesh në shkolla dhe prekin kryesisht fëmijë të moshave 6-19 vjeç në mjediset e shkollave: klasë, oborrin e shkollës, korridor, në palestër ose në lagjen ku banojnë. Duke ditur dhimbjen që shkakton gjykimi, pse ne ende gjykojmë të tjerët? Njerëzve duhet t’i jepet kohë për të shprehur veten e tyre si persona, dhe në të njëjtën kohë t’i lejojnë vetes mundësinë të njohin dikë para se ta paragjykoni atë. Ne nuk e dimë dhimbjen që fshihet prapa fytyrës së dikujt.
Përse ne i gjykojmë njerëzit?
Kjo mund të jetë për një vajzë me veshje shumë të ngushta, duke i dhënë shikime paragjykuese, ose duke folur për njerëzit që bëjnë gabime ndonjëherë. Kush i jep të drejtën dikujt të thotë diçka paragjykuese për një person tjetër për atë që është? A kemi ne me të vërtetë një antipati për disa njerëz që nuk i kemi takuar asnjëherë? Asgjë nuk ndjehet më keq se sa të paragjykosh dikë, dhe pastaj kur ta njohësh pak më mirë do të kuptosh se sa i/e ulët je treguar. Shpeshherë rrethanat që na çojnë për të gjykuar të tjerët, nuk janë të vërteta apo e gjithë historia për të. Ai që bën si i fortë, shpeshherë ndihet i pasigurt dhe i vetmuar. Ky është problem sot në shkolla dhe në shoqërinë tonë.
Keni dëgjuar pohime të tilla nga fëmijët nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ose nga vetë fëmijët tuaj teksa ankohen të mërzitur se dita nuk u shkoi mirë në shkollë? Ka qenë ai i pranishëm në ndonjë situatë ku njëri shok ka vënë në lojë bashkëmoshatarin e tij në sytë e nxënësve të tjerë në korridorin e shkollës? Bullizimi i shqipëruar ndryshe si “ngacmimi”, përbën një dukuri shoqërore mes të rinjsh, i cili ka kohë që vepron në jetën e tyre.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.