Mirëqenie

March 22, 2018 | 10:22

Nga Alborena Hylviu / Të përqafojmë natyrën!

Natyra është e drejtë kur e beson me shpirt, dhe kur thellë në vetvete e respekton. Ajo është burim jete për atë që e dashuron, është gjithçka që shikohet, ndjehet dhe përjetohet!

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Shumë shkencëtarë kanë botuar studime që nënvizojnë lidhjen e pashmangshme që ekziston mes trurit, natyrës, shëndetit dhe lumturisë. Teksa të gjithëve na kaplon entuziazmi i “takimit” me bukuri që të lënë pa frymë, me gjelbërim a shumë shpendë, edhe unë ndjehem e lumtur për këtë pasuri që natyra i ka falur vendit tonë. Në të njëjtën kohë kuptoj edhe përgjegjësinë që kemi ne ndaj saj: për t’i mbrojtur si sytë e ballit “bijtë” dhe të mirat që na ka dhuruar. Efektet e pakrahasueshme të natyrës në mirëqenien mendore janë të shumta. Natyra është gjithnjë buzëqeshja dhe përgjigjja e duhur për cilindo në një ditë të ngarkuar nga jeta dinamike, nga një sëmundje kronike apo streset e çdo dite.

Mirëqenia e njeriut është e lidhur ngushtë me natyrën | Mjaftojnë 20 minuta ecje në park që të ndihesh mirë, të përjetosh momente të lumtura, të kesh gjendje të mirë shpirtërore, përqendrim dhe energji. Vitet e fundit shkenca po i mëshon gjithnjë e më shumë rëndësisë së gjelbërimit dhe efektit pozitiv që ka natyra në mirëqenien psikofizike.

Më shumë shëtitje, më pak stres! | Niveli i stresit te njeriu matet nga hormoni i kortizolit. Sa më i lartë kortizoli, aq më i stresuar ndihesh. Studimet kanë treguar se studentët që kalojnë më shumë kohë në natyrë kanë një nivel më të ulët të këtij hormoni nga ata që qëndrojnë mes katër mureve. Stresi shërohet nëpërmjet të ashtuquajturës “Terapi e Pyllit”. Njerëzit që kalojnë shumë kohë në zyrë, por që kanë një dritare me pamje nga qielli, parku ose pylli kanë një nivel më të ulët stresi dhe marrin më shumë kënaqësi nga puna.

Natyra ndihmon në mendim dhe përqendrim | Mjaftojnë 20 minuta shëtitje dhe lojëra në natyrë, që fëmijët dhe studentët të jenë më të përqendruar. Ajri i pastër e bën trurin të punojë shumë dhe më fort sesa qëndrimi brenda. Një studim i fundit ka treguar se, ecjet në pyll ulin nivelin e ankthit. Të dhënat treguan se edhe ata që banojnë afër zonave të gjelbra, kanë një shëndet mendor më të mirë.

Shëtitjet rikthejnë energjinë mendore | Mjafton një shëtitje 15-minutëshe në natyrë, ose po aq minuta duke parë yjet nga çatia që të ndjesh një lidhje shpirtërore me botën përtej shtëpisë tënde. Kjo lidhje që krijon me universin ul nivelin e stresit dhe rregullon gjendjen shpirtërore. E rëndësishme është që kontakti me natyrën të nisë që nga fëmijëria, por nuk është kurrë vonë që t’i japim trurit tonë një forcë dhe energji të jashtëzakonshme, të cilën nuk mund ta gjejmë kurrsesi, duke u mbyllur në shtëpi apo në zyrë. 30 minuta ecje në natyrë, plazh apo bregdet, sjellin atmosferë të mirë te çdo individ. Prandaj shumë pacientëve u rekomandohet ecja në ajër të pastër dhe në det, një terapi në shumë ditë, gjë që sjell mirëqenie dhe nivel më të mire jetese. Fëmijëve të sapolindur u rekomandohet ekspozimi në diell, pra ballafaqimi me rrezet e diellit dhe Vitaminës D në lëkurë. Duhet të besojmë se nuk ka shëndet të mirë pa ujë, ajër të pastër dhe ushqim të shëndetshëm.

Pse duhet t’i mësojmë dhe fëmijët për dashurinë dhe buzëqeshjen që na sjell natyra? Sepse fëmijët kanë nevojë që t’u tregohen të mirat që merren nga natyra dhe në mënyrë që të sillen mirë me të. Shumëllojshmëria e bimëve, ajri, mjedisi, dielli, deti, lulet dhe gjithçka lidhet me natyrën është në të mirë të njeriut. Angazhimet në kampe verore sjellin mirëqenie psikofizike, të cilat po preferohen gjithnjë e më shumë. Periudha e verës përbën kohën më të mirë.

Të lirë larg zhurmës | Studimet tregojnë se përdorimi i madh i teknologjisë mund të çojë në rritjen e ndjenjave të ankthit, gjumë të dobët, dhimbje qafe dhe disa probleme neurologjike. Sipas specialistëve, natyra është vendi ku mendja dhe trupi juaj e meritojnë fshehjen e telefonit.

Flini më mirë | Sipas një studimi të 2013 nga Universiteti Boulder i Kolorados, sa më shumë që t’i përmbaheni një orari të caktuar, sa i përket ekspozimit në dritën natyrale të diellit, aq më shumë ka të ngjarë që të shkoni në shtrat në një orar të rregullt dhe të zgjoheni në një kohë të arsyeshme.

Natyra ndihmon për të mos rënë pre e depresionit | Vetëm disa minuta ecje me këmbë në natyrë mund të zvogëlojnë shenjat depresive, të cilat janë të zakonshme në njerëz që jetojnë në hapësira urbane. Si qenie njerëzore, ndjehemi të detyruar që të ndalojmë dhe të thithim ajrin ose t’ia ngulim sytë yjeve. Në udhëtimin tuaj në natyrë keni mundësi të digjni 500 kalori. Studimet sugjerojnë se aktiviteti mund të rrisë mirëqenien tuaj fizike e mendore, duke ju bërë të ndjeheni më të lumtur.

Sa herë që kemi nevojë për një ditë ndryshe, i drejtohemi natyrës, sa herë që duam të gjejmë qetësinë shpirtërore, strehohemi në natyrë, sa herë që ndiejmë nevojën për një shëtitje në ajër të pastër, për një park apo një hapësirë të gjelbër, vrapojmë drejt natyrës. Natyra është e drejtë kur e beson me shpirt, dhe e vërteta është ajo që ti beson, e vërteta te natyra jemi vetë ne!

Dhe e vërteta jonë është: “Të përqafojmë natyrën se ajo na jep jetë”! Duhet të edukojmë brezat dhe për frymën e gjelbër, të konkretizohemi shpejt dhe së bashku.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top