Tashmë është kohë tjetër, nuk është më koha ime, koha jote… është koha e tyre! Kohët ndryshojnë, e bashkë me to edhe njerëzit. Sigurisht që ato harrojnë se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale, origjinale, me qëllim që me ose pa dashje, me sjelljen e vet të mos e kthejë në diçka kolektive. Brezi i kohës po humb shumë nga vlerat njerëzore të së shkuarës, pa e kuptuar fare se si!
Kjo temë më çon në kujtimet e fëmijërisë dhe modeli prindëror. Një familje e thjeshtë, që në thelb kishte ngulitjen e principeve bazë, me pakte e rregullat e duhura familjare. Të vegjël na duhej të qëndronim në shtëpi dhe të mbyllnim me kujdes derën, kur prindërit iknin në orët e gjata të punës. Do duhej të kujdesesha për motrën time që ishte 6 vite më e vogël dhe që kisha një përgjegjësi të madhe. Kushtet ishin më të vështira se sot. Na duhej që t’i vinim në ndihmë familjes, duke mësuar të përdornim që herët sobën e gatimit, larjen e enëve, fshesës, makinën larëse, të gatuanim, etj.
Asokohe, para viteve ’90-të, shumë nga prindërit tanë kujtojnë me stres sfidën e gatimit me vajguri, të furnelave me fitila që përdoreshin dhe për ngrohjen e ujit, ndërsa ne edukoheshim me frymën e sakrificës dhe të punës, duke mbajtur rradhët e gjatë, duke bërë pazaret, deri në peshat e rënda për trupat tanë të vegjël, në ngritjen e bidonave pesëlitërsh të vajgurit deri në katin e pestë. Diferenca është e madhe me brezin e sotëm. Duhej të përballoje jetën me fare pak të ardhura, të punoje sa më shumë për të rritur fëmijët, e për të mos qenë skllav i askujt, për të pasur normat dhe edukimin për t’iu përshtatur shoqërisë.
Të mos harrojmë se, çdo person në një rol të caktuar është objekt sanksionesh, që vjen prej ndikimeve sociale, apo dhe presion për t’u sjellë sipas normave dhe standardeve të një shoqërie të caktuar. Prandaj, për çdo individ ka një praktikë tradicionale apo kulturore që nga momenti i ngjizjes së tij e gjatë gjithë jetës në vazhdim, ka të drejta dhe shumë detyra e përgjegjësi. Njeriu ka lindur për të jetuar si i përgjegjshëm në jetë. Sfida e mbijetesës ka sjellë zhvlerësimin të thuajse gjithçkaje, edhe atë të jetës. Brezat kanë vlera të ndryshme në kohëra të ndryshme, dhe askush nuk i njeh dhe vlerëson ato realisht më mirë se vetë koha. Por, kjo nuk do të thotë, që disa vlera, “risi” të momentit trend, të mbysin e hedhin baltë mbi dhjetëra të tjera, që mbajnë gjallë për një dekadë qindra e mijëra njerëz më të vjetër (sot pensionistë), ndonëse jetonin nën një sistem diktatorial.
Rinia, e ardhmja apo “viktima” e tranzicionit absurd shqiptar?! Motoja e tyre: të duken ekstremisht bukur, dhe qëllimi i tyre: të gjejnë paranë me çdo mjet e mënyrë të mundshme.
Nëse njeriu nuk njeh kufijtë e tij, besoj se shoqëria shkon në kaos. Dhe, me këtë stil jetese apo mbijetese më mirë të themi, ato kthejnë në kolektive dhe ndjenjat e tyre. Thjesht jetojnë për të tjerët! Sepse, sot nuk konsiderohesh më vajzë apo djalë “trendy”, nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet luksoze nëpër restorante, pushimet e shtirura nëpër resorte.
Le të mos flasim pastaj edhe për meshkujt e rritur “me pekule”, që nuk janë të aftë të marrin përgjegjësitë minimale në jetë dhe ndërtojnë familjet e tyre të reja, ngaqë janë bosh, dembelë abuzivë, të paqartë për jetën, të padenjë për bashkëshortët, e ndoshta dhe fëmijët e tyre të lindur rastësisht diku. Nga abuzimi nuk lind asgjë e mirë në jetë!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.