Në fokus

January 30, 2018 | 9:21

Nga Anisa Zaçe/ Fjala ime…

1

Fjala e duhur, në momentin e duhur, mund të ndez dritën e një shpirti zhytur në errësirën e dhimbjes. Unë e di mirë. Më është dashur ta gjej fjalën e duhur, dhe për mua e kanë gjetur të tjerë kur ja kam pasur nevojën.

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaçe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Është folur gjatë e shumë per fjalën, për pushtetin, për aftësinë, për gjithçka mund të arrihet veç prej saj. Fjala të ngre në këmbë e të ul në gjunjë. Fjala të çon në qiell, e fjala ti pret krahët.

Të gjitha këto t’i bën fjala.

Unë vij nga një vend që fjalën e ka patur betim që në fillim të kohës. Shumë vendime të rëndësishme janë marrë mbi fjalë.

‘Më jep fjalën?’

E nëse jep fjalën, ke dhënë nderin, ke dhënë sigurinë e të vërtetës, ke dhënë shpirtin. Për një gjë kaq të lëvizshme, kaq lehtësisht të ndryshueshme saç është fjala, ne kemi bazuar më të shtrenjtën pronë e parim, të vërtetën.

 

Unë zgjodha për profesion një shkencë që shëron shpirtin nëpërmjet fjalës. Nga fjalët që zgjedh dhe mënyra si i rendit, nga mënyra si zgjedh të fjalëzosh çdo gjë, ato përdor ky profesion për të shëruarmendjen e shpirtin.

Kur njoha demonët e mij, kur u përballa vërtet me errësirën, kur atë që më dhimbte me ilaçe nuk e shëroja dot, fjala më dha dorë. Fjala që dëgjova, fjala që mu shkrua, fjala që erdhu e gjeti rrugën për tek unë.
Rizbulova fjalën time. Mësova ta rendis, ta qëndis në fletë me perin e shpirtit. Rikujtova si lidhja e fjalëve të duhura, fjalëzimi i gëzimit e trishtimit kanë efekt shërues. E kështu pak nga pak, nisa të ngrihem në këmbë, të hedh nga një hap, se fjalën më të fuqishme e kisha brenda meje.

Ja njoh aq mirë pushtetin fjalës, ndaj e respektoj në maksimum. Ja di dhimbjen që shkakton, ja di gjurmën që le. Fjala nuk vjen veç si grumbull shkronjash bërë bashkë. Fjala vjen si përqafim ose si grusht, vjen si dimër ose si verë. Fjala vjen dhe provokon ndjenjë. Fjala të tund themelet që ose ti tregon sa të fortë i ke, ose ti shemb.

Ja dua forcën fjalës. Ja dua guximin që kërkon për ta shprehur. Më mrekullon se si fjalëzimi i duhur mund vërtet të shërojë një shpirt.

Të gjitha mund t’i bëjë fjala. Edhe malin e ngre, edhe luftën e nis.

Unë kam vendosur ta përdor fjalën time për t’i dhënë një dorë njerëzve, për t’i ngritur në këmbë. Të mos lëndojë me dashje, të mos drejtojë gishta, të mos gjykojë.
Dua që fjala ime të përdoret për dashurinë, për ëndrrat. Për të treguar mbështetje, për të parë anën e bukur. Dua ta shoh fjalën time në shërbim të së mirës, në shërbim të buzëqeshjes, në shërbim të lotit të gëzimit.

I detyrohem fjalës shumë, se më ka shpëtuar shpirtin e më ka ngjitur krahët, më ka ngritur në fluturim, kur nuk kisha fuqi as për zvarritje.

Se meqë mua më ka bërë te plotë sa herë mbaja shpirt e zemër copëtuar në dorë, vazhdoj shkruaj, se ndoshta fjala ime diku mund të ndihmojë. Sadopak.

Ajo rrënjët i ka në shpirt! Në kaosin e të Vërtetës, jo domosdoshmërisht gjithmonë të bukur, të shpirtit.
Prej aty del fjala ime!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top