Kush e do një njeri të lumtur?!
Askush!!! Mbase do të çuditeni, por më jepni leje që ta sqaroj:
Do të donte rrethi yt që ju të jeni i lumtur vetvetiu pa qenë ai shkaktari?!
Do të donte gruaja-burrin, nëse nuk do të ishte ajo shkak i lumturisë së tij apo anasjelltas?!
Askush! Sepse njerëzve iu pëlqen të jenë të varur vetë, por edhe të tjerët të jenë të varur prej tyre. Shikoni kënaqësinë që ndjejnë politikanët, priftërinjtë, drejtorët, udhëheqësit e tjerë… shumë njerëz varen nga ata, shumë njerëz i ndjekin, shumë njerëz i duan e janë gati të bëjnë gjithçka për ta, e kjo i bën të ndihen superior, por jo të lumtur. Asnjëri prej tyre nuk është i lumtur! Shikoni sytë e tyre, ata kanë frikën e humbjes së atij superioriteti, frikën se mbeten vetëm një ditë, se do të mbarojë ëndrra e tyre, e kur kanë kaq shumë frikë, si mund të jenë të lumtur?!
Njeriu i lumtur është “rebel” në kuptimin pozitiv të fjalës, ai nuk nënshtrohet, ai nuk është i varur nga asgjë dhe askush, bën atë që dëshiron, jeton ashtu si do (brenda kufijve të natyralitetit), nëse i flihet – fle, nëse i qahet – qan, nëse i qeshet – qesh, pa menduar se çka do të mendojnë e thonë të tjerët… Këtë njeri nuk e do feja, sepse ai nuk i nënshtrohet; nuk e do politikani, sepse ai nuk e përkrah, nuk e do gruaja, sepse ajo do ta kontrollojë, të jetë i varur prej saj; nuk e do shoku, sepse vetë është depresiv dhe lumturia e tij bëhet urrejtje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.