Në fokus

March 17, 2018 | 12:15

Nga Anxhela Peza / Edukimi i brezave në Shqipëri

Duhet kuptuar diçka thelbësore se, fëmijët s’duan dhe s’mund të jenë më si prindërit e tyre. Që do të thotë: kur bëhet një investim i mirë edukativ dhe mbi të gjitha kulturor, atëherë fëmija do të jetë më i mirë se prindi i tij. Nga ana tjetër, një prindërim neglizhent apo keqedukues, do të ndikojë në rritjen e një fëmije shumë larg pritshmërive të prindërve.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Duke bërë kërkime të shumta për vitet 1850- 1900 për mënyrën e edukimit të fëmijëve të asaj kohe ka një ndryshim drastik, të konceptimit të edukimit të fëmijës, të cilin do ta konsideroja multidimensional: respekti kundrejt personave rrethues ishte i jashtëzakonshëm, kultivimi për parimet personale në formimin e një karakteri sa më pozitiv e të admirueshëm, vlerën e atdhetarizmit, të donin vendin ku jetonin po aq sa jetën e tyre. Ndërsa sot, në kohët moderne, nga përvoja ime, vërehet mungesa e vlerave dhe virtyteve personale, familjare dhe shoqërore, si dhe mungesa e madhe e modeleve kulturore dhe shpirtërore mbi të gjitha.

Rreth viteve 1960-1970 brezat në fëmijërinë e tyre edukoheshin nga gjyshërit, krijonin baza personaliteti social, ndërveprimi i tyre me njerëzit ishte aq shumë i skajshëm, duke ndarë bashkë dhe bukën e gojës. Pra, nuk mund të kishte kurrsesi lumturi vetjake pa lumturi të përgjithshme. Nëse fëmijët apo të rriturit nuk do të kishin bazat edukative, do të talleshin nga të gjithë. Vetë institucioni shkollor ka pasur rregulla tipike për të mos e neglizhuar atë në asnjë moment dhe figura e mësuesit kishte një autoritet të padiskutueshëm. Kishin kontakt të vazhdueshëm me natyrën dhe kreativiteti i tyre, imagjinata për punën i bënte ata të dobishëm për jetën. Jeta e tyre familjare niste herët, nuk kishte aktivitete të tjera për të shpenzuar ditët e jetës.

Brezat e viteve 1970-1980 vinin nga prindër që ishin rritur me sakrifica të mëdha, në shumë përpjekje tranzicioni për të ditur, për të mësuar përtej doktrinës komuniste. Kështu dhe ky brez u rrit në familje të madhe me dy apo tre breza brenda në një shtëpi, ndjenja e garës ishte e vakët ndaj shoqërisë, pasi edukimi familjar ishte i natyrës se, jemi të gjithë vëllezër e motra, gëzimi për arritje të palës duhet të ishte i madh. Koncepti i prindërimit për fëmijën ishte që ky fëmijë nesër të ishte në shërbim të prindërve.

Pas viteve ’90 prindërimi ndaj fëmijëve ndryshoi koncept edhe për hir të ndryshimit politik, që mesa duket ndryshon mentalitetin e njeriut edhe për prindërimin. Fëmijët rriteshin më pekule, të gjitha shërbimet i bënin prindërit. Përfshi tabakanë në shtrat, mospërfshirja e tyre në punët e shtëpisë, lehtësimi i shkollimit, punësimit të fëmijës, lënia e trashëgimive, bëri që ky brez, të hasë vështirësi në ekspozimin e vështirësive të jetës, duke sjellë pasoja dhe të riaftësimit për jetën.

Në vitin 1995 e në vazhdim, kemi stile prindërimi liberal, autoritativ si shembuj lobus më së shumti. Janë evidentuar çrregullime të mëdha të shëndetit mendor te fëmijët, kjo si pasojë e përftimit gjatë jetës së tyre, sipas një shpjegimi psikodinamik, apo bihevjorial do thoja. Divorcet e shumta, stili i prindërimit, mungesa e vëmendjes ndaj fëmijëve, edukata me mjete teknologjike dhe kujdestarë të tjerë si dado, apo të tjerë, ka pasur më së shumti pasoja negative. Do theksoja se autoriteti i mësuesit shembull në vendin tonë është pothuajse zero.

Shikoj në punën time të përditshme fëmijë, të cilët kanë ndërtuar një personalitet të prirur drejt individualizmit. Sot po, mund të them se dallohet qartë një lumturi vetjake edhe kur nuk ka kolektiv. Indiferenca e fëmijëve ndaj atyre më të vobektë, më në nevojë, i ka fillesat shumë herët. Për fat të keq, ndoshta dhe në mënyrë subjektive, mund të theksoj se fëmijët e sotëm, adoleshentët, nuk dinë se ç’do të thotë të jesh i edukuar.

Si psikologe, si mësuese, them se edukata fillon në familje dhe përhapet në shoqëri duke i bashkuar shumë familje së bashku. Në njëzet vitet e fundit kemi fëmijë me fjalor vulgar, pa limit se në cilin vend përdoret apo kujt i drejtohet. Vëmendja ndaj librit është shumë pak e dëshiruar, mësues që rrihen nga nxënësit. Këta janë qytetarët tanë nesër. Kemi të bëjnë me një “Disorientim Edukativ”.

 Tashmë askush nuk e di saktësisht dhe përfundimisht ç’domethënë të jesh prind, edukator, pasi ka ndryshuar botëkuptimi i jetës dhe i punës, tradita, kultura, ekonomia, politika, shkenca, arti, gati çdo gjë. Globalizimi e ka përfshirë mbarë botën, por më tepër në dukuri negative, sidomos me anën e mjeteve pamore-dëgjimore, duke ia imponuar njerëzimit materializmin, hedonizmin, indiferentizmin dhe ateizmin praktik, me pasoja tejet të rënda për jetën kulturore dhe shpirtërore. Duke pasur shumë çifte të sforcuar dhe pa objektiva të qartë, theksoj se shumë fëmijë vijnë në jetë nga nevoja për mos mbetur vetëm, aksidentalisht, nuk vijnë nga dashuria partneriale apo të tjera arsye.

Edukata krijon bazat e para të personalitetit të njeriut, dhe tipare karakteriale fisnike.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top