Vera vjen me mbështjelljen e saj të verdhë në portokalli gjithkund në natyrë, e në çdo aspekt të ditës sonë. Flirtet qarkullojnë në ajër, vajzat ndihen më të tërhequra, më seksi me veshjet e tyre, tashmë të hapura, të shkurtra, duke ekspozuar pjesët e trupit më sensuale. Aty ku ato ndjenjë pikën e tyre të fortë të sharmit. Djemtë tanimë kanë shpëtuar nga veshjet dimërore dhe këmishët e ngushta pafund, dhe janë gati për “peshkim” me muskujt e tyre, për ndonjë aventurë të vogël verore.
A jemi ne po kaq të ngrohtë në stinën e verës si vetë ajo?
Atë që zakonisht ne e ëndërrojmë me plot pasion dhe kemi brenda shpirtit tonë janë pikërisht ngjyrat, deti me plazhshëtitjen tonë, mali, pikniku dhe ekskursionet e ndryshme. Si fillim do përcaktoja se, në ardhjen intensivisht të diellit, rritja e temperaturave bën të kemi ndryshime fiziologjike, por dhe ndikon në sjelljen tonë. “Me diellosjen dhe me dritën automatikisht nxitet hormoni serotoninë, dhe kjo bën të ndihemi më të zgjuar dhe më vitalë”, thotë biopsikologu Peter Walschburger. Përpos kësaj, hormonit serotoninë, melatonina në trupin tonë, në këtë kohë, fundoset në pjesën e poshtme të trupit. P.sh: gjatë dimrit kemi 80% më shumë rroba në trupin tonë. Tani duam të lëvizim më shumë dhe atë më lirshëm. Në muajt e verës, femrave u rritet dëshira për kontakte seksuale, pasi dhe vetë ato shikojnë më shumë lakuriqësi te vetja e tyre, e kjo sjell një eksitim të brendshëm, një kënaqësi të fshehur, ku e ndjen veten më epshndjellëse sesa në dimër kur je e mbuluar. Në ditët e plazhit, joshjet me djemtë, sidomos për moshën e re, janë të më shumë të kërkuara intensivisht sesa rastësore që mund të sjellë vetë kjo stinë.
Beqarët në sulm, ndërsa të rriturit…
Gjatë verës, të gjithë ata që janë beqarë kanë mundësi të bëjnë njohje të reja, flasim këtu edhe për ata që e kanë një lidhje, e cila nuk funksionon si duhet, ka të ngjarë që pikërisht gjatë pushimeve të marrin vendimin për t’i dhënë fund një marrëdhënie e cila mbahet për inerci. Kështu për të filluar një aventurë të këndshme gjatë verës. Shumë nga ata që janë në statusin e një martese, ju ndodh të tradhtohen dhe të krijohen zënka të ndryshme xhelozie brenda çiftit, sidomos nga flirtet dhe joshjet e vogla, të cilat ndodhin gjatë pushimeve në ambiente të reja. Në këtë periudhë stinore, hormonet janë më të stimuluara, takimet bëhen më pasionante, por sipas përvojave, shpesh këto lidhje janë të destinuara të mbarojnë, dhe me mbarimin e pushimeve verore. Me apo pa aventurë apo me ndikim fiziologjik hormonal, e përfshirë në interesin me joshje dhe flirte, shkaktohen ndjenja së brendshmi. Ka gjasa se, mbase tek njëri nga partnerët kjo histori të përjetohet intensivisht. Flirtet dhe joshjet nisin si një lojë, me idenë se diçka ndryshe meqenëse jemi dhe me pushime, gjërat nënkuptohen pa bërë shumë kompromise. Vera në fakt karakterizohet nga lidhje tejet të shkurtra, pa një formë të mirëfilltë serioze ose e marrë me përgjegjësi.
Sipas studimeve psikologjike, thuhet se edhe njerëzit që bëjnë një jetë shumë të qetë private, në verë u shtohet dëshira për më shumë intimitet. Madje, në disa vende evropiane janë në rritje numri i historive të dashurisë në breg të detit edhe te moshat mbi 50 vjeçe. Pra në këtë rast duhet bërë mirë dallimi mes një dashurie me shikim të parë, e cila mund t’i ndodhë kujtdo, dhe dëshirës për t’u zbavitur, duke e konsideruar lidhjen si pjesë e kënaqësisë që të japin pushimet, por që gjithçka duhet të marrë fund me mbarimin e pushimeve.
I nxehti sjell instinktet e të bërit dashuri
Mund të jenë shumë arsye, por ka një fakt të pakontestueshëm. Në stinën e nxehtë shtohet dëshira për seks. Madje thuhet se jo vetëm ata që janë me pushime, por në përgjithësi në verë ka më shumë dëshirë për të kryer kontakte seksuale. Ky lajm konfirmohet nga një gazetë italiane pas një sondazhi të kryer mbi “dashuritë e verës” në bashkëpunim me institutin e kërkimeve Demoskopea. Në muajt e verës femrat preferojnë më shumë flirtet. 9 ndër 10 femra preferojnë të bëjnë dashuri në plazh se sa në shtëpi. Janë më ëndërrimtare dhe preferojnë situata romantike të veçanta. 1 ndër 10 femra poshtë moshës 30-vjeçe ndërron deri në 5 të dashur gjatë verës dhe pothuajse gjysma nuk i kalon pushimet pa gjetur një të dashur qoftë dhe për flirtet apo joshjet e një nate. Një gjë shumë interesante për femrat; dëshira për seks në verë rritet edhe tek ato, por sipas sondazhit kjo ndodh me shumë te femrat që janë intelektuale dhe i kanë kaluar 25 vjet. Në një tjetër sondazh, thuhet se më të zjarrtë janë meshkujt. Në sondazh kanë marrë pjesë individë nga mosha 25 deri në 44 vjeç. Tek meshkujt nga 25 deri në 34 vjeç, dëshira për aktivitet seksual rritet në 57% të rasteve.
Rreze dielli
Aq sa e shkurtër është si stinë vera, aq dhe intensive qëndron në përjetimet e saj. Nga flirtet dhe joshjet e vogla duke qeshur, fillojnë dhe dashuritë e mëdha. Adoleshentë, të rritur apo të moshuar, të mbajnë pakëz përgjegjësi, të mos e lëndojnë shumë zemrën e të kënaqen shumë. Gjatë pushimit mund të shfaqen dhe krijimtari të tjera. Përqëndroni si duhet energjitë tuaja, pasi vetëm dhjetë minuta në diell janë kohë e mjaftueshme për të marrë gjithë vitaminën D për të cilën kemi nevojë gjatë ditës. Kjo lloj vitamine ka veti antistres: rrit sasinë e serotoninës në trupin tonë, ndihmon në përthithjen e kaliumit nga kockat dhe zhvillon qelizat. 60% e njerëzve kanë mungesë të vitaminës D. Sipas mjekësisë shfrytëzoni rrezet e diellit për të rritur nivelin e endrofinës dhe zvogëluar nivelin e kortizolit, hormonit të stresit. Ndërkohë, verë të mbarë!
Botuar në revistën Psikologjia, nr.110
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.