E nis këtë shkrim duke u bazuar tek rrëfimet e vetë adoleshentëve. Në një mendje jemi të gjithë se, përdorimi i teknologjisë është sa i dobishëm po aq dhe i dëmshëm për secilën grupmoshë.
Përdorimi i aplikacionit të Whatsapp është masiv për grupet e bisedave të disa miqve të përzgjedhur apo të vetë bisedave dyshe. Kohët e fundit, në këto biseda mosha e re krijon njohje, dhe gjatë zhvillimit të bisedës avancohet deri në atë pikë ku kërkohen foto të pjesëve intime apo poza provokuese me natyrë seksuale. Kjo tendencë është bërë si e modës dhe se shumicës prej tyre i është bërë normale. Pra vjen natyrshëm që gjatë një bisede, një djalë mund t’i kërkojë një vajze një foto intime. (Kështu shprehen adoleshentët).
Dua të sjell në vëmendje shqetësimin që bën dërgimi i një fotoje të pjesëve intime. Kjo foto dërgohet tek grupi i miqve të përzgjedhur në Whatsapp dhe konsiderohet si arritje për “marrjen e fotos”. Një lloj fakti se pëlqimi vjen nga vajza më së shumti.
Biseda të tilla marrin formën e bullizmit ku ushtrohen presione psikologjike tek adoleshentët. Në format më të agravuara janë përgojimet në mjedisin shkollor deri tek kërcënimet për t’u përhapur në gjithë rrjetet sociale tregimi tek mësuesi e deri tek prindërit. Kjo formë kërcënimi, bullizmi merr trajta të ndryshme. Në rastet e mia ka patur:
- Kërcënim se do të tregojë foton e dërguar, nëse nuk jep një shumë parash.
- Kërcënim për favore të tjera seksuale, përndryshe do tregojë fotot e saja të dërguara.
- Nëse nuk bën më parë provimin e tij, atëherë do të shfaqë foton në publik.
Të gjitha këto shpien në forma të ndryshme të bullizmit. Pra nga një bisedë që mund të ketë konotacion normal në fillim, arrihet deri në këtë pikë. Shumë prej këtyre adoleshentëve kanë kaluar episode depresive dhe kanë tentuar vetëvrasjen gjithashtu.
Rekomandoj që prindërit t’i fokusojnë fëmijët e tyre drejt aktiviteteve sportive, prej ku marrëdhëniet ndërpersonale shoqërore të jenë më të shëndetshme.
Të njohin mirë rrethin e miqve me të cilët fëmija i tyre qëndron, dhe llojin e bisedave që zhvillojnë.
Një komunikim i përditësuar me fëmijën tuaj adoleshent shmang situatat negative ku ai mund të gjendet dhe njëkohësisht keni mundësinë të qëndroni më pranë tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.