Respekt do të thotë që të nderosh njerëzit e tjerë, t’i trajtosh ata me kujdes dhe me mirësjellje. Respekti qëndron në besimin se njerëzit e tjerë vlejnë dhe kanë po aq dinjitet sa ke edhe ti, e të lëndosh të tjerët është diçka e gabuar. Këtë sigurisht që ne e mësojmë në familje dhe më vonë e kultivojmë më shumë në institucionet shkollore.
Në fillim përshtatemi me rregullat që na ka vendosur familja siç janë: rregullat e mirëmbajtjes së gjërave, mënyra e të ushqyerit, falënderimet, limitet e njerëzve të tjerë, mos t’u flasësh prindërve në emër, mos të përdorësh fjalë të pahijshme, të dëgjosh atë çfarë të tjerët kanë për të thënë, të mos përdorësh gjërat e vëllait apo motrës tënde pa i pyetur më parë, e të gjesh një mënyrë të sjellshme për t’u thënë të tjerëve se po bezdiseni nga diçka që ata po bëjnë.
Të gjithë e dimë se nëse thyen rregullat, përballja me pasojat nuk do të jetë shumë e këndshme. Megjithatë ne mësojmë mirësjelljen, e cila vesh mirë personalitetin e njeriut. Në vendin tonë, ne si popull karakterizohemi për një qëndrim serioz shumë ndryshe nga vendet europiane apo perëndimore. Kudo njerëzit të buzëqeshin dhe të ofrojnë mirësjellje edhe pa i njohur fare.
Në periudhën e prindërve tanë ka pasur një rregull dhe disiplinë gjithmonë pa nevojën e një kuponi për të mbajtur radhën. Radha mbahej me shumë respekt, që pa gdhirë mirë, për të blerë ushqime të ndryshme. Në autobus gjithnjë lirohej vendi për të moshuarit apo nënat shtatzëna. Këto rregulla në thelb qëndrojnë shumë humane dhe të drejta, nëse ke një arsyetim logjik, por sot nuk ndodh kështu e të gjithë ne e dimë mirë këtë. Nëse ka tranzicione politike, absolutisht që ka edhe tranzicione shoqërore, kulturore, e sigurisht ekonomike.
Ne jetojmë në epokën e njeriut individualist. Jemi bërë kaq të koncentruar në atë interesin tonë të vogël, saqë kemi humbur edhe shumë nga ndjenjat e larta që e shquajnë njeriun e denjë. Modele të tilla janë zvogëluar, e prej shumicës mund të shihen si një lloj “disipline strikte”, si rregulla shoqërore të pashkruara, por të thëna.
Është e rëndësishme të sqarohet se disiplina është zbatimi i detyrueshëm i disa rregullave të caktuara nga të gjithë anëtarët e një kolektivi, siç janë: ligjet, disiplina në shkollë, në punë për përcaktimet e brendshme, të cilat realisht kërkojnë përpikëri dhe rreptësi. Rregullat, respekti, mirësjellja dhe disiplina në mjedise të caktuara krijojnë një harmoni mes bashkësisë së njerëzve. Ne kemi nevojë për to!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.