Në fokus

January 16, 2018 | 9:42

Nga Ariana Mullaj: Historia psikiatrike e prindërve si faktor risku për autizmin

Historia psikiatrike e prindërve apo paraardhësve të tyre rrit mundësinë që pasardhësit të vuajnë nga autizmi

MSc. Ariana Mullaj, psikologe klinike

MSc. Ariana Mullaj, psikologe klinike

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik. Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku. Autizmi është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me Koeficientë Inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar.

Çrregullimet e Spektrit Autik karakterizohen nga nivele të ndryshme:

  • të dëmtimit të komunikimit verbal
  • të dëmtimit të aftësive dhe integrimit social
  • të sjelljeve, interesave dhe aktiviteteve stereotipike ose përsëritëse

Shkencëtarët edhe sot e kësaj dite janë të paqartë se cili është shkaku (apo shkaqet) e autizmit, por duket se janë të bindur që faktorë gjenetikë bashkëveprojnë me faktorë ambientalë në një marrëdhënie për të cilën ka disa hipoteza, e për të cilat po punohet me intensitet për t’i provuar. Mjaft studime janë kryer e vazhdojnë të kryhen, të cilat kanë gjetur një numër gjenesh problematikë dhe disa zona të trurit që nuk funksionojnë normalisht.

Duket se zhvillimi i trurit që në rritjen e fetusit në periudhën e shtatzënisë diktohet nga defekte në gjene, të cilat pengojnë qelizat nervore të komunikojnë mirë me njëra-tjetrën. Por njerëzimi është ende në fillimet e tij për të kuptuar se çfarë ndodh në trurin e fëmijës me autizëm.

Sot, grupe të shumtë shkencëtarësh në Amerikë e Europë dhe institucione prestigjioze po punojnë seriozisht për të avancuar dijet në këtë fushë. Asnjëherë më parë njerëzimi nuk është marrë me këtë çrregullim siç po merret në këto vitet e fundit. Një konkluzion i rëndësishëm është tashmë i konfirmuar: nuk është nëna, apo praktikat mëmësore e prindërore shkak i autizmit. Nëpërmjet eksperimentesh e aparaturash të sofistikuara kompjuterike, shkencëtarët po studiojnë me intensitet faktorët që supozohet se shkaktojnë autizmin apo metodikat e një trajtimi efektiv.

Fëmija me autizëm përgjithësisht ka të dëmtuar 3 fusha të veprimtarisë së tij:

(1)     marrje-dhënien sociale,

(2)     komunikimin (verbal, jo-verbal) dhe

(3)     llojin e aktiviteteve ku përfshihet, të cilat janë përsëritëse e tejet ritualistike.

Secila prej këtyre fushave mund të jetë e dëmtuar lehtë a rëndë, duke shkaktuar paaftësi të niveleve nga më të lehtat tek më të rëndat. Karakteristika thelbësore është dëmtimi i marrje-dhënieve sociale.

Prindërit janë të parët që vënë re se fëmija është indiferent ndaj njerëzve dhe nuk përqendrohet. Fëmija me autizëm mund të mos i shfaqë që në fillim këto simptoma, por pas një periudhe zhvillimi normal nis të bëhet indiferent e i larguar nga ambientet apo veprimtaritë sociale.

Në 20 vitet e fundit, Psikologjia dhe Psikoterapia janë forcuar përsa i përket ndikimit që mund të japë në “zbutjen” e simptomave të autizmit.

Bazuar në manualin diagnostikues (DSM) dhe në performancën që ka skizofrenia si sëmundje, ngjasimet me simptoma dhe performancën e tij kanë ngjashmëri. Bazuar në informacionin më sipër, paraqiten tre fusha kryesore të dëmtimit, marrëdhëniet sociale, komunikimin verbal/joverbal, dhe llojin e aktivitetit ku përfshihen.

Zbulimet e fundit, pohojnë se simptomat e autizmit thuajse gjithmonë janë në nivelet ekstreme, pra shkaktojnë izolim social, paaftësi për të krijuar të tilla; kontakt zero me sy etj; gjithashtu shpesh ndodh që autizmi të ketë simptoma ku: fëmijë shumë hiperaktivë, tentativë për të krijuar marrëdhënie sociale kundrejt dëshirës së tjetrit, etj.

Thuajse e njëjta “formulë” funksionon edhe tek simptomat e skizofrenisë. Personat që vuajnë nga skizofrenia kanë gjithashtu, përveç të tjerash, këto tre fusha të dëmtuara; personat që vuajnë nga skizofrenia e kanë të pamundur të krijojnë marrëdhënie me njerëzit e tjerë, shkak i botës së tyre që për të tjerët është shumë e pakuptueshme, thuajse e njëjta situatë edhe tek fëmijët autikë, të cilët jetojnë në një botë të tyren, e “padukshme” për personat e tjerë rreth tyre. 

Gjithashtu, personat që vuajnë nga skizofrenia janë hiperaktivë, u imponohen njerëzve të tjerë rreth, dhe luftojnë që ata të bëhen pjesë e mënyrës së tyre të mendimit. Personat që vuajnë nga skizofrenia kanë aftësi të dëmtuara verbale dhe jo verbale; karakterizohen për mungesë totale të kontaktit me sy ose kontakt “përndjekës” me sy, ku gjatë gjithë kohës janë duke ndjekur çdo lëvizje të syve që personi përballë bën.

Gjithashtu, kanë komunikim të dëmtuar, e shfaqur si paaftësi për tţu shprehur, fjalor të dëmtuar dhe nivel të varfër të fjalorit, që nëse e krahasojmë me simptomat e autizmit, personat që vuajnë nga ky çrregullim kanë shpesh mungesë totale të komunikimit, ndërsa në rastet e komunikimit joverbal shpesh janë shumë “folës”, tamam si në rastin e skizofrenisë. Këta persona janë gjatë gjithë kohës në proces dhëniesh mesazhesh dhe kërkim përgjigjesh për mesazhet e dhëna.

E njëjta formë interpretimesh dhe gjetjesh ngjashmërish janë zbuluar dhe nga të tjerë studiues, gjetje të cilat i kanë shtyrë për të studiuar më tepër dhe për të parë më tepër këto ngjashmëri. Ajo që vërtet shqetëson në këto ngjashmëri është: së pari, niveli i lartë i ngjashmërive; së dyti, kjo lloj ngjashmërie dhe ky nivel ngjashmërie rrit pretendimin apo shqetësimin se skizofrenia “trashëgohet” duke u modifikuar (pyetje e cila është argumentuar dhe nga studiuesit) dhe automatikisht rritet si faktor risku.  Ajo që duhet përmendur tek rasti i skizofrenisë është fakti që skizofrenia mund të shfaqet edhe pas 3 apo 4 brezash pas një kohe që ka qëndruar e “fshehtë” ndaj dhe disa studiues pretendojnë se pas kohës së fjetjes, skizofrenia shfaqet në formën e autizmit.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top