Marrëdhënie

August 11, 2017 | 8:34

Nga Arjet Pervizi: Dashuria si projektim i marrëdhënieve prindërore

“Një nga format me të cilën dashuria e manifeston vetveten është edhe dashuria seksuale, e cila po të merret e veçuar, na jep një kuptim të dëmtuar të kënaqësisë reale”-  Zigmund Frojd.

Arjet Pervizi Psikolog Klinik

Arjet Pervizi
Psikolog Klinik

“Dashuria” si një koncept është një fenomen i natyrshëm që ka forcën për të ndryshuar gjendjen mendore në mënyra të ndryshme, të cilët shumë njerëz zakonisht, duke pasur parasysh fuqinë e veprimit të saj, përpiqen ta kufizojnë apo kontrollojnë. Megjithatë, në një kontekst më të gjerë, Frojdi e shihte ‘dashurinë’ si një forcë unifikuese esenciale për evolucionin e qytetërimit apo civilizimit. Megjithatë, në këtë kontekst më të gjerë, ai vë në dukje mospërputhjet radikale midis rolit natyror dhe rëndësisë së dashurisë në mbështetjen e qytetërimit, vendosjes dhe zbatimit të tabuve të cilat kanë qenë tepër të rëndësishme në formimin e qytetërimeve. Frojdi është plotësisht i qartë kur flet për domosdoshmërinë e ligjeve dhe kufizimeve kulturore mbi sjelljen, pasi jo të gjitha sjelljet e dëshiruara nga njerëzit janë në përputhje me kërkesat e qytetërimit (qytetërim-civilizim/përparim).

Në përgjithësi, është përvoja jonë e kaluar ajo që përcakton se ndaj çfarë lloj tërheqjeje do të jemi më të ndjeshëm në të ardhmen. Në mënyrë të veçantë, preferenca e dashurisë formohet herët në jetë, që në marrëdhëniet midis fëmijës dhe prindërve. Është familja, aq e fuqishme në formësimin e personalitetit që harton modelin e karrierës erotike, ashtu siç harton dhe shumë karakteristika të tjera të rritjes. Frojdi ndryshonte në këndvështrimet rreth fëmijërisë së hershme sepse e shikonte foshnjën si një organizëm të ndjeshëm në mënyrë erotike. Megjithatë, kjo ndjeshmëri nuk kufizohet vetëm tek organet seksuale. Ajo është e pranishme edhe në vende të tjera, si goja dhe zona anale. Prandaj kjo ndjeshmëri lidhet me funksionet themelore të jetës si marrja e ushqimit dhe heqja e mbeturinave.

Psikanaliza flet për të gjitha llojet e dashurisë duke përfshirë dashurinë ndërmjet partnerëve, të afërmve dhe familjarëve, dashurinë ndaj fesë, dashurinë ndaj ideologjive, dashurinë imagjinare, dashurinë e pamundur, dashurinë e projektuar nëpërmjet procesit të transferencës, etj.

Në kundërshtim me besimin popullor se psikanaliza ka të bëjë me seksin, Zhak Lakan në “Mësimet e mia” thotë që psikanalistët janë të kujdesshëm ndaj trajtimit të seksualitetit si një lloj dritareje për në shpirt të pacientit.

Dashuria si modelim i marrëdhënies prind-fëmijë

Referuar materialeve të psikanalizës kur flasim për dashurinë i referohemi me termin ‘objekt i dashurisë’. Objekti i parë i dashurisë për të dy sekset është kujdestarja e parë që zakonisht është nëna. Marrëdhënia që ne kemi me objektin e parë të dashurisë vënë themelin për mënyrën e perceptimit të dashurisë dhe afeksionit për më vonë në jetë. Ne projektojmë më vonë në jetë, marrëdhënien tonë me prindërit si dhe vetë mënyrën se si ne e kemi perceptuar marrëdhënien e tyre.

Sipas Frojdit në “Ese mbi seksualitetin, faqe 222” , “Një fëmijë që thith gjoksin e nënës së tij është bërë prototipi i çdo lidhje të mëvonë dashurie. Gjetja e një objekti të mëvonshëm është në fakt një rigjetje e tij”.

Të dhënat që na jep kjo fjali për njohjen e specifikave të objektit të dashurisë nuk janë shumë inkurajuese pasi sipas saj ata që i plotësojnë nevojat e foshnjës bëhen direkt objekte dashurie dhe njëkohësisht mund të ndikojnë në formimin e karakterit e personalitetit të fëmijës.

Sipas Frojdit, “fëmijët mësojnë të ndjejnë për njerëzit që i kanë ndihmuar dhe i kanë plotësuar nevojat në pafuqinë e tyre gjatë foshnjërisë, një dashuri që është vazhdim i modelit të marrëdhënieve si fëmijë-nënë në plotësimin e nevojës të të ushqyerit me gji.” (f. 222-223).

Interpretimi më korrekt i këtyre dy fjalive do të ishte se ne dashurojmë (në kuptim të gjerë) ato që na ndihmojnë ose sipas Frojdit, ato që plotësojnë nevojat tona gjatë fëmijërisë. Sipas kësaj dashuria është thjeshtë një instrument i pastër egoist, vetjak. Ky pohim i Frojdit nuk lë shumë hapësira për të menduar për unikalitetin dhe specifikat e objektit të dashurisë. Një interpretim me implikime morale disi më pak të zymta do të ishte që ne të ndjejmë mirënjohje ndaj atyre që i plotësojnë nevojat tona dhe se dashuria lidhet disi me këtë. Sidoqoftë në asnjë nga esetë e Frojdit nuk shihet të thuhet se ne ndjejmë dashuri apo vlerësim ndaj personave që nuk plotësojnë nevojat tona.

Në shkrimet e tij Frojdi vazhdon ta identifikojë këtë dashuri – afeksionin dhe vlerësimin e fëmijës për atë që i plotëson nevojat – si dashuri me përmbajtje seksuale. Ai thotë se dashuria e fëmijës për nënën është seksuale sepse edhe dashuria e nënës për fëmijën ka elementë të dashurisë seksuale. Kjo është përgjithësisht e vërtetë, pasi personi përgjegjës për të, i cili, në fund të fundit, si rregull është nëna e tij, e sheh atë me ndjenjat që rrjedhin nga jeta e saj seksuale: ajo godet atë, e puth dhe ledhaton atë, qartësisht e trajton atë si një objekt seksual të mirëfilltë (fq. 223). Frojdi shton se nëna nuk duhet qortuar nëse dashuria e saj për fëmijën është seksuale në këtë formë (nëse foshnja është mashkull), – sepse kjo e ndihmon të zhvillohet në një formë të shëndetshme duke mësuar shprehitë e duhura seksuale të cilat do t’i përdorë më vonë në jetë.

Një pjesë e detyrës së rritjes emocionale është largimi i këtyre dëshirave nga objektet e tyre të para. Komplekse të rënda mund të krijohen, siç na përshkruhet nga Frojdi, nëse dëshirat dhe fantazitë seksuale vazhdojnë të përqendrohen tek prindërit si plotësues të nevojave të tyre. Këto impulse të ndaluara duhet të largohen nga prindërit dhe të drejtohen ndaj personave të tjerë pa lidhje gjaku. Si rezultat i këtyre atashimeve të hershme (marrëdhënie prind-fëmijë e mirëvendosur), interesi i parë serioz i djalit, teksa rritet, mund të jetë një grua më e maturuar dhe vajza do të priret të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj një burri më të madh në moshë.

Nëse ndjenja seksuale e fëmijës duhet të zhvendoset nga prindërit tek të tjerët, duhet të ketë një lloj lidhjeje midis “dashurisë” së re dhe asaj të vjetër. Shumë shpesh është e mundur të konstatohet ngjashmëri midis cilësive të prindit (kujdestarit parësor) dhe objektit të ri të dashurisë. Kjo ngjashmëri mund të jetë e shumëllojshme. Mund të jetë vetëm në dukje, në tërësi ose në një veçori specifike. Më pas dashuria e parë (afeksioni) mund të transferohet edhe tek vëllezërit dhe motrat, sipas Flugelit. Për shkak të presioneve të tabu-ve, ka një zhvendosje të interesit të fëmijës jo vetëm larg prindërve, vëllezërve dhe motrave, por edhe nga personat e afërt. Ky është roli i pazëvendësueshëm që luajnë tabutë në formimin e civilizimeve. Me drejtimin e vëmendjes drejt një objekti të ri të dashurisë, lidhja emocionale me anëtarët e familjes bëhet më e dobët dhe lidhjet e tilla konsiderohen si fillimi i rritjes seksuale për sa i përket zgjedhjes së objektit të dashurisë. Megjithatë, tërheqjet e mëvonshme në jetë janë reflektim i atashimit (marrëdhënies) të hershëm me prindërit.

Zgjedhja e objektit të dashurisë

Frojdi në esenë e tij ‘Mbi Narcizmin’ flet për dy mënyra të përzgjedhjes së objektit të dashurisë:

1 – Zgjedhja e objektit të dashurisë sipas tipit narcistik:

a – Një person që është sikur ne.

b – Një person që është sikurse ne në të shkuarën.

c – Një person që përfaqëson një imazh të idealizuar të vetes në të ardhmen.

2 – Zgjedhja e objektit të dashurisë sipas atashimit:

a – Një grua që përkujdeset dhe e ushqen.

b – Një burrë që e mbron.

Kur ne biem në dashuri, biem në dashuri me imazhin e një personi tjetër që reflekton diçka rreth veteve tona, me imazhin e dikujt që kemi admiruar në fëmijëri, me imazhin e dikujt vëmendjen e të cilit nuk e kemi pasur kurrë etj.

image

Burgess dhe Cottrell raportojnë se “nëse lidhja dashurore e fëmijës me prindin e seksit të kundërt është karakterizuar nga kënaqësia, fëmija i rritur tashmë do të priret të bie në dashuri me një person që posedon karakteristikat e temperamentit dhe personalitetit të ngjashme me ato të prindit i cili ka plotësuar nevojat e tij.” Kjo deklaratë nënkupton se përvoja e dashurisë në moshën e rritur lidhet drejtpërsëdrejti me dashurinë e fëmijës për prindin e seksit të kundërt. Duket shumë jo reale, megjithatë këta studiues synonin të tregonin se sa i përket dashurisë, përvoja në moshën e rritur është shumë e ngjashme me atë të dashurisë për prindin gjatë fëmijërisë. Dashuria midis burrit dhe gruas konsiderohet përgjithësisht si seksuale dhe, siç thotë Robert White, “Është vërtetuar se dashuria dhe seksi nuk janë të njëjta: dashuria e fëmijës për nënën e tij, e bazuar thellë në kënaqësinë jo seksuale që ajo ka i dhënë atij.” Pra, në ndryshim me Frojdin, kur flasim për dashurinë, gjithashtu dhe për plotësimin e nevojave të fëmijës dhe shikimin e prindit si objekt seksual, nuk kemi parasysh aktin seksual të mirëfilltë që kryejnë dy persona të rritur. I gjithë kuptimi i saj shkon përtej koncepteve të ngurta fizike.

Ndodh që në moshën e rritur  objekti i dashurisë të mos ketë të njëjtat karakteristika të temperamentit dhe personalitetit sikurse prindi i seksit të kundërt. Mirëpo thamë që ajo çka është më e rëndësishme është marrëdhënia e atashimit që krijohet mes fëmijës dhe prindërve. Në këtë pikë është e rëndësishme si raporti me nënën ashtu dhe me babain, mirëpo fëmija modelon dhe zgjedh partnerin duke reflektuar karakteristikat e temperamentit dhe personalitetit të prindit me seks të kundërt. Jo vetëm kaq, por fëmija reflekton më vonë në moshën e rritur edhe marrëdhënien e atashimit dhe ka prirje të sillet i ndikuar nga kjo marrëdhënie. Marrëdhënia e atashimit të prindërve me fëmijën do të krijojë ato që mund të quhen shtysa dhe mund të formojnë qasjen e individit ndaj partnerit në moshën e rritur. Në mbështetje të kësaj studiuesi Albert Ellis në studimet e tij vuri në dukje se vajzat që nuk ishin të lidhura fort me baballarët e tyre, kishin tendencë të kishin ndjenja të përziera ndaj partnerit më vonë në jetë. Vajzat shfaqnin një prirje për të ndëshkuar partnerin për pamjaftueshmërinë e dashurisë së tij ndaj saj. Ellis në studimet e tij raporton qëndrimet e vajzave në raportet që ndërtojnë në jetë janë të ndikuara nga eksperienca e hershme e marrëdhënies me babain, pastaj me nënën.

Frojdi në vitin 1910 në librin “Tri ese mbi seksualitetin” foli mbi shtysat psikike që shtyjnë një mashkull neurotik të përzgjedhë objektin e tij të dashurisë. Frojdi thekson se shtysa të tilla psikike shpesh ndeshen edhe tek personat me shëndet mendor normal.

mannella-foto-di-de-strobel1 – Rivaliteti: Ekzistenca e një pale të dëmtuar. Një mashkull nuk do të zgjidhte asnjëherë për partnere një femër e cila është e lirë dhe nuk ka interes për të, por vetëm atë nëpërmjet të cilës do të realizonte të drejtën e dominimit si bashkëshort.

2 – Xhelozia:  Një grua që përflitet për të:  “Një grua e cila është e dlirë dhe reputacioni i së cilës është i pastër kurrë nuk përbën tërheqje që të  mund ta ngrejë atë në statusin e një objekti dashurie”, por “vetëm një grua, besnikëria dhe besueshmëria e së cilës është e hapur për dyshime”.

3 – Përsëritja kompulsive e pandërprerë: Në këto marrëdhënie dashurore formohet karakteri i një mashkulli, i cili në një farë mënyre i përshtatet çdo rasti të rënies në dashuri. Lidhjet e tilla përsëriten me të njëjtat cilësi në histori të ndryshme si kopje e njëra-tjetrës.

4 – Fantazitë e shpëtimit: Mashkulli është i bindur se ajo ka nevojë për të, dhe se pa të ajo do ta humbiste të gjithë kontrollin moral dhe shpejt do të zhytet në një nivel të mjerë.

Fëmijët, jo vetëm që modelojnë marrëdhënien e tyre të atashimit me prindërit, ato mësojnë dhe nga marrëdhënia e vetë prindërve me njëri – tjetrin. Frojdi theksoi se këto shtysa psikike të cilat vërehen tek meshkujt (e sëmurë) neurotikë kanë si burim fiksimin ndaj nënës në moshën e fëmijërisë së hershme. Secila nga këto shtysa neurotike të meshkujve në përzgjedhjen e partneres janë të domosdoshme për tu sqaruar mirëpo nevojitet një vëmendje e veçantë dedikuar formës jo të shëndetshme të edukimit dhe marrëdhënies prindërore që çojnë në formimin e këtyre neurozave.

Në kundërshtim me Frojdin i cili thoshte se dashuria mes fëmijës dhe prindit kishte natyrë seksuale, Norman Cameron bëri disa komentime të kësaj marrëdhënie dashurie. Ai tha se të dy marrëdhëniet janë të shprehura me anë të puthjeve, përqafimeve, ledhatimeve dhe përkëdheljeve, si dhe shkëmbimit të njëjtë të ndjenjave të përkujdesjes, mirësjelljes etj. Norman thotë se sjellja e fëmijës në drejtim të prindit mund të quhet me tendencë seksuale për aq kohë sa sjellja e prindit drejt fëmijës mund të quhet fëminore.

Ajo që vërehet tek fëmijë që bie në kundërshtim dhe me pikëpamjet e Norman është prirja e fëmijës për të përqendruar vëmendjen më shumë drejt njërit prind, përgjithësisht ndaj prindit me seks të kundërt. Këtu jemi futur në ujërat e kompleksit të Edipit të Frojdit. Stanford Bell gjithashtu në studimet e tij raportoi se vërehet një ngjashmëri e marrëdhënieve “romantike” të fëmijëve të drejtuar ndaj prindërve (ose kukullave) duke filluar që në moshën tre vjeç. Ky raportim i Bell rikthen edhe njëherë vëmendjen tek gjetjet e Frojdit duke lënë në hije Norman Cameron.

Procesi i zgjedhjes së objektit të dashurisë nuk shpjegon se çfarë na bën të biem në dashuri me një person dhe jo me një tjetër. Edhe nëse dashuria është e kushtëzuar në zbulimin e dëshirave të njëpasnjëshme, ekziston diçka që objekti i dashurisë e ka dhe të tjerët jo.

Një nga pacientët e Frojdit kishte një kusht shumë preciz. Ai tërhiqej nga femra të cilat kishin sipas përshkrimit të tij, “një hundë të shndritshme/vezulluese”. Frojdi thekson se ky ‘shkëlqim’ nuk ishte i dukshëm për të tjerët – ajo që pacienti i Frojdit perceptonte dhe ajo që ishte në të vërtetë ishin dy gjëra të ndryshme. Ne jemi të njohur me klishetë e ndryshme që bukuria është në sytë e atij që e shikon, mirëpo psikanaliza na thotë se kjo mund të ketë një dozë vërtetësie.

libido

Bazuar në leximet e Frojdit, Lakan thotë se tek objekti i dashurisë ne nuk kërkojmë vetëm atë na mungon, por edhe atë që i mungon botës sonë. Në dashuri ne përpiqemi të gjejmë atë që Frojdi i referohej me termin “identitet i perceptimit”. Sikurse edhe në rastin e pacientit të Frojdit, edhe nëse perceptimi jonë nuk është i identifikueshëm nga askush, për individin që e percepton ai përfaqëson një realitet që i jep kënaqësi. Referuar kësaj nëpërmjet partnerit ne përpiqemi të zgjedhim edhe dikë me të cilin do të mund të identifikoheshim, që bën pjesë në kategorinë e vlerave dhe normave tona, që do të përshtatej lehtë dhe më e rëndësishmja, nuk do “luftonte” identitetin tonë.

Referuar materialeve psikanalitike ne zgjedhim objektin e dashurisë së vonë në jetë në një mënyrë të ndryshme nga zgjedhjet e përgjithshme të jetës. Nëse zgjedhjet e përgjithshme të jetës bëhen në mënyrë racionale dhe të logjikshme, përzgjedhja e objektit të dashurisë bëhet në mënyrë të pavetëdijshme, disi misterioze.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top