Modelet e brendshme të të punuarit që fëmijët zhvillojnë përmes marrëdhënieve të tyre me prindërit e tyre herët në jetë, dhe mënyra si aplikohen gjatë procesit të socializimit me bashkëmoshatarët e tyre, mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmijët bashkëveprojnë me ta. Einsuorth, Blehar, Eters dhe Ell (Ainsworth, Blehar, Waters dhe Wall 1978) siguruan provën empirike të teorisë së atashimit të Bolbit (Bowlby). Ata përdorën procedurën e situatës së çuditshme dhe nxorën tri modele tradicionale të atashimit te foshnjat – i sigurt, ambivalent, më vonë i quajtur “rezistent”, dhe shmangës – dy të fundit, tregues të atashimit të pasigurt.
Atashimi i sigurt shihet si rezultat i prindërimit të përshtatshëm, të ndjeshëm dhe të dashur. Atashimi ambivalent lidhet me reagimin e paqëndrueshëm nga kujdestari kryesor, ndërsa ai shmangës, lidhet me kujdestarin kryesor që është joreagues dhe i ndarë. Veç kësaj, Main dhe Solomon (1990) formuluan një stil të katërt atashimi, ai i çorganizuar-çorientuar, në të cilin nuk ka model të parashikueshëm ose efektiv të nxjerrjes së sjelljeve të përkujdesjes nga foshnjat.
Ka prova empirike për të sugjeruar që atashimi lidhet me rezultatet sociale, emocionale të sjelljes dhe akademike në fëmijëri dhe adoleshencë (Jacobsen & Hofmann, 1997; Muris, Meesters & Van den Berg. 2003). Në mënyrë specifike, atashimi i sigurt është lidhur me nivele të larta të kompetencës sociale, pranimin e bashkëmoshatarëve dhe popullaritetin, ndërsa atashimi i pasigurt duket se funksionon si një pararendës ndaj refuzimit të bashkëmoshatarëve si dhe emocioneve dhe sjelljeve ndërvepruese negative si armiqësia, zemërimi, agresioni, mungesa e këmbënguljes, veçimi, vetëbesimi i ulët dhe tendenca për t’u irrituar lehtësisht. Duhet të theksohet, megjithatë, që edhe pse stilet e atashimit të pasigurt nuk janë domosdoshmërisht gjendje patologjike në vetvete, ka prova që sugjerojnë që atashimi i pasigurt lidhet me rrezik më të madh për probleme të brendshme dhe të jashtme (Goldberg, 1997; Kokkinos, 2007). Për shembull, fëmijët me një stil atashimi shmangës kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje agresive antisocial (Renken, Egeland, Marvinney, Mangelsdorf, & Sroufe, 1989), që reflekton në gënjim, bulizëm dhe nivele të ulëta të ndjeshmërisë ndërpersonale; ndërsa fëmijët me një stil atashimi ambivalent, mund të kenë mungesë të vetëbesimit, dhe të bëhen më të izoluar shoqërisht nga bashkëmoshatarët (Jacobsen & Hofmann, 1997).
Në lidhje me mënyrën stilet e atashimit lidhen me eksperiencat e fëmijëve të bulizmit dhe viktimizimit, njihet që fëmijët në ankth, që janë gjithashtu të nënshtruar, mund të pëlqehen më pak dhe të refuzohen më shumë nga bashkëmoshatarët e tyre (Spence, Donovan & Brechman-Toussaint, 1999). Atashimi i pasigurt lidhet me rrezikun e rritur për viktimizim (p.sh. Finnegan, Hodges, & Perry, 1998) dhe bulizmin (Kokkinos, 2007). Ky i fundit gjithashtu zbuloi që viktimizimi parashikohej më mirë nga stili i pasigurt i atashimit, duke lënë të kuptohet se fëmijët e viktimizuar kanë më shumë gjasa të vijnë nga mjedise sociale ku ata nuk mund të mbështeten në miq të besueshëm dhe janë të orientuar drejt roleve sociale më pak mbështetëse. Prandaj, ata mund të shqetësohen më shumë për refuzimin dhe turpin, dhe ta mbrojnë veten përmes strategjive të nënshtruara.
Studimi ka treguar që pjesa më e madhe e fëmijëve që persekutojnë bashkëmoshatarët e tyre, shpesh shfaqin një stil atashimi shmangës (Monks, Smith & Swettenham, 2005). Troy dhe Sroufe (1987) zbuluan që fëmijët me një stil atashimi shmangës kishin më shumë gjasa të bëheshin persekutorë, ndërsa ata me stile atashimi ambivalente kishin më shumë gjasa të ishin viktimat e bulizmit.
Faktorët prindëror dhe bulizmi: Studime të shumta na kanë dhënë fakte të rëndësishme sa i përket marrëdhënieve prind- fëmijë dhe sjelljeve buliste. Fëmijët që nuk janë të përfshirë në bulizëm kanë më shumë mbështetje prindërore se sa fëmijët që janë të përfshirë (Conners- Burrow, 2009).
Mbështetja prindërore (Conners-Burrow, 2009) dhe përfshirja që kanë prindërit në marrëdhënien prind-fëmijë (Hill, 2004) janë të lidhura me më shumë rezultate pozitive te fëmijët kur është fjala për sjelljet buliste.
Faktorët prindërorë dhe viktimizimi: Përfshirja e prindërve në marrëdhënien prind-fëmijë nuk lidhet vetëm me agresionin, siç u përmend më lart, por lidhet gjithashtu edhe me viktimizimin (Jeynes, 2008). Fëmijët e prindërve më pak të përfshirë në marrëdhënie kanë më shumë gjasa që të viktimizohen se sa fëmijët e prindërve më të përfshirë.
Përveç përfshirjes prindërore, ndërveprimet nënë-fëmijë lidhen gjithashtu me viktimizimin e bashkëmoshatarëve (Finnegan, Hodges & Perry, 1998). Megjithatë, kjo marrëdhënie është e ndryshme për djemtë dhe vajzat. Viktimizimi mashkullor lidhet me mbi-mbrojtjen e perceptuar të nënës ndërsa viktimizimi femëror lidhet me refuzimin e perceptuar të nënës. Ky është veçanërisht rasti kur djemtë reagojnë me frikë gjatë konflikteve nënë-fëmijë ndërsa vajzat e përballojnë agresivisht gjatë marrëdhënieve nënë-fëmijë.
Persekutorët, viktimat dhe persekutorë-viktima, të gjithë raportojnë se kanë më shumë eksperienca negative familjare se sa fëmijët që nuk janë të përfshirë në bulizëm (Mohr, 2006). Këto eksperienca përfshijnë konfliktin familjar dhe dhunën familjare. Viktimat gjithashtu raportojnë se kanë nëna më pak të dashura dhe mbështetëse, ndërsa vetëm agresorët raportojnë se kanë baballarë më pak të dashur dhe mbështetës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.