Rëndësia e vetëanalizës
- “Në të vërtetë psikanaliza është një metodë studimi, një instrument i paanshëm, siç është fjala, llogaritja e madhësive pafundësisht të vogla”.
- “Të jesh i ndershëm me veten është një ushtrim i rëndësishëm”.
Zigmund Frojd.
Paanshmëria e psikanalizës në studimin e detajeve pafundësisht të vogla, ndihmon për të analizuar mendimet, veprimet, ndjenjat në imtësinë e tyre reale. Mendimet, veprimet, ndjenjat që nuk janë në përputhje të përpiktë me brendësinë e personit priren të shkaktojnë boshllëqe psikoemocionale që lindin nevojën e analizimit të shtysave për kryerjen e atij veprimi. Analizimi i detajëzuar të gjendjeve psikoemocionale të përditshmërisë, shkakton dhimbje teksa mëson të vërtetën për shtysat që qëndrojnë pas motiveve të dukshme të një veprimi. Mësimi i së vërtetës për veten ka aftësi vetëshëruese dhe ndërgjegjësuese.
Ne përherë dimë veprimin (sjelljen), arrijmë të identifikojmë edhe motivin e kryerjes së atij veprimi, por rrallëherë arrijmë të kuptojmë shtysat që na kanë çuar në formimin e motiveve të tilla dhe kryerjen e veprimeve. Vetëanaliza funksionon mbi bazën e dy aksiomave të rëndësishme Freudiane: “të jesh i ndershëm me veten është një ushtrim i rëndësishëm” dhe “psikanaliza është përllogaritje e madhësive pafundësisht të vogla”. Nëpërmjet këtyre dy aksiomave që shkojnë paralel, vetëanaliza shkon në drejtimin e analizës së detajeve të gjendjeve psikoemocionale me qëllimin e arritjes së identifikimit të shtysave të kryerjes së sjelljeve të ndryshme. E gjithë kjo “përllogaritje e madhësive pafundësisht të vogla” (aksioma e parë), është në shërbim të “të jesh i ndershëm me veten është një ushtrim i rëndësishëm” (aksioma e dytë). Këto dy aksioma përherë ndjekin njëra-tjetrën dhe analizimi i detajeve të gjendjeve psikoemocionale vjen si kërkesë e brendshme për të qenë i ndershëm me veten.
Mekanizmi psikik në këtë rast është i tillë:
‘Kërkesë për ndershmëri ndaj vetes’ – ‘Analizë e detajeve të përditshmërisë dhe gjendjes psikoemocionale’ – ‘Dhimbje për mësimin e të vërtetës për veten’ – ‘Vetëshërim dhe ndërgjegjësim për të vërtetën e zbuluar’ – ‘Arritje e ndershmërisë ndaj vetes’ – ‘Ndryshimi/Monitorimi i sjelljes’.
Shumë e rëndësishme është sjellja e individit pas ndërgjegjësimit të brendshëm. Sjelljet në këtë rast priren të shkaktojnë ankth, në rast se individi nuk përballet me ndryshimin apo monitorimin e saj. Në rastet e mungesës së përballjes së personit për të ndryshuar sjelljen, pasi vetëanaliza ka qenë e suksesshme, individi duhet të analizojë pafuqinë emocionale për t’u përballur. Vetëm në pak raste një veprim është i lidhur vetëm me një shtysë dhe vetëm në pak raste një shtysë bëhet shkaktare për vetëm një veprim. Përgjithësisht mekanizmi psikik i shtysave, përherë të pavetëdijshme, i ngjan rrjetës së merimangës, ku tërheqja e një fijeje lëviz minimalisht edhe një fije tjetër.
Në procesin e vetëanalizës është e rëndësishme që kërkesa për ndershmëri ndaj vetes nuk ngjason me vëmendjen e ekzagjeruar ndaj veprimeve tona si rezultat i dëshpërimit, dështimin personal apo inferioritetit. Madje mungesa e vetëanalizës ka predispozitë t’i paraprijë dëshpërimit, inferioritetit dhe dështimeve në fusha të ndryshme të jetës. Vetëanaliza në shërbim të kërkesës për ndershmëri ndaj vetes, ka qëllimin primar dhe të vetëm, rritjen personale dhe eksplorimin e unit. Individi është përherë në përpjekje për të arritur rehatinë personale dhe nëpërmjet eksplorimeve të unit, pas çdo konstatimi të së vërtetës së vetes ka një pjesës rehatie.
Mirëpo, pse priremi të vetëanalizojmë?…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.