Çdo ditë e më tepër ndjejmë se ne, qeniet sociale trysnohemi për të mos qenë “të tillë”. Në njëfarë mënyre nuk na lejohet të jemi unikë, siç pretendohet se jemi. Të gjithë kemi nga një pajisje elektronike në duart tona, përdorim minimumi të paktën një rrjet social, e ky i fundit merr nga ne një element shumë të rëndësishëm, të pakthyeshëm, që quhet KOHË.
Kohë që të dukemi bukur, kohë që të shfaqemi pozitivë, kohë që t’u bëjmë përshtypje të tjerëve, kohë për t’u projektuar ashtu siç do të donim të ishim. Në thelb e gjitha kjo paradë apo estradë të konsumon, të ngarkon e të rëndon psikologjikisht. Të bën të harrosh se ke një jetë reale, “të detyron” të eliminosh njerëzit që ke përballë, ata që ke pranë e kanë nevojë për praninë tënde jo vetëm fizike.
Fundja kujt do t’i duhej një trup pa shpirt?!
Një strukturë e pambushur që përfshin skeletin e një individi të paplotësuar me elemente si përqendrimi e përkushtimi ndaj atyre që ka “këtu dhe tani”. Si mund të jetë i lumtur një individ kur çdo energji dhe përpjekje e konsumon në dobi të njëjtësimit me masën, kur ekziston vetëm një model i së bukurës. Kur kjo e bukur ka prirjen të shihet si e mira më e madhe e mundshme e gjithë shoqërisë.
Frymojmë pa variacion, pa mundësi zgjedhje, pa e pyetur veten “Si ndihemi më këtë mënyrë jetese?” Jemi shndërruar në qenie te izoluara, të veçuara, secili në dritaren e vet individuale që përfshin rrezen e kufizuar të interesave. Kjo dëshirë për të qenë të pëlqyeshëm, ka krijuar një uniformë, që secili nga ne duhet ta veshë për t’u ndjerë i pranuar. Si pasojë ky uniformitet ka sjellë humbjen e interesit për aktivitete të çfarëdo lloji e natyre, ka minimizuar në ekstrem kënaqësinë që marrim nga gjithçka që bëjmë. Fjalët e shprehura bashkëlidhur me gjuhën e trupit përngjasojnë me rëndësinë që ka praktika në mbështetje të teorisë. Por, edhe këtë mundësi, komunikimi virtual na i mohon. Na mbush përplot paqartësi, pyetje, iluzione, të cilat ne kemi mundësi t’i krijojmë (sipas qasjes sonë individuale), t’i formësojmë e me shumë vështirësi t’i zhbëjmë.
Komunikimi social po shkatërrohet në çdo qelizë, rregullat gramatikore pothuaj nuk vendosen në përdorim, fjalët me shkurtime kanë zaptuar trurin tonë. Nivelet e leximit kanë rënë ndjeshëm (parë kjo në shumë prej studimeve të viteve të fundit). Shohim një lidhje të pashmangshme, jetike, shkak-pasojë; lexim i pakët, i barabartë me frymëzim të ulët.
Përfundimi?! -Varfërim i fjalorit, mungesë përqendrimi, mungesë interesi, shkëputje, izolim, veçim. Kufiri mes të dobishmes dhe të padobishmes është tepër i hollë. Gjithçka mund të jetë e dobishme dhe frytdhënëse n.q.s jemi të aftë ta përdorim në favorin tonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.