Qëllimi marketingut krijues nuk është marketingu që bën njerëzit të thonë: “Ajo ishte marrëzisht krijuese!”, por marketingu është ai që provokon shprehjen: “E dua atë!”
Shkenca pas ngjyrave
Ngjyrat janë të pranishme kudo në jetën tonë. Nuk i shohim ato vetëm në gardërobë, apo në kombinime të ndryshme të të veshurit tonë. Ato kanë specifikën e tyre në atë që përfaqësojnë duke i dhënë njeriut larmishmëri jetësore dhe njëherësh mesazhe të caktuara. Në këtë këndvështrim shumë kompani të mëdha i kanë përdorur këto ngjyra në bizneset e tyre, duke u identifikuar me atë që ngjyra përcjell tek njerëzit.
Një nga mrekullitë e shqisës sonë të të parit është aftësia e saj për të dalluar ngjyrat. Rëndësia e ngjyrave dhe truket që fshihen pas tyre, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet dhe arritjet e ndryshme të marketingut, por jo vetëm. Sipas statistikave, 87% e klientëve përmendin ngjyrën si nxitësin kryesor, që i shtyn ta blejnë ose jo një produkt. Kërkuesit kanë zbuluar se në mënyrë të pavetëdijshme, njerëzit bëjnë një vlerësim pamor të shpejtë në 90 sekondat e para që shohin një mjedis apo produkt.
Ekspertët e marketingut shprehen se kur njerëzit blejnë diçka, 93% e tyre mbështeten te pamja e jashtme e produktit, 6% shohin materialin dhe vetëm 1% i kushton rëndësi aromës që mban sendi. Rreth 80% e njerëzve pranojnë se i njohin më mirë markat vetëm prej ngjyrës së përdorur. Më se 50% e konsumatorëve nuk e vizitojnë më një dyqan nëse ngjyra e mureve të tij nuk i ka pëlqyer. Mendohet se reklamat me ngjyra tërheqin 42% më shumë vëmendje sesa reklamat bardhezi. Përdorimi i ngjyrave përmirëson aftësinë për të mësuar nga 55- 68%, aftësinë për të lexuar me 40% dhe rrit me 73% mundësinë e të kuptuarit të diçkaje.
Efekti i ngjyrave në marketing
Marketerët dhe grafik dizajnerët e kanë ditur prej kohësh që ngjyrat luajnë një rol kryesor në suksesin e një fushate marketingu. Ngjyra të ndryshme krijojnë ndjesi të ndryshme tek konsumatorët, duke i dhënë personalitet një marke dhe duke ndikuar tek shitjet. Më poshtë po listojmë ngjyrat që rrisin shitjet dhe emocionet specifike që krijon secila ngjyrë. Ja sekretet që fshihen pas çdo ngjyre kryesore.
E kuqe – E kuqja është ë ngjyra e fuqisë. Tërheq vëmendjen e njerëzve dhe e mban atë. Ja përse e kuqja është ngjyra më e përdorshme në marketing, gjithashtu është ngjyra festive dhe e dashurisë është dhe përdoret gjerësisht në festa të ndryshme. Gjithashtu, ngjyra e kuqe është nxitës i urisë, kështu që marka në industrinë e restoranteve, fast food e përdorin në logon e tyre.
Blu – Në rastet kur doni të dukeni të besueshëm dhe të hijshëm, ngjyra blu është e duhura për t’u përdorur. Kombinimi i saj me ngjyra të tjera që shkojnë, jep rezultate akoma më të mira. Bluja është e lidhur me paqen dhe ujin. Pëlqehet më së shumti nga meshkujt dhe prezanton qetësinë e kthjelltësinë. Fakti interesant për ngjyrën blu është se ajo parandalon urinë. Është një ngjyrë gjithnjë e pranishme për njerëzit, pasi është ngjyra e qiellit dhe e detit. Nga pikëpamja psikologjike, bluja rrit produktivitetin dhe për këtë arsye përdoret më së shumti në zyra.
Rozë – Kërkoni vëmendjen e femrave të reja? Në këtë rast nuk gabohet asnjëherë nëse përdoret ngjyra rozë apo ajo pink. Është ngjyrë gazmore, e llastuar dhe tërësisht femërore.
E verdhë – E verdha është një ngjyrë e fuqishme, por është gjithashtu më e rrezikshmja. Përdoreni atë për të tërhequr vëmendjen e audiencës dhe bëjini të ditur që ju jeni të sigurt për aftësitë tuaja. Kjo ngjyrë nxit komunikimin dhe stimulon sistemin nervor, është ngjyra që identifikohet më shpejt nga syri njerëzor. Për këtë arsye TAXI-të kanë ngjyrë të verdhë.
E gjelbër – Ngjyra e gjelbër është e gjithanshme. Është e ngrohtë, mikpritëse, duke i dhuruar konsumatorëve një ndjesi të mirë. Së dyti, është një simbol i shëndetit, mjedisit dhe dashamirësisë si dhe ul ndjeshëm nivelin e depresioni. Së fundmi, ajo është ngjyra e parave, kështu që krijon mendime rreth pasurisë, për këtë arsye, prerje të kartëmonedhave në valuta të ndryshme kanë në logon e tyre ngjyrën e gjelbër.
Vjollcë – Vjollca është ngjyrë mbretërore, gjë që do të thotë se kur ajo përdoret i jep elegancë dhe prestigj materialeve të marketingut. Pra përfaqëson suksesin dhe diturinë. Për shkak se shumë mbretër preferonin ngjyrën vjollcë për veshjet e tyre, nga pikëpamja politike, ajo përfaqëson mbretërinë. Një nga kompanitë më të njohura që përdor këtë ngjyrë është “Yahoo”.
Portokalli – Portokallia është energji, pra është ngjyra që lidhet me entuziazmin dhe ekzaltimin. Ka forcë tërheqjeje të jashtëzakonshme, është e lezetshme dhe e freskët. Ajo i bën konsumatorët të ndjehen se po blejnë nga një kompani që dallon nga të tjerat.
Kafe – Ngjyra kafe e tokës, njihet si një ngjyrë e rehatshme, gjë që përçon siguri dhe relaksim tek konsumatorët.
E zezë – E zeza është një ngjyrë shumë e gjithanshme. Mund të jetë moderne apo tradicionale, emocionuese ose relaksuese. E përdorur si një ngjyrë kontrasti me një ngjyrë tjetër, e zeza shton seriozit dhe dramë tek çdo lloj ndjenje që doni të përçoni tek konsumatorët.
E bardhë – E bardha është një tjetër ngjyrë shumë e gjithanshme. Ajo përçon transparencë te konsumatori për markën e vet.
Ngjyrat më të përdorura nga 100 firmat (markat) më popullore në botë janë: bluja (në 33% të rasteve), e kuqja (29%), gri ose e zezë (28%) e bardhë ose e artë (13%); 95% firmave të mëdha përdorin vetëm një ose dy ngjyra maksimumi në logot e tyre.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.