Me modernitetin, gjykimi jonë për familjen ka ndryshuar. Padyshim se familja u krijua si një entitet i afërt, përtej etnisë dhe fisnisë. Familja jo vetëm e mëveshur në bazamentin e trashëgimisë, bazës biologjike dhe solidaritetit, por si zgjidhja përfundimtare e problematikave të shoqërisë dhe promotorja kryesore e vlerave dhe parimeve në shoqëri.
Duke konstatuar se përgjatë historisë, koncepti i familjes si institucion, por edhe si bazë kryesore vlerash dhe edukimi, është krijuar si një strukturë skematike dhe konservatore, duhet që si çdo strukturë tjetër shoqërore, familja të përshtatet me evolucionin e shoqërisë, me frymën liberale dhe emancipuese të saj.
Në këto rrethana, natyrshëm lind aludimi se a mundet struktura e familjes të mbartë në lëkurën e saj daljen nga koncepti tradicional i martesës tipike burrë-grua, të gëzojë të njëjtën harmoni kur dy partnerët vendosin të jenë “çift i hapur”? A mundet dot familja të ekzistojë jashtë kornizës historike si solide, edukuese, monogame dhe qartësisht tradicionale?
Referuar një artikulli me të cilin u hasa rastësisht disa kohë më parë, publikuar në New York Times: “Si e definoni ju familjen?” (nga: Michael Gonchar; dt.08.02.2019), analizohej nëse definicioni mbi familjen është i bazuar në marrëdhënien standarde burrë-grua apo familja rrjedh si një entitet i lirë i bazuar tek dashuria e sinqertë dhe solidariteti reciprok. Rasti konkret, në analogji me realitetin amerikan, mbronte tezën e dytë përmes shembullit të një familjeje hibride, e përbërë nga një baba gay, i cili ishte dhuruesi i materialit biologjik për dy mesogra. Të tre këta individë jetonin në harmoni, duke respektuar njëri-tjetrin si partnerë jo legjitimë dhe fëmijët e tyre e njihnin njëri-tjetrin si vëllezër/motra të lidhur prej një detyrimi krejt ndjesor dhe solidariteti. Analiza në këtë rast i referohet shoqërisë amerikane, ku martesat mes seksit të njëjtë, diferencat gjinore dhe liria seksuale/partneriteti janë në një stad të evoluar. Ndryshe nga shoqëritë e Ballkanit, ku akoma fobitë për të ndryshmen nuk lejojnë emancipimin të bëhet promotori i marrëdhënieve dhe dashurinë si emëruesi i përbashkët në këto marrëdhënie.
Në shoqëri drejt reformimit dhe emancipimit, dashuria dhe solidariteti nuk përbëjnë bazën e marrëdhënies apo lidhjes familjare. Akoma familja mbetet bërthama tradicionale e shoqërisë dhe prishja e strukturës së saj apo të mos ndjerit e detyrimit për ta mbajtur dhe përçuar këtë përgjegjësi sociale dhe gjenetike tek brezat e ardhshëm, konsiderohet devijim i shoqërisë. Ky arsyetim përbën edhe një nga faktorët kryesorë për numrin e lartë të divorceve. Kjo për faktin se shumica e familjeve nuk e përballojnë dot ndryshimin mentalitar të individëve brenda saj të marrë mëvetësisht.
Nga disbalanca e emancipimit mbi konceptin e familjes, përballemi me numrin e divorceve në rritje si dhe shfaqjen e dhunës dhe fenomeneve të tjera si plagë e shoqërisë nga mutacionet e familjeve të cunguara. Nga këto diferenca kuptojmë se konceptet e shoqërive për familjen janë shumë të rëndësishme dhe mënyra se si shoqëria evoluon, ekuiteti i shpërndarjes së këtij evoluimi janë baza për mirëqenien e familjes si themeli i shoqërisë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.