Në situata të brishta mbarëkombëtare të tilla si, lufta ndaj një armiku të përbashkët, frika e jetës dhe tronditja e ekonomive globale, na tregon edhe njëherë forcën e solidaritetit. Sa e rëndësishme është qoftë nga pikëpamja nacionale por edhe globale të qëndrojmë të bashkuar përballë një kauze. Natyrshëm lindin dy pyetje: Përse popujt apo komunitetet nuk ndërgjegjësohen ndaj kauzave të tjera globale të tilla si ngrohja globale, ku frika për jetën është po aq prezente e po ashtu, përse komunitetet dhe shoqëritë kanë nevojë për shembuj praktikë nga vendet më të zhvilluara për të ndjerë rrezikun dhe reaguar?
Në çdo moment historik, solidariteti kombëtar dhe ndërkombëtar vjen si reagim nga një agresori të jashtëm, i cili rrezikon në mënyrë imediate jetën. Kjo nënkupton edhe faktin përse ne nuk kemi të njëjtin reagim kur flasim për kauza të tilla që rrezikojnë jetën tonë, por në mënyrë afatgjatë, pra kur ne si qenie njerëzore ndiejmë se pasojat e saj nuk do të bien mbi ne. E njëjta gjë ndodhi aktualisht me një pandemi të përhapur në gjithë botën, e cila solli në mënyrë të pashoqe reagimin e qeverive.
Reagimi nuk ishte i dyanshëm kur flasim për shoqërinë si e tërë, kjo sepse njerëzit e kanë më të vështirë të besojnë “një luftë me mullinjtë e erës”, pra një luftë me një agresor të padukshëm deri në momentin kur përballen vetë me të. Në të tilla situata kemi izolimin taksativ të shoqërisë, që na tregon se instinkti për mbijetesë na shfaqet vetëm në situata ekstreme, ku armiku i jashtëm jo vetëm që rrezikon jetën tonë në mënyrë direkte, por është edhe i prekshëm fizikisht.
Kjo në teorinë e materializmit do të analizohej si nevoja imediate e qenies njerëzore për të besuar të prekshmen dhe për ta ndjerë rrezikun kur ai materializohet ose bëhet i prekshëm nga qeveritë apo faktorë të tjerë të jashtëm. Shumë e rëndësishme në këtë qasje si për t’i dhënë edhe një përgjigje pyetjes së dytë që ngrita më lart, themi se sot bota është shumë globale, aq sa kjo perspektivë konkurron në mënyrë direkte atë kombëtare. Globalizmi përballë materializmit, sjell një tjetër nevojë, materializimin e problemit nga vendet e tjera më të zhvilluara, të bazuarit në eksperienca të vendeve me ekonomi më të fuqishme, mbështetja dhe reagimi ndërkombëtar.
Pra e thënë ndryshe sot njerëzit mbështetet jo vetëm tek materia, por edhe tek besimi i plotë ndaj rendit ndërkombëtar dhe kjo e reklamuar më së miri nga rrjetet dhe mediat sociale. Të ndodhur në një situatë të tillë izolimi dhe përballje me një armik të jashtëm të padukshëm por të materializuar nga numri i lartë i të prekurve dhe vdekjeve, retorika ndërkombëtare dhe ajo kombëtare e qeverive, mediave dhe opinionit publik, na kanë futur në lojë instinktin e mbijetesës. Shumë prej nesh akoma nuk e besojnë se kemi të bëjmë me një luftë reale për jetën, mosbesim ky i cili vjen nga pasiguria globale si dhe njësimi i pashmangshëm i njeriut me komponentin ekonomik.
Të gjithë ne jemi koshientë se, ekonomia dhe materializmi sot sfidon edhe rrezikun ndaj jetës. Ndaj në këto kushte do të duhet një ndërgjegjësim dhe reagim solidar, me qëllim që e gjithë shoqëria të veprojë në të njëjtën linjë për të luftuar një rrezik të përbashkët prej të cilit na cenohet jeta.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.