Në fokus

June 1, 2019 | 8:10

Nga Arsejda Gjyli / Integrimi, liria & pasuria e gjuhës

Të ndodhur në një moment dëshire masive mbarëkombëtare për t’u larguar nga vendi dhe një mosbesimi aktual në përmirësimin e situatës, lind natyrshëm nevoja e analizës së gjendjes dhe evidentimit të arsyeve se përse masa më e gjerë e popullsisë e sidomos rinia, kanë një tendencë në rritje për largimin nga vendi dhe dhënien e kontributit të tyre fizik dhe intelektual në vende kryesisht perëndimore, e po ashtu se cilat mund të jenë arsyet për të qëndruar dhe për të nxitur një frymë shprese.

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Tendenca në rritje e popullsisë për t’u larguar është mosbesimi. Mosbesimi se gjërat do të përmirësohen, mosbesimi në rritje për sigurinë e jetës tyre, mundësive për t’u shkolluar në një sistem prestigjioz arsimorë, mundësitë e një fryme më pozitive të njerëzve ndaj njëri – tjetrit në shoqëri e mbi të gjitha mosbesimi për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

Padyshim se çdo vend në tranzicion has’ në vështirësi të mëdha të konoslidimit të shtetit ligjorë dhe të së drejtës, demokracisë dhe mënyrës së funksionimit të politikave sociale apo institucioneve. Në këto kushte shfaqen anomali në funksionimin e jetës së përdishme dhe një pasiguri të shoqërisë për të ardhmen. Por natyrshëm lind pyetja se, a është deri diku i kamufluar ky lloj pesimizmi? Mos jemi vetë ne që përmes padëshirës për të kontribuar në ndryshim, shndërrohemi në arsyen e shumicës së gjerave që nuk funksionojnë?

Mbase jemi ne ato që nuk bëjmë një hap para drejt përmirësimit, edukimit dhe mbi të gjitha jetësimit të atyre ndryshimeve që shkojmë dhe i gjejmë në shtete të tjera! Jam e bindjes se shoqëria shqiptare e prirur për t’i rënë shkurt e për ta zgjidhur çdo problem përmes largimit, shpjegon qartë se është tërësisht e demotivuar por edhe në të njëjtën kohë e pafuqishme për të ndryshuar veten. Të gjithë ne jemi fajtorët e rëndimit edhe më shumë të vështirësive të cilat vijnë si pasojë e një demokracie të cunguar. Ndaj më shumë sesa për largimin, duhet të mos bëhemi arsyeja e ngecjes së iniciativave përmirësuese në realitet.

Ka mjaftueshëm arsye për të qëndruar, arsye të cilat më shumë sesa atdhedashëse janë objektive, por nëse duam të qëndrojmë duhet mbajtur parasysh se pikë së pari duhet të ndryshojmë veten dhe mënyrën sesi i konceptojmë gjërat apo sesi i bëjmë gabim vendimet dhe veprimet. Përpara se gjithkush të vendosë të largohet, duhet të mendojë se nëse do të kishte votuar ndryshe mbase diçka do të kishte ndryshuar, nëse do të kishte kontribuar në dije dhe ndërgjegjësimin e popullsisë, mbi rëndësinë që vetë ne kemi në shmangien e dhunës, vrasjeve, korrupsionit, vegjetizmit dhe inaktivitetit, mbase do të kishin ndryshuar gjërat.

Gjithkush nga ne, ka si detyrë thelbësore të kontribuojë tek vetja përmes dijes, kulturës dhe shembullit të tij në shoqëri. Nëse do të mendonim me këtë logjikë praktikisht, atëherë padyshim se gjërat do të ishin ndryshe. Nuk kemi përse të jemi të mirë në vende të tjera dhe të pafuqishëm në vendin tonë. Nëse e marrim fatin tonë në dorë përmes ndryshimit të vetes, gjithçka do të funksionojë ndryshe.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top