Studim

December 11, 2025 | 16:00

Nga Arsejda Gjyli: Koncepti “Letër vetes” është mbështetur në librin tim “Dhimbja kërkon shenjtëri”, Bestseller në Panairin e 28-të të librit.”

 

 

Nuk po të shkruaj për të të bindur për diçka që nuk e di. Por ndonjëherë e vërteta ka nevojë të dëgjohet si zë i huaj që vjen nga një dritare e mbyllur. Ndoshta kështu merr formë më të besueshme, më reale, më të bëshme.

arsejdaE ti patjetër e di se thirrja e brendshme është çjerrja më e madhe e realitetit absurd që na mbivendoset. Jemi të dy bashkë në një udhëkryq të verbër, por unë krejt pa dashakeqësi i hap nganjëherë sytë për të parë se çfarë ndodh vërdallë. E kjo sfidë e të parit realitetit me sytë zgurdulluar është e dhimbshme si një thikë e ngulur në zemër. Nuk pres asnjëherë nga ti të më pranosh për atë që jam! E di që më dënon, më paragjykon, më tkurr dhe më rri ngushtë, kur dua të jem plotësisht ajo që jam. Me pasionet që kam, me mënyrën sesi dua ta jetoj jetën, me kontradiktat, me sfidat e zemrës që nuk pranon realitetin. Por ti e di, ka kohë që ne kemi bërë paqe me destinin, me lutjen, me asgjësimin e provave kur lotët janë shpëtimtari ynë në pabindje.

Pavarësisht çdo gjëje, duhet të jemi të butë me veten sepse trupi dhe shpirti ynë na dëgjon. Po, duhet të jem më e butë më ty! Gjithmonë të kam parë të ndarë nga vetja, filozofia me të cilën e jetoj jetën, impulsiviteti ndjenjës, dëshirat e çmendura dhe lëvizjet pa kushte të paracaktuara të cilat më definojnë.

Por siç them dhe në librin tim “Dhimbja kërkon shenjtëri”:

Ne të dy ndajmë

Të njëjtin fat

Të njëjtën dhimbje

Të njëjtin destinacion.

Ne luftojmë me të njëjtën humbje

E me të njëjtin gëzim

Çdo ditë.

Jemi të lidhur ngushtë,

Nga destini

Dhe loja e tij e pamëshirshme.

 

E në mbyllje mes këtyre rreshtave, të them me bindje se ti si nënë, grua, femër, e ke fituar luftën tënde. Ke fituar sfidën me kohën, me vrapin për të zgjidhja e ngërçit më të vështirë. Je heroina e fëmijës tënd. Je dëshira mes errësisë së asaj që ndodh nga rastësia. I ke mbijetuar deteve me trazira dhe sot lundron e lirë, në shkëlqimin e natyrshëm pas shiut. E për këtë më ke treguar një anë krejt hyjnore, se çfarë mund të bëjë njeriu kur e thërret nevoja. Ndaj, të lidhur të dy bashkë prej destinit, trupit e shpirtit, të them:

Të dua më shumë se çdo gjë që rrotullohet, në mendim, qenie e Univers!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top