Në çdo shoqëri demokratike një nga të drejtat themelore të njeriut është e drejta për të jetuar dhe mos u përçudnuar në lirinë e tij. Gjithsesi pavarësisht të drejtave dhe detyrimeve çdo individ përballet me cenimin e këtyre të drejtave bazike. Jemi koshientë të rasteve të ndryshme të përjashtimit, diskriminimit, dhunës e pabarazisë shoqërore dhe gjinore, ku targeti i gruas si gjinia më e dobët është bërë koordinata e favorshme për dhunimin dhe përjashtimin e saj social.
Referuar sa më lart shohim se si konteksti social tejet i favorshëm për aplikimin e dhunës ndaj grave në shoqërinë tonë na ka çuar sot në situatën ku dhuna ka krijuar një gjendje natyralizimi si për shoqërinë ashtu edhe për institucionet. Sot përballemi me situatën në të cilën nuk ka asgjë alarmante në rastet e dhunës, as në moslejimin e femrës për të qenë e lirë, por mbi të gjitha për të mos u vrarë.
Në këto rrethana le t’i japim përgjigje ngrehisë së pyetjeve se, a është indiferenca e shoqërisë, mentaliteti apo mosfunksionimi institucional/ligjor ai që prodhon dhunën? Me ndryshimin e sistemit, e ndodhur në një situatë dalje nga barazia fiktive e viteve të komunizmit, gruaja shqiptare u gjend në rrethana të vështira të menaxhimit të lirisë së saj.
Gjithashtu dhjetë vitet e para të tranzicionit ishin problematikë jo vetëm për të aksesuar sistemin arsimor, por edhe për të jetuar dhe lëvizur të lirë. Në këto rrethana, e jo vetëm, i njëjti mentalitet i injektuar në komunizëm bën të mundur që femra shqiptare të mos gëzojë të drejtën në më të shumtën e rasteve të zgjedhë vetë partnerin, të ruajë nderin e familjes me fanatizëm si dhe të martohet në moshë të hershme.
Varësia sociale dhe ekonomike me partnerin si dhe jetesa kolektive, ka ndërtuar në shoqëri një mendim masiv të konsiderimit të femrës si pronë, si objekt i cili i është besuar për t’u trajtuar siç do bashkëshorti i ardhshëm, i cili është edukuar nga familja me ndjenjën e superioritetit dhe të posedimit të femrës. Po ashtu përpos këtij faktori në rastet më të shumta personat të cilët aplikojnë dhunën janë glorifikuar nga shoqëria si heronj, si individë të cilët kanë tejkaluar ligjin për vetëgjyqësi.
Pra kësisoj shoqëria me indiferentizmin dhe anën e saj në histori ka targetuar këto çështje dhe përsëritjen e tyre. Gjithashtu bashkë me shoqërinë dhe familjen vetë institucionet shpeshherë kanë çaluar në respektimin e ligjit, kanë neglizhuar apo prej korrupsionit janë bërë arsyeja përse sot nuk ka asnjë pengesë për të dhunuar e po ashtu edhe për të vrarë gratë.
Kjo plagë e shoqërisë padyshim kërkon ndërgjegjësim e po ashtu një vëmendje të veçantë nga të gjithë ne, duke qenë se është kultura ajo që e zhvillon dhe arrin të ndërgjegjësojë njerëzit për kauza me përmasa shoqërore.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.