Nisur nga këndvështrimi social, kriza psiko– emocionale dhe kulturore në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare, lindin disa pyetje. Nga buron ky kaos social dhe a ka ardhur ky kaos nga fakti se ne jemi në një krizë të thellë vlerash apo kjo vjen si pasojë e mungesës së kontrollit dhe efektivitetit të zbatimit të rregullave dhe normave në shoqëri?
Është i hershëm sa vetë njerëzimi argumenti se një shoqërie i duhen rregulla, e se vetë normat janë një shpikje kolektive për të vendosur rend dhe mirëqenie morale në shoqëri. Rëndom mund të themi se edhe në shoqëritë transitore ka rregulla dhe norma, por kriza vjen nga shumë dimensionaliteti i vlerave dhe përplasja e tyre.
Përplasja e vlerave ka bërë të mundur që në vendet tranzitore të kemi shfaqje të dhunës së meshkujve ndaj femrave, të të rriturve ndaj fëmijëve, dhunë ndaj targeve të përjashtuara sociale etj. Dhunë kjo psikologjike apo edhe e drejtpërdrejtë fizike. Dhuna e të gjithë formave të saj buron nga moskontrolli dhe mungesa e drejtësisë, e kësisoj vetë njerëzit priren kah’ vetëgjyqësia. Të gjitha shoqëritë vendosin norma dhe rregulla, por produkti i tyre lidhet me aplikimin e këtyre rregullave, implementimin dhe terrenin në të cilin implementohet. Sa më e konsoliduar të jetë shoqëria dhe sa më ndërgjegje krijon ajo ndaj normave shoqërore dhe institucionale, aq më pak e predispozuar është ndaj dhunës.
Ndërgjegjja kolektive ndaj dhunës apo fenomeneve të tjera në shoqëri nuk lidhet vetëm me pasojat që kemi ndaj kryerjes së saj, por ndaj ndjeshmërisë që shoqëria ka ndaj këtyre fenomeneve. Ajo çfarë ne vëmë re në shoqëri si e jona, është përligjja e dhunës dhe vështirësia në menaxhimin e saj qoftë edhe përmes politikave qeveritare qoftë edhe përmes kodit social, moral dhe normativ shoqëror.
Në këto kushte shoqëria prodhon dhunë, e dhuna nuk vjen si pasojë e vetëm mospasjes së normave dhe rregullave, por më tepër si pasojë e mosndëshkimit dhe vështirësisë për ta menaxhuar atë. Shoqëria nuk ka nevojë vetëm për rregulla e ligje të reja të paaplikueshme apo vështirësisht të aplikueshme, më tepër asaj i duhen modele dhe edukim me shembuj përmes të cilave ajo arrin emancipimin, e po ashtu politika prapavepruese si masë parandaluese dhe e mbajtjes në kontroll të dhunës dhe pasojave negative në shoqëri.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.