Në fokus

April 27, 2019 | 8:11

Nga Arsejda Gjyli / Normat etike të mirësjelljes… A mund të mësohen vetëm në shkollë?

Nëse do të flasim për termin «etikë», fillimisht duhet bërë një ndarje midis etikës si norma rregullatore sociale e pabazuar në moral (etika laike) dhe etikës e cila si normë rregullatore, zanafillën e ka tek morali (etika morale/fetare). Në shoqëri të cilat përbëhen nga kultura dhe rregulla të ndryshme, ku perceptimi mbi moralin e po ashtu ndikimi fetar ka qenë i skajshëm, koncepti ‘etik’ ka një ndryshim thelbësor.

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Nga Arsejda Gjyli, lektore në shkencat politike, analiste

Ndryshe do të konceptohej etika në vendet e lindjes, e ndryshe konceptohet norma etike në vendet perëndimore ku më së shumti është e lidhur me rregullat bazike të sjelljes dhe komportimit institucional, shoqëror apo familjar.

Në këto rrethana lind pyetja se çfarë orientimi ka koncepti i etikës në vendet në zhvillim si vendi ynë, ku nuk është përcaktuar qartë orientimi kulturor dhe ku institucionet janë akoma në konsolidim vlerash? A është institucioni i shkollës i vetmi ku duhet të mbështetemi për të formësuar rregullat bazë të etikës? Duhet theksuar se në shoqërinë tonë akoma nuk ka një ndarje midis asaj që konsiderohet ‘e moralshme’ dhe asaj që konsiderohet ‘etike’.

Duke qenë shoqëri konservatore, ka tendenca që shkolla si institucion të shënjestrohet si rregullatori kryesor për edukimin “moral” të nxënësve. Padyshim që në interaksionin midis shoqërisë, familjes, shkollës si institucion edukues dhe ekspozimit të madh që fëmijët sot kanë ndaj informacionit, çdo komponent ka rëndësinë e tij në edukimin dhe formimin më të hershëm të karakterit. Shkolla është konceptuar historikisht si një nga institucionet kryesore ku duhet mësuar etika (morali), por duhet thënë se institucioni arsimor është vetëm një hallkë e të mësuarit të normave etike.

Normat etike, si një sistem rregullator sjelljeje, kuptimin fillestar e marrin në familje dhe në mjedisin adekuat ku individi rritet. Institucioni i shkollës edukon individin me kuadrin rregullator dhe regjimin, nga ku ai fillon të kuptojë se, çdo godinë institucionale ka rregullat e saj të veshjes, sjelljes dhe të nxënit. Gjithsesi, shkolla si institucion nuk mundet dot të bëjë praktikë tek individi, parimet kryesore me të cilat çdo njeri duhet të jetojë, të sillet në përditshmëri, në shoqëri dhe komunitet. Këtë individi e merr nga shembujt realë.

Sfida më e madhe praktike e institucioneve arsimore në kohët e sotme është media dhe rrjetet sociale, të cilët e ekspozojnë individin ndaj informacionit, shembujve e praktikave të cilat ose bëhen edukuese ose konkurrojnë parimet etike që familja dhe institucionet përpiqen të brendësojnë tek çdo fëmijë. Rrjedhimisht, institucionet arsimore përmes dijes kanë një rol kryesor në formimin e vlerave dhe normave etike, por konstrukti familjar, shoqëria dhe aksesi ndaj informacionit janë çfarë reflektojnë qartë predispozitat etike dhe morale të një individi në shoqëri.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top