Prindërit konsiderohen edukatorët e parë të cilët i japin fëmijës jo vetëm mësimet dhe rregullat parësore të sjelljes, por mbi të gjitha kuptimin mbi botën. Në njëfarë mënyre, prindërit janë interpretuesit e parë të idesë së fëmijës mbi jetën dhe fenomenet e saj. Përpos këtij kuptimi objektiv, prindi në jetën e fëmijës mbart një rol emocional dhe përbën kultivuesin e parë të ndjenjës më të rëndësishme, atë të dashurisë.
Dashuria jo vetëm si ndjenja e varësisë dhe emocionit personal, por si lidhësja parësore dhe produkti i ndërtimit të çdo marrëdhënieje. Dashuria si ndjeshmëria më e lartë dhe nostalgjia e njeriut për humanizmin, dhe pengesa e parë për mos kultivimin e së keqes. Dashuria si dhembshuria dhe respekti për të jetuar në barazi dhe solidaritet në shoqëri. Prindi duhet të shërbejë si orientuesi i fëmijës në respektimin e së ndryshmes, në rolin e tij si integrues apo përjashtues në shoqëri, në rolin e tij si promotor i rregullit dhe rendit apo kaosit dhe t’huajsimit.
Kjo sepse shumica e problemeve shoqërore vijnë si pasojë e mentalitetit, paragjykimit dhe mendje-ngushtësisë për të jetuar dhe pranuar tjetrin. A mund të themi se prindërimi është profesion dhe a ka prindër të mirë apo të këqij, a ka mënyra të drejta apo të gabuara për të prindëruar, a ka një manual në “përdorimin” e kësaj të drejte, legjitime që prej lindjes së njerëzimit dhe trashëgimisë?
Prindërit në thelbin e tyre janë njerëz, padyshim të edukuar dhe formësuar nga rrethana dhe ambiente sociale të ndryshme. Faji nuk lidhet me individin si i mirë apo i keq, por me ndërgjegjësimin e prindit për të mbajtur edhe një peshë tjetër, po aq të madhe, sa edhe përgjegjësia për të jetësuar misionin e tij. Më së shumti, në këtë qasje duhet analizuar pozicioni i gruas si edukuesja, por edhe mbajtësja historike e peshës morale në shoqëri. Vendimi për prindërit duhet domosdoshmërisht të lidhet me realizmin profesional dhe edukativ të gruas. Një vendim i nxituar nuk ka vetëm pasoja personale apo edhe një përgjegjësi shoqërore, duke qenë se fëmijët përbëjnë brezin e ri dhe çdo pakujdesi në këtë kuadër rëndon dhe peshon mbi shoqërinë.
Në kultura të ndryshme, martesa në moshë të hershme shihet si një arritje vetjake dhe ambicia e vetme jetësore, por në figurën e femrës si nënë dhe si edukuese, pesha e një martese të hershme prej diktimit familjar dhe shoqëror, i ka sjellë asaj kosto të paimagjinueshme personale dhe shoqërore. Në këto rrethana mund të themi se prindërimi si një “profesion” bazik i edukimit dhe ndërtimit të shoqërisë, lidhet ngushtësisht me forcimin e rolit të gruas në planin profesional e personal si dhe me lirinë e zgjedhjes së saj.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.