Përgjatë tërë këtyre viteve demokraci në vendin tonë, rinia shqiptare ka përjetuar pasojat e një tranzicioni, jo vetëm politik, por edhe shoqërorë. Vitet e fundit e gjendur përballë një koncepti si ‘Integrimi Europian’, të cilit nuk ia njeh’ hollësisht kuptimin dhe thelbin, e sheh atë si rrugën e vetme të shpëtimit nga realiteti, prapambetja, kufizimi dhe gjendja e rënduar në vend, hera-herës.
Çdo herë jam përpjekur që të futem në skutat e mendimit të rinisë shqiptare për të parë se çfarë i demotivon ata të integrohen në jetën sociale, të jenë produktivë, të mos ‘lëshojnë’ pesimizmin dhe kafenetë etj. Madje edhe në ballafaqimin e bërë ndërmjet të rinjve në vende të ndryshme të Europës dhe rinisë shqiptare, ka një hendek të madh për t’u kapërcyer, i cili varion nga ai kulturor dhe mentalitar, e deri tek ai diplomatik në të vepruar dhe të bërit gjërave. ‘Shpëtimi’ shihet së jashtmi dhe jo së brendshmi, duke e konsideruar anëtarësimin në Unionin Europian si dorën magjike që do të zgjidhë për një herë gjithçka.
Nga eksperienca ime e fundit në Berlin si përfaqësuese e Shqipërisë, në mes gjashtëdhjetë pjesëmarrësish nga njëzet shtete të ndryshme Europiane, por bazuar edhe në eksperienca të tjera me të rinjtë, brenda dhe jashtë vendit, do e analizoja hendekun e rinisë shqiptare me ‘Europën’ në disa drejtime thelbësore:
Së pari, nga gjashtë tematika të cilat u trajtuan në aktivitet, pas kontributit tim në fushën e ‘Politikave të jashtme të Europës dhe sigurisë”, përzgjodha tematikën: “Vlerat bazë Europiane”. Në planin e përshtatshmërisë me vendin tonë dhe punën që unë bëj, është tematika thelbësore. Këtu analizojmë vlerat si, individuale dhe vlerat e shtetit.
Mungon thellësisht në rininë tonë ai që quhet ‘Qytetari Europian’, i edukuar dhe mësuar me vlerat dhe parimet Europiane, kulturën dhe demokracinë e pastër, jetesën në harmoni me ligjin dhe meritokracinë. Kjo vjen si pasojë e një sistemi politik, i cili formëson një sistem të tillë arsimor, nga ku varet edhe edukimi i brezave. Të rinjtë më tepër se sa edukim të mirëfilltë, thjesht marrin diploma.
Çfarë duhet krijuar? Urat lidhëse të vlerave, marrja e përvojave jashtë vendit dhe implementimi në përshtatje me aktualitetin social në Shqipëri. Zbatimi i modeleve duke iu përshtatur terrenit. Gjithashtu informimi shoqërisë dhe të rinjve, duke krijuar kanalet e duhura të informacionit, i cili vjen nga burime të besueshme informimi, si organizata, individë dhe media sociale apo e shkruar.
Së dyti, flasim për nismën dhe reagimin. Gjeneron një hendek i madh midis dy shoqërive, asaj shqiptare dhe europiane lidhur me të ashtuquajturën ‘shoqëri e iniciativës, dhe e reagueshmërisë’ ndaj fenomeneve shqetësuese në realitet. Këtu lidhemi drejtpërdrejt me çfarë citova pak më sipër, mospasja e edukimit të duhur dhe qytetarisë, por edhe me frymën e thellë të mosbesimit dhe pesimizmit që gjeneron në realitet. Me se lidhet pesimizmi? Lidhet me mospasjen e shoqërisë civile, shfaqjeve publike të saj përmes lëvizjeve sociale, tubimeve, protestave, aktiviteteve të pavarura nga partitë politike.
Në rastet përgjatë historisë së demokracisë shtetit shqiptar, ato shfaqje të nismave sociale rinore apo organizatave me qëllime të përmirësimit të realitetit përmes bërjes oponencë, kanë rezultuar në fund, produkte politike, ose të lidhura me një qëllim final politik të liderit drejtues apo grupit drejtues.
Duhet ndërtuar shoqëria civile e reagueshmërisë. Ky hendek midis dy realiteteve ‘Shqipëri- Europë’ mund të ndryshohet me nisma të ndershme dhe transparencë, me shembuj të vërtetë dhe punë direkte me të rinjtë, duke bashkëpunuar me organizata të huaja, por edhe duke sjellë shembuj domethënës aktivitetesh të tilla në vendin tonë.
Së treti, meqë jemi te cilësia e aktiviteteve dhe lloji i aktiviteteve, ka një hendek në praktikimin e aktiviteteve ‘jo-formale’, që gjenerojnë edukimin ‘jo-formal’, tek të rinjtë. Ky lloj edukimi, është i formave të ndryshme, por thelbi mbetet i njëjtë: “Dalja jashtë kornizave të dhënies së leksioneve nëpër auditore, puna produktive në terren.” Në foton pak më lart ndodhet i pasqyruar aktiviteti ‘jo-formal’ që ne realizuam nëpër tërë ambasadat e huaja në Berlin, duke përçuar një mesazh të caktuar politik, në varësi të pozicionit politik dhe gjeopolitik të secilit vend. Duke theksuar si shembull: ‘No border, No nation!’
Përtej kësaj, për çfarë vlen aktiviteti jo formal? Së pari për të tejkaluar skematizmin e të marrit leksione dhe të qenit thjesht ‘teorikë’. Së dyti, puna në grup dhe bashkëpunimi. Së treti, aftësimi për të menaxhuar situatat, të argumentosh mbi çështje të përmasave politike, pa u shpërqendruar nga fakti i të qenit në një fushë bejsbolli. Së katërti, motivimi, ambienti ‘jo-formal’ i të realizuarit sfidave apo aktiviteteve, nxit suksesin e aktivitetit, i cili shihet jo vetëm si edukues, por edhe argëtues.
Së katërti, për sa i përket mangësive dhe hendeqeve midis rinisë shqiptare dhe Europës, më e rëndësishmja, diplomacia dhe përfaqësimi i duhur i vendit dhe situatave në vend. Nuk mundet kurrsesi si brenda dhe jashtë vendit, të shprehësh pamaturi, mosrespekt, ego të tepruar dhe të vendosësh një rend të gabuar hierarkik të problematikave të vendit tënd.
Duhet alternuar ‘e keqja’ me ‘të mirën’ dhe nxjerrja në pah e problematikave të vendit, në kohën dhe momentin e duhur. Kjo gjë vlen edhe në organizimet brenda vendit, ku gjithmonë situatat kanë nevojë për një renditje prioritetesh për zgjidhje përmes bashkëpunimit. Dhe gjithashtu më e rëndësishme jashtë vendit, ku praktikisht rinia shqiptare duhet të bëjë oponencën e duhur për vendin tonë, gjendjen aktuale dhe realitetin, duke shfaqur kulturë dhe integritet.
Çka vlen të citohet është fakti se: ne si të rinj duhet të jemi më kritikë dhe qytetarë të denjë për Shqipërinë dhe Europën.
Paçka faktit se mund të mbrojmë një profil të caktuar politik apo partiak, duhet të ruajmë dinjitetin personal si vlerën më jetike si qenie humane. Dinjitetin dhe respektin për veten dhe vlerën e qytetarisë ndaj të cilave s’duhet bërë kompromis.
Gjithashtu këto jo vetëm si vlera individuale, por si vlera që rrisin vlerën e demokracisë si vlerë e një shteti. Duke u ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e ndryshimit të vetvetes, si individë, qytetarë, studentë, etj, rrjedhimisht do të ndërmarrim vendimet e duhura dhe rrugën e duhur. Kësisoj do fillojmë të ngushtojmë hendeqet me Europën. ‘Integrimi Europian’ është një proces i cili duhet merituar, dhe nuk duhet parë si shpëtimi ynë.
Nuk mund të ketë ‘Europë’ pa ‘shoqëri Europiane’ dhe pa ‘qytetarë Europianë’.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.