Ligji i Njutonit edhe pse vepron në mënyre të njëvleftshme dhe është i saktë në univers, ai nuk ështe ekzakt për sjelljet e njerëzve.
Pse nuk ndihem rehat kur kam dikë pranë? Pse biseda me dikë bëhet e lodhshme dhe më merr energji? Edhe pse mund të jesh shumë i gëzuar, pse nuk e ndjen magjinë e saj kur ke disa persona pranë? Pse sapo largohesh nga disa persona, t’i ndjen sikur u larguan retë dhe ke ndjesi çlirimi? Pse lejova dikë që fjalët e tij të ndikojnë tek unë, apo të prishë qetësinë e ditës sime?
Të gjitha këto jane situata të jetës së përditshme janë marrëdhëniet me të tjerët, të cilët ne shpesh nuk i zgjedhim vetë, por ndodhemi të detyruar në të tilla rrethana.Kjo ndjesi kuptohet lehtë kur nëpërmjet takimit me dikë ne nuk ndihemi rehat dhe koha mezi ecën…
A është njeriu rob i rrethanave?
Marrëdhëniet tona me njerëzit i shikojmë shpesh si të pandryshueshme, si të ndjerë të detyruar, duke mbajtur mërzinë brenda vetes dhe duke kërkuar shpesh arsyen. Mbajmë “shokë” që me kalimin e kohës kuptojmë që na kanë konsumuar më shume se ç’duhet… përse gjithë kjo sakrificë?
Është bërë rutinë të thuhet se në mjedisin tonë shoqëror duhet të përshtatemi, të dëgjojmë “pallavra koktejli” , duke harruar se e gjithë kjo të merr energjinë për të qenë i pranueshem apo i pëlqyeshem nga të tjerët.
E përse i gjithë ky stërmundim kur kemi shumë qëllime të tjera më të rëndësishme për t’u marrë me to?
Mirëpo siç e thamë më sipër, e përditshmja të lidh më shumë njerëz të cilët nuk i zgjedhim vetë dhe as raportet me ta nuk është e thënë të jenë domosdoshmërisht miqësore. Ne japim energji pozitive po kjo nuk garanton se do të kthehet mbrapsht një reagim i tillë, edhe pse ligji i Njutonit vepron në mënyrë të njëvleftshme dhe është i saktë në univers, ai nuk është ekzakt për sjelljet e njerëzve.
Nuk është detyra jonë të ndryshojmë sjelljen e të tjereve, por ama është detyra jonë që t’i mbajmë sa me larg këta njerëz që na japin ndjesi negative.Duhet të kuptojme që jemi pikërisht ne, që i japim fuqinë atyre mbi ne, duke ju dhënë kohën dhe vëmendjen tonë. Është vendimi jonë që duhet të marrim pa u ndjerë ne siklet cilido qoftë ky person.
A ju ka ndodhur ndonjehere që të mërziteni, kur një koleg, nje “mik” ju thotë diçka në mënyre ironike dhe këtë e përserit edhe herë të tjera sapo ju shikon që juve i jepni rendësi fjalëve të tij?
Këta janë pikërisht njerëz negativë, të cilët ushqehen me emocionet e të tjereve. Të tillë njerëz i vret indiferenca jote dhe më shumë akoma i vret zhvleresimi dhe injorimi që i bëni si ndivid.
Këta njerëz jane si urithi të cilët gërmojnë me padurim shtigje sesi të gjejnë rrugën për t’ju hedhur “spica” sërish,ose përgjojne nga frengjia për një moment dobësie. Çuditërisht këtë e bëjnë me njerëz të ndjeshëm, të cilët pëlqejnë të hapen ndaj të tjerëve, me njerëz që presin reagime pozitive në një bashkëbisedim dhe që çmojnë marrëdhëniet.
Kundërhelmi për të tille njerëz është të mos kërkoni gabimin tek vetja.Mos bini në grackën e një personi të tillë, ndiqni instiktin tuaj edhe pse ky person mund të vleresohet pozitivisht nga të tjerët. Mos u perpiqni të ndryshoni këtë person, sepse këta pas konflikteve të shpeshta që i “pjellin nga asgjëja”, synojnë të tregojnë që nuk je i aftë të përshtatesh.
Po kush ka pushtetin e ekspertit t’ju tregojë juve se kush është personi i duhur për të qenë miku juaj, apo që personi me të cilin ju lidh puna, të jeni të detyruar t’ju ecë muhabeti vaj?
Para se të jeni të peëqyeshëm për të tjerët, jini të qetë me veten dhe mos vrisni mendjen për opinionin e të tjerëve.
Nga jashtë njerezit shpesh nuk kuptojnë dot pse e përjetojnë dike si negativ, sepse përjetimi është subjektiv, ndërkohe që ky person mund të jetë nje koleg shume i mirë për dike tjetër, por kjo nuk ju bën juve aspak të ndiheni në faj, pasi secili gjen “specien” e vet për të qëndruar në simbiozë , e si rrjedhojë lërini të njëjtët të vegjetojne së bashku…
Shmangni njerëzit të cilët i perceptoni si të mundimshëm ose reduktoni sa më shumë kontaktet me ta. T’i japësh rëndësi se çfarë thotë një person i cili shpesh të krijon ndjesi negative është njëlloj sikur të lejosh të drejtohesh nga të tjerët, kjo bën që të merresh me çeshtje që janë të parëndesishme për jetën tënde, por që janë urgjente për të ushqyer negativitetin e tjetrit.
Mos lejoni prane vetes njerëz të tillë vetëm nga frika se do dukeni të pasjellshëm.
Megjithatë është momenti që ti falenderoni këta “njerëz negativë”, sepse falë këtyre, ne ftojmë veten në reflektim dhe falë tyre ne ndryshojmë disa qëndrime tonat, pavarësisht kulturës apo vendit nga vijmë, por ata nuk e dinë që na kanë shkaktuar një shërbim të tillë falas.
E thënë më thjesht, kur dimë të reflektojme si duhet, ne arrijmë më shpejt në gjërat thelbësore, që në rrethana të tjera do na merrte më shumë kohë.
Nuk jane situatat që na ngarkojnë, por qëndrimi ynë ndaj tyre. Situatat mund të varen nga të tjerët, por ama qëndrimi varet gjithmonë nga ne, dhe për këtë çdo justifikim do binte poshtë.
Tani pyeteni veten ju lutem … A ja vlen që dikush të ketë kredi mbi jetën tuaj ?
Është nje pyetje retorike e cila vërtet do na bëjë të skuqemi nga turpi, nëse lejojmë të tjerët të ndikojnë në harmoninë tonë të brendshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.