Kur një situatë e vështirë të kalojë, ju nuk do e kujtoni me si ia dolët, as si u përfshitë në të. Ju thjesht do ndieni çlirim.
Mirëpo një gjë është e sigurt. Kur plaga të jetë shëruar plotësisht, ju nuk do të jeni më personi i njëjtë, i cili ishit gjatë ngjarjes apo kur e vuanit atë. Kur dhimbja të jetë shëruar, ju nuk do kuptoni as vetë si ndodhi ajo, sepse tashmë gjendeni në një tjetër transformim. Ju keni arritur te vetvetja pasi u endët në shumë rrugë dhe përballuat shumë stuhi. Të shkosh te vetvetja është sikur ke përshkuar gjithë universin dhe më në fund ke arritur në shtëpi, atje ku tejkalohet koha dhe hapësira. Ju do të jeni më të fortë, ashtu sikurse floriri, i cili kur hidhet në zjarr nuk digjet, e as nuk ndryshket kur hidhet në ujë, por përkundrazi, shkëlqen akoma më shumë.
Ju do shkëlqeni më shumë!
Çdo sfidë e kaluar na pajis me aftësinë për t’i parë gjërat ndryshe, na tregon forcën që kemi brenda vetes, na tregon se asgjë nuk ka vlerë më shumë se njerëzit tanë të shtrenjtë dhe asgjë nuk meriton të na rrëmbejë çastet e jetës.
Mos u jep mundësinë dhe kënaqësinë disa njerëzve të ndërhyjnë në gjendjen tënde të brendshme për asnjë lloj arsye.
E kaluara nuk zhbëhet, por ne mësojmë ta shikojmë atë ndryshe.
Kur gjërat të cilat më përpara të kanë bërë të vuash dhe tani arrin t’i tregosh me lehtësi, pa të krijuar shqetësim, ky është treguesi më i mirë që i ke mbyll hesapet me të kaluarën dhe je fokusuar tek e tashmja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.